Një epokë merr fund tek Argjentina. Qendërmbrojtësi Nicolas Otamendi ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen nga kombëtarja, duke i dhënë fund një karriere 17-vjeçare me fanellën bardhekaltër. Mbrojtësi 38-vjeçar e bëri publik vendimin përmes një mesazhi emocionues në rrjetet sociale, vetëm pak ditë pas finales së humbur të Botërorit 2026 ndaj Spanjës.
“Po shkruaj fjalët më të vështira të karrierës sime. Të luaja për Argjentinën ishte privilegji më i madh i jetës. E mbrojta këtë fanellë me gjithë zemër dhe do të largohem me kokën lart, sepse dhamë gjithçka deri në sekondën e fundit”, shkroi Otamendi.
Veterani falënderoi tifozët për mbështetjen e pakushtëzuar dhe familjen për sakrificat ndër vite, ndërsa u la edhe një mesazh brezave të rinj të kombëtares.
“Mos ndaloni kurrë së besuari. Kjo fanellë i shpërblen gjithmonë ata që e mbrojnë me përulësi, përkushtim dhe dashuri. Jam i bindur se kapitulli i ardhshëm i historisë së Argjentinës u përket juve”, theksoi ai.
Otamendi debutoi me Argjentinën në vitin 2009 dhe e mbyll aventurën me 139 ndeshje, tetë gola dhe tre asistime. Ai renditet i pesti për numrin e paraqitjeve me “Albiceleste”, pas Lionel Messit, Javier Mascheranos, Angel Di Marias dhe Javier Zanettit.
Gjatë karrierës me kombëtaren, mbrojtësi fitoi Kupën e Botës 2022, dy herë Kupën e Amerikës dhe e mbylli rrugëtimin me medaljen e argjendtë në Botërorin 2026, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në historinë e futbollit argjentinas.
© SYRI.net