Andrea Pirlo është gjithnjë e më pranë marrjes së drejtimit të kombëtares italiane. Pas refuzimit të Pep Guardiolës, drejtuesit e rinj teknikë të Federatës Italiane, Paolo Maldini dhe Leonardo, kanë vendosur të përqendrohen te ish-mesfushori legjendar, të cilin e konsiderojnë njeriun ideal për të nisur rilindjen e futbollit italian.
Sipas mediave italiane, Maldini e ka pasur Pirlon në krye të listës që prej fillimit të projektit. Synimi është të ndërtohet një skuadër me një filozofi moderne loje dhe me një trajner që ndan të njëjtin vizion me drejtuesit teknikë. Për këtë arsye, emra me përvojë si Antonio Conte apo Roberto Mancini nuk janë konsideruar të përshtatshëm për projektin e ri.
Edhe pse karriera e Pirlos si trajner nuk ka qenë aq e suksesshme sa ajo si futbollist, Maldini beson se ai ka një vizion të jashtëzakonshëm për futbollin dhe është i bindur se mund të ketë sukses në stolin e "Axurrëve". Ndërkohë, drejtuesit janë të gatshëm ta mbështesin plotësisht në menaxhimin e grupit dhe në çdo vendim që do të marrë.
Bisedimet mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe Pirlo e ka pritur me entuziazëm mundësinë për të drejtuar kombëtaren. Tashmë që pista Guardiola ka rënë përfundimisht, pritet që marrëveshja të mbyllet shumë shpejt.
Zyrtarizimi mund të vijë që javën e ardhshme, madje një nga datat e mundshme është mbledhja e Këshillit Federal të Federatës Italiane, e planifikuar për të martën.
Sipas raportimeve, Pirlo do të firmosë një kontratë deri në Kupën e Botës 2030, ndërsa do të përfitojë rreth 1.5 milionë euro në sezon. Projekti i Maldinit dhe Leonardos është afatgjatë, me synimin për të rindërtuar futbollin italian duke nisur që nga grupmoshat e reja dhe për ta rikthyer Italinë në elitën e futbollit botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: