‘Puthja fatale’ e presidentit me futbollisten, reagon ministri i sporteve në Spanjë

‘Puthja fatale’ e presidentit me futbollisten, reagon ministri i sporteve në Spanjë

14:30, 21/08/2023

Spanja fitoi në mënyrë të shkëlqyer Kupën e Botës për femra këtë të diel. Përtej arritjes, një nga ‘protagonistët’ e festës së mëvonshme ka qenë presidenti i RFEF-së, Luis Rubiales, i cili gjatë ndarjes së çmimeve e ka puthur në buzë lojtaren Jenni Hermoso.

Të dy protagonistët janë përpjekur ta minimizojnë këtë çështje, por e vërteta është se gjesti i Rubiales është kritikuar nga shumë njerëz dhe ka shkaktuar shumë polemika si në rrjetet sociale, ashtu edhe në shtypin ndërkombëtar. Një nga të fundit që ka ‘akuzuar’ presidentin e RFEF-së ka qenë Miquel Iceta, ministër i Kulturës dhe Sportit në Spanjë.

Ministri foli në programin e “Radio Nacional España”, “Las mañanas de RNE”, për të vlerësuar punën e madhe të ekipit kombëtare të femrave dhe, mbi të gjitha, për të komentuar puthjen e Rubiales për Jenni Hermoso: “Ne jemi bërë fuqia e parë botërore në futbollin e femrave dhe mund të jemi për një kohë të gjatë.

Puthja e Rubiales? Më duket e papranueshme… Jetojmë në një moment barazie, të drejtash dhe respekti për gratë. Të gjithë duhet të jemi veçanërisht të kujdesshëm në qëndrimet dhe veprimet tona. Besoj se është e papranueshme të puthësh në buzë një lojtare për ta uruar. Siç e kam parë, mendoj se duhet të kërkojë falje publike. Të gjithë meritojmë respekt”.

Vetë futbollistja tha vetëm tri fjalë për këtë rast, në rrjetet sociale: “Nuk më pëlqeu”. Në një reagim për “Radio Marca”, Rubiales nuk e uli tonin: “Ka idiotë kudo. Nuk duhet t’iu kushtojmë vëmendje këtyre idiotëve. Jemi kampionë bote, të shijojmë gjërat e bukura. Nuk kishte ligësi në atë gjest”.

“Puthja fatale – Në festimin e triumfit historik të fitores së Spanjës në Botërorin e Futbollit të Femrave 2023, një gjest i papritur ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Gjatë ceremonisë së medaljeve dhe trofeut të kampioneve, presidenti i Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll, Luis Rubiales, i ka habitur të gjithë duke i dhënë një puthje në buzë lojtares Jennifer Hermoso.

Ky moment, i cili nuk ka kaluar pa u vënë re, i cili është kapur nga kamerat televizive, shton një tjetër detaj kurioz të ditës së shënuar për iberikët. Jennifer Hermoso kishte veshur fanellën me numrin 11, që i përkiste partneres së saj Alexia Putellas, ndërsa nga ana tjetër, Alexia kishte veshur fanellën e Jennifer. Një shkëmbim fanellash mes kolegeve që simbolizon bashkimin dhe shoqërinë që e ka karakterizuar këtë kombëtare kampione.

Pa dyshim, një ceremoni plot emocione dhe momente që do të mbeten për t’u kujtuar në botën e sportit spanjoll, por jo vetëm. Puthja e Rubiales me futbollisten e sapo shpallur kampione bote do të kujtohet përkrah asaj të Iker Casillas dhe Sara Carbonero kur spanjollët po laureoheshin si kampionë bote në Afrikën e Jugut, më 2010.

Asokohe, portieri i kombëtares iberike dhe gazetarja sportive zbuluan në atë mënyrë unike lidhjen e tyre, më pas edhe u martuan e krijuan familje. Puthja e fundit e presidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit dhe futbollistes nuk dihet ende si të merret, mbetet të “pagëzohet” me një kuptim, nëse nuk ishte veçse një eufori e momentit nga shpallja kampionë bote.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco