Gjermania dhe Franca po planifikojnë të paraqesin një kandidaturë të përbashkët për organizimin e Kupës së Botës 2038 ose 2042.
Lajmi është bërë i ditur nga prestigjiozja franceze “Le Parisien”, sipas së cilës dy fuqitë evropiane kanë nisur diskutimet për të sjellë sërish turneun më të madh të futbollit në kontinent.
Sipas raportimeve, bashkëpunimi mes dy vendeve synon jo vetëm organizimin e një eventi me prestigj të lartë, por edhe përfitimet e mëdha ekonomike që sjell një Kupë Bote.
Planet e FIFA-s për zgjerimin e mëtejshëm të turneut pritet të kenë ndikim edhe te kandidaturat e ardhshme.
Pas Botërorit 2026 me 48 skuadra, po diskutohet që edicionet e ardhshme të zhvillohen me 64 përfaqësuese, çka e bën organizimin në dy ose më shumë shtete një zgjidhje gjithnjë e më të mundshme.
Pikërisht për këtë arsye, Gjermania dhe Franca synojnë të sigurojnë një avantazh ndaj rivalëve, duke nisur që tani përgatitjet për një kandidaturë të përbashkët.
Deri tani, FIFA nuk ka vendosur ende se cilat vende do të presin Botërorin e vitit 2038 apo atë të vitit 2042, por interesimi i dy gjigantëve evropianë pritet të shtojë konkurrencën për organizimin e turneut më të rëndësishëm të futbollit botëror.
© SYRI.net