Crysencio Summerville ka vendosur të vazhdojë karrierën në Arabinë Saudite. Sulmuesi anësor holandez, i cili në javët e fundit ishte përfolur fort si një objektiv i Romës, është transferuar zyrtarisht tek Al Hilal, skuadra e drejtuar nga Simone Inzaghi.
Klubi saudit ka arritur marrëveshjen me West Hamin për një shifër prej 80 milionë eurosh, ndërsa futbollisti ka firmosur një kontratë katërvjeçare me ekipin e tij të ri.
Summerville largohet nga West Ham pas vetëm një sezoni në Londër. Ai u transferua te “Hammers” në verën e vitit 2024 nga Leeds United për rreth 30 milionë euro, por nuk arriti ta shpëtonte skuadrën nga rënia nga kategoria. Megjithatë, paraqitjet e tij bindëse dhe aftësia për të bërë diferencën në duelet një kundër një bënë që vlera e tij në merkato të mbetej shumë e lartë.
Përveç Romës, për 25-vjeçarin interesoheshin edhe klube të tjera të mëdha europiane si Paris Saint-Germain dhe Manchester United. Megjithatë, oferta financiare e Al Hilal rezultoi vendimtare, duke bindur si klubin anglez, ashtu edhe vetë lojtarin.
Al Hilal konfirmoi transferimin përmes një komunikate zyrtare: "Al Hilal ka nënshkruar me Crysencio Summerville për katër sezone. Futbollisti holandez largohet nga West Ham United për t'iu bashkuar skuadrës sonë të parë."
Summerville zhvilloi një Botëror të suksesshëm, ku me kombëtaren e Holandës regjistroi 2 gola dhe 2 asistime.
Me transferimin prej 80 milionë eurosh, ai hyn edhe në historinë e futbollit holandez, duke u bërë lojtari i dytë më i shtrenjtë i të gjitha kohërave nga Holanda. Vetëm Frenkie de Jong, i transferuar nga Ajaxi te Barcelona në vitin 2019 për 86 milionë euro, qëndron përpara tij në këtë renditje.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: