Liberal-Demokracia Europiane në gjunjë para Autokratëve ballkanikë

Liberal-Demokracia Europiane në gjunjë para Autokratëve ballkanikë

Nga Agim Nesho - 18/07/2026

Përcaktimi i kohës tonë si një luftë ideologjike e dy fronteve Demokraci versus Autokraci ka mbetur si një përcaktim i atyre vlerave dhe parimeve që u krijua dhe funksionoi Bashkimi Europian (BE) për një kohë të gjatë. Kur vjen çështja e vlerësimit të Ballkanit Perëndimor duket se në heshtje BE pëlqen modelet e autokracive elektorale në favor të një stabiliteti fals që mund të fitojë kohë në rivalitetin e fuqive të mëdha për zona influence. Diplomacia efikase e dy dekadave të fundit për “promovim demokracie” është zëvendësuar plotësisht me një pragmatizëm të panevojshëm që shkatërron të gjitha rregullat e lojës.

Paaftësia e Europës Liberal-Demokrate tregon ndryshimin e modelit qeverisës të propozuar prej vetë saj në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë - që ishte modeli i shteteve demokratike, të lira dhe multietnike - drejt një modeli putinesk të autokracive elektorale, që vetëm fasadën kishin demokratike. Dy vendet kryesore të Ballkanit Perëndimor – Serbia dhe Shqipëria - jo vetëm nuk “ndëshkoheshin” për herezinë e tyre të kapjes së shtetit, të asfiksimit të shtetit ligjor por edhe promovohen si vende potencialisht të pranueshme për tu futur në Bashkimin Europian.

Ky është paradoksi i parë për një martesë interesash – midis simbolit të liberal-demokracisë europiane dhe autokracive të tipit mafioz, ku politikat e elitave drejtuese janë shkrirë me interesat e krimit të organizuar dhe mafias ndërkombëtare.

Paradoksi i dytë është heshtja e BE-së ndaj krijimit në zonat e tyre të influencës, sic është Europa Juglindore, e shteteve të tipit narko, të pastrimit masiv të parave, të krijimit të platformave për shpërndarjen e drogës, ku arkitektët autokratë të këtij realiteti shikohen si partnerë të agjendave europiane.

Lind pyetja nëse BE toleron apo është pjesë e një skenari për të krijuar gropat e saj ‘septike’, ka frikë nga ndërhyrjet e aktorëve të jashtëm që do prishin ekuilibrat dhe stabilitetin apo është e papërgatitur në kushtet e reja gjeopolitike të ballafaqimit, me një skenar ku influencat e gjithë fuqive të mëdha ndërthuren.

Autokratët Rama-Vuçiç janë në unison në veprimet e tyre

Ajo që i bën autokracitë ballkanike më të forta është bashkëpunimi midis tyre. Ky bashkëpunim ka filluar një dekadë më parë, kur liderët ballkanikë u vetë-ofruan për zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkan, nëpërmjet projektit të ndryshimit të kufijve dhe Ballkanit të Hapur. Këto projekte sllavo-ruse për të rishikuar politikat në Ballkanin Perëndimor nuk do të kishin marrë këto përmasa në qoftë se politika e jashtme e SHBA nuk do ti besonte grupit të interesit si Fondacioni Soros politikat ballkanike. Kjo i bëri autokratët ballkanike më konfidentë në realizimin e politikave të tyre dhe arrogantë ndaj procesit të integrimit europian, duke paraqitur alternativën e tyre si presion.

Edhe sot, kur opinioni publik i këtyre vendeve është ngritur në këmbë dhe kërkon ndryshim regjimesh, bashkëpunimi Rama-Vucic vazhdon të mbajë ekuacionin e tyre të lidhur:

-    Letra e përbashkët e tyre për një integrim të pjesshëm në BE, pa prekur interesat e regjimeve, për të treguar që janë të dy bashkë, edhe kur Serbia po qëndron gjithmonë e më larg në rrugën drejt BE-së.   

-    Vuçiç ndihmon Ramën, duke ngritur tonet nacionaliste në Serbi për cështjen e Kosovës me një deklaratë jo të pamenduar në këto momente për të justifikuar regjimin kriminal të Millosheviçit dhe genocidin e kryer ndaj popullit shqiptar. Krijimi i kësaj situate ishte për të favorizuar Ramën me qëndrimet e tij oportuniste që ju shërbejnë politikave stabilizuese në Ballkan, duke e diferencuar atë si një lider jo nacionalist, që mundëson ‘stabilitetin’ dhe bashkëpunimin në rajon.

-    Ballkani i Hapur mbetet një alternativë për dy autokratët si një strategji dalje nga refuzimi i mundshëm i BE-së, si rezultat i mos përmbushjes së kushteve për funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësisë së drejtësisë dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Vucic vazhdon të kujdeset për interesat e Rusisë dhe Kinës në Serbi si garanci për ruajtjen e pushtetit të tij, ndërsa Rama vijon të blejë influencë nëpërmjet afaristëve izraelitë dhe financimeve arabe, për të treguar se është ‘besnik’ me këdo që do ti mundësojë pushtetin e tij të korruptuar.

Ajo që i bashkon të dy autokratët ballkanikë është dhe strategjia për blerjen e influencës politike në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy kanë krijuar klubin e këshilltarëve perëndimorë si Tony Blair, D’Alemma, etj., duke zëvendësuar modelin e “Qatargate” me “Balkangate”, duke krijuar një shans për burokratët kudo në botë të kenë një mundësi të dytë. Kjo është provuar me korruptimin e McGonigalit, me dëshirën e kryebashkiakut Adams të vijë në Shqipëri, të bashkëpunimit Rama-Mogerini apo ndonjë shtetari të lodhur europian që kërkon ti bashkohet Tony Blair-it në Beograd apo Tiranë dhe vazhdon t’ju japë oksigjen autokratëve ballkanikë.

Cila është e ardhmja e Ballkanit Perëndimor?

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor sot është e pasigurtë drejt një bashkimi me BE-më. Edhe sikur BE të bëjë një zgjidhje gjeopolitike për ta afruar Ballkanin nëpërmjet një pranimi gradual, problemi qëndron që nuk do të ketë garanci sesi do të jetë sjellja e këtyre vendeve në të ardhmen. Pa luftuar Autokracinë si model politik, interesat e vendeve përcaktohen nga interesat e klikës në pushtet dhe garantimi i pushtetit të tyre të korruptuar. Prandaj Ballkani Perëndimor do të mbetet gjithmonë vulnerabël ndaj presionit që do të shtohet për zona influence nga Rusia, Kina, Turqia apo ekspansioni në Mesdhe i fondeve të mbretërive arabe. Ndërsa Europa mbetet indiferente ndaj reagimit popullor, autokracitë ballkanike po fuqizohen me armë kineze, qendra spiunazhi rus (qendra në Nish) apo fuqizim të shtetit policor në Shqipëri nëpërmjet instalimit të “smart city” me kompani të Emirateve të Bashkuara Arabe, pavarësisht se retorika e tyre mbetet akoma pro-europiane. Në qoftë se Europa e Bashkuar nuk do të ketë aftësinë e kapjes së momentit të reagimit qytetar për ndryshim në Serbi dhe Shqipëri, e ardhmja e këtij rajoni do të tentojë drejt realizimit të projektit të Tito-s për një zonë të paangazhuar dhe kthimin e Ballkanit në një ‘hub’ të ndërthurjes së influencave të fuqive të mëdha lindje-perëndim.

Të vetmit që do të jenë përfitues të këtij projekti do të jenë autokratët, që do të realizojnë pushtetin e tyre pa kufizim, ndërsa europianët do të shijojnë impotencën e tyre, kur kishin në dorë një projekt për të gjithë popujt e Europës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco