Anthony Joshua dhe Kristian Prenga dhuruan një moment simbolik vetëm pak ditë para përballjes së tyre në ring, teksa gjatë sesionit fotografik të dy bënë shqiponjën, me ish-kampionin britanik që respektoi simbolin kombëtar të shqiptarëve.
Dy boksierët do të përballen të shtunën në Jeddah të Arabisë Saudite.
Gjatë konferencës për shtyp, Joshua refuzoi të fliste për rivalin e tij Tyson Fury, duke theksuar se e gjithë vëmendja e tij është te dueli me Prengën.
“Duhet ta respektoj kundërshtarin tim. Nuk dua të flas për Tyson Furyn. Jam plotësisht i përqendruar te kjo ndeshje. Nuk ka të ardhme nëse nuk e fitoj këtë duel”, u shpreh britaniku.
Joshua rikthehet në ring pas një periudhe të vështirë personale dhe pas fitores ndaj Jake Paul, ndërsa përgatitjet i ka zhvilluar në Valencia së bashku me Oleksandr Usyk.
Edhe promotori Eddie Hearn vlerësoi kundërshtarin shqiptar, duke theksuar se ai është zgjedhur qëllimisht si një test serioz për rikthimin e Joshuas, ndërsa sfida pritet të jetë një nga duelet më interesante të fundjavës në boks.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: