Bergomi: Interi po ndërton skuadër me identitet, do të shohim edhe rritjen e Asllanit

Bergomi: Interi po ndërton skuadër me identitet, do të shohim edhe rritjen e Asllanit

09:15, 14/07/2023

Interi është ndër të paktat skuadra të mëdha të Italisë që po kompleton dalëngadalë organikën, një përzierje mes lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinjve, që e kanë pozicionuar edhe një herë tjetër shumë mirë në nisje të fazës përgatitore skuadrën e Simone Inzagit.

Për të analizuar zikaltrit dhe mënyrën si po ndërtohet skuadra ka qenë Bepe Bergomi, ish-kapiteni i Interit.

“Interi po ndërtohet nëpërmjet dy pikave kryesore. E para është që kanë sjellë me Fratezin një tjetër italian në ekip dhe është një gjë shumë e rëndësishme për një skuadër italiane dhe për më tepër për kombëtaren.

Vitet e fundit kam parë gjithmonë që ata që kanë një bazë të fortë italiane krijojnë një identitet të fortë. Pika e dytë, është fakti që edhe pse nuk e di nëse do të jetë më i fortë apo më i dobët se vitin e kaluar diçka që do ta tregojë fusha, Interi ka arritur të ulë moshën mesatare të ekipit.

Presim të shohim si do të kompletohet skuadra deri në fund të merkatos”, kanë qenë fjalët e italianit për “Sky Sports”, që duke u ndalur në repartet e veçanta ka treguar nevojat e ekipit.

“Për mënyrën se si luan Inzagi, ai duhet të ketë katër sulmues të fortë. Sepse kur kishte Lukakun në gjendje të mirë, Interi rifilloi shumë fuqishëm, kështu që ky është reparti kryesor. Pastaj sigurisht, në mesfushë duhet të shohim se si do të luajnë Barela dhe Fratezi, të cilët janë shumë të ngjashëm në cilësi. Aty është edhe Mikhitarian, është Çalhanoglu dhe do të presim të shohim edhe rritjen e Asllanit. Nga ana tjetër zikaltrit duhet të kompletojnë krahët dhe të shohim si do ta bëjë”, u shpreh për Interin Bergomi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco