Luis de la Fuente vazhdon të shijojë triumfin historik të Spanjës në Botërorin 2026.
Trajneri që i dhuroi “La Roja”-s yllin e dytë në fanellë ka dhënë një intervistë të gjatë, ku ka folur për rrugëtimin drejt titullit, atmosferën në skuadër dhe finalen ndaj Argjentinës, të cilën e cilësoi si “ndeshjen e jetës”.
Tekniku spanjoll u shpreh krenar për grupin që drejtoi, duke theksuar se suksesi nuk erdhi vetëm falë talentit, por mbi të gjitha për shkak të unitetit dhe frymës së familjes që mbizotëroi në ekip.
“Jemi përballur me skuadrat më të mira në botë, por ata u përballën me ekipin më të mirë në botë. Ky grup ka ende shumë për të dhënë dhe besoj se versioni më i mirë i kësaj Spanje nuk ka ardhur ende”, deklaroi De la Fuente.
Ai vlerësoi edhe rolin e Lamine Yamalit, duke theksuar se talenti i ri është pjekur shumë gjatë turneut dhe gjithmonë ka vendosur interesin e skuadrës mbi atë personal.
Duke analizuar rrugëtimin në Botëror, trajneri pranoi se sfida ndaj Portugalisë ishte një “finale e parakohshme”, ndërsa finalen ndaj Argjentinës e konsideroi kulmin e gjithë punës së bërë.
“Përballja me Argjentinën ishte ‘nëna’ e të gjitha ndeshjeve. Ishte takimi i ëndrrave dhe triumfi ynë ishte mbyllja perfekte e një rruge që e kishim planifikuar që në fillim”, u shpreh ai.
Në fund, De la Fuente falënderoi tifozët spanjollë për mbështetjen e jashtëzakonshme, duke theksuar se ky titull botëror i përket të gjithë Spanjës dhe se tashmë mendja e tij është te sfidat e radhës në muajin shtator.
© SYRI.net