Miqësore luksi, Shqipëria U19 përballë kampionëve të Europës

Miqësore luksi, Shqipëria U19 përballë kampionëve të Europës

12:44, 26/07/2023

 

Kombëtarja U19 do të jetë e para mes ekipeve kuqezi që rikthehet në fushë në muajin gusht pas pushimeve. Kuqezinjtë e vegjël do të jenë të impenjuar në një miqësore ndërkombëtare.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, do të luajë një miqësore luksi ndaj Italisë U19, skuadër që u shpall kampione e Europës për këtë grup-moshë vetëm pak javë më parë. Në fazën finale të turneut kontinental që u zhvillua në Maltë.

Ndeshja do të luhet në qendrën e ekipeve Kombëtare të Italisë, në Koverçiano: 9 gusht 2023. Stafi teknik do të ftojë për këtë miqësore lojtarë të vitlindjes 2005-2006.

Grumbullimi do të nisë me datën 6 gusht me grupin që do të udhëtojë menjëherë drejt Italisë. Ku do të stërvitet për tri ditë me radhë po në Koverçiano.

Me ekipin do të jenë të pranishëm edhe zyrtarë të Drejtorisë Teknike dhe Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF. Ky test është një tjetër mundësi për të kolauduar akoma më mirë skuadrën në prag të angazhimit në kualifikueset e Europianit.

Ku synohet kalimi në fazën finale. Sakaq, Kombëtarja U19 zhvilloi dy miqësore më Kosovën U19 në muajin qershor në Kukës. Kuqezinjtë bënë një paraqitje shumë të mirë, duke regjistruar një fitore dhe një barazim.

Duhet theksuar se skuadra është në proces rinovimi për shkak të ndërrimit të brezave. Ndonëse grupi përbëhet nga shumë të rinj, performancat në fushë kanë qenë pozitive.

Kombëtarja U19 do të ketë edhe katër miqësore të tjera në muaj shtator e tetor, me rivalët që mbeten për t’u përcaktuar. Ndërkohë që në muajin nëntor, djemtë e Bulkut do të luajnë në kualifikueset e Europianit 2024.

Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar kombëtaren shqiptare në Grupin 13. Së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë. Në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023.

Në bazë të rregullores, dy skuadrat e renditura në vendet e para të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë. Faza finale e Europianit të moshës U19, do të zhvillohet në Irlandën e Veriut në verën e vitit 2024.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco