‘I kënaqur me paraqitjen e skuadrës’, trajneri Silvinjo rrëfen ‘sekretet’ e punës së tij

‘I kënaqur me paraqitjen e skuadrës’, trajneri Silvinjo rrëfen ‘sekretet’ e punës së tij

14:53, 26/06/2023

Shqipëria e futbollit mbylli me sukses dy ndeshjet kundër Moldavisë e Ishujve Faroe, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri brazilian, Silvinjo morën dy fitore mjaft të vyera dhe të rëndësishme për këtë fushatë eliminatoresh, ku qëllimi është vetëm një: kualifikimi në ‘EURO 2024’. Objektivi i qershorit u arrit dhe trajneri i Kombëtares shqiptare duket shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij.

Në një intervistë për emisionin ‘Skaner’, i drejtuar nga moderatori Gerti Çarçani, tekniku brazilian analizon dy ndeshjet e Shqipërisë, ndërsa rrëfen emocionet e dy fitoreve dhe të pathënat. Ndër të tjera, trajneri Silvinjo flet edhe për ndryshimet në skuadër, afrimin e disa lojtarëve të rinj, ‘Kombëtaren’ e tij dhe planet për ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë në këtë fushatë kualifikuese.

– Mister, i kënaqur nga skuadra në këto dy ndeshje të qershorit?

– Po, sigurisht. I kënaqur edhe për paraqitjen, e cila ishte e mirë në tre ndeshjet. Futbollistët ishin aty, të organizuar në fushë, me mendjen e duhur për të luajtur një ndeshje futbolli. Po flas edhe për Poloninë, një ndeshje që ishim në garë deri në dy minutat e fundit për të barazuar. Por, mirë, i kënaqur pasi tani i njoh më mirë lojtarët apo ata më njohin mua dhe stafin, ku jemi 7-8 persona. Natyrisht punën e bëj unë si trajner i parë, por ka rëndësi edhe kjo njohja mes lojtarëve dhe stafit, çka më jep kënaqësi.

– Pas 45 minutave të para në Ishujt Faroe, iu ngrit pak temperatura pas atij barazimi?

– Shiko, ishte e vështirë për ta menaxhuar në dhomat e zhveshjes, pasi u ndodhëm në një situatë të vështirë. Duhet ta mbyllësh ndeshjen. Duhet ta kishim mbyllur pasi ishim superiorë në ato momente: 1-0, më pas penalltia dhe më vonë një tjetër shans i shpërdoruar dhe një minutë para se të futesh në dhomat e zhveshjes i jep mundësi kundërshtarit të të shënojë gol. Dhe ai është momenti vendimtar, pasi nëse skuadra humbet qetësinë, humbet ndeshjen. Pasi nëse një lojtar i prapavijës del përpara dhe lë pozicionin, nuk është mirë. Ndeshja fitohet vetëm kur je i organizuar fort dhe mirë. Dhe aty më kuptuan lojtarët. Pasi u thashë: Duhet të luajmë të qetë dhe të kthjellët, me intensitetin e duhur të lojës, por mbi të gjitha të organizuar. Pasi vetëm kështu fitohet ndeshja. Pastaj lojtarët bënë mirë kur u futën në pjesën e dytë, shënuan golin e dytë dhe të tretë dhe sipas meje e merituam. Një fitore e mirë ajo në Ishujt Faroe.

– Gjatë këtyre ditëve, gëzimi i madh i shqiptarëve për këtë sukses, por si duhet menaxhuar euforia? Euforia nga njëra anë dhe entuziazmi nga ana tjetër. Si mund ta menaxhojmë, pasi është një gjë që na ka dënuar shumë herë? Një gjë që ne ndoshta e kemi në ADN-në tonë: euforia që mund të na vrasë.

– Shiko, flasim për eufori. Unë them se duhet të flasim për të shfrytëzuar këtë moment që po kalojmë pas këtyre fitoreve dhe euforia mund të qëndrojë. Mendoj se kur punohet mirë dhe rezultati shihet, sigurisht që na mungon shumë dhe pikërisht atë moment duhet ta shfrytëzojmë. Dhe nëse e shfrytëzojmë mirë, është 50 përqind e punës, dhe nuk flas për eufori, por për ta shfrytëzuar. Kjo është gjë e mirë dhe lojtarët janë të bindur se bëmë mirë, kemi ende shumë për të bërë, t’i marrim ndeshjet me radhë. Këtë duhet të bëjmë, nuk ka rrugë tjetër. Unë kur dhashë konferencën e shtypit në fillim jam shprehur se nuk është një grup i lehtë, pasi në  një ndeshje të vetme përgjatë 90 minutave mund të ndodhin shumë gjëra. Dhe sipas meje, mbeten ende 5 ndeshje të tjera, për ne janë si 5 finale dhe duhet të ecim me 100km në orë, pasi secila është shumë e rëndësishme dhe numri 1 është Republika Çeke.

– Kuptoj, dhe festa tashmë ka mbaruar?

– Për njerëzit jo, ndërsa për mua po.

– Natyrisht. Mister, çfarë mendove kur të thanë pas ndeshjes me Ishujt Faroe se Polonia ka humbur në Moldavi?

– Shiko, ne ishim në dhomat e zhveshjes, të kënaqur dhe të gëzuar. Unë shkova në konferencën e shtypit, dhe pas 30 minutash më tha dikush: shiko ishte një ndeshje e fortë, në fillim Polonia udhëhoqi 2-0 dhe më pas Moldavia e përmbysi rezultatin. Futbolli është i vështirë.

– Edhe një bonus le të themi…

– Natyrisht, por Polonia mbetet ende favorite sipas meje. Polonia, Çekia, janë kombëtare të forta dhe ata janë favoritë deri në fund të kompeticionit. Ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë, dy fitore, 6 pikë na futën në garë dhe në jemi të kënaqur për këtë.

– Surprizuat pak me përzgjedhjet teknike në ndeshjen e dytë: jashtë Uzuni, brenda Seferi. Uzuni titullar në ndeshjen e parë dhe më pas u fut në pjesën e dytë. I menduat këto pasi ishte kurajo e madhe për një lojtar që është golashënues?

– Natyrisht duhet të ambientohemi me këto dhe lojtarët e dinë mjaft mirë. Është një situatë jo e thjeshtë për ta menaxhuar. Në Amerikën e Jugut me kombëtaren e Brazilit punova aty tre vjet, dhe nga njëra ndeshje te tjetra kishim diferencë 4 ditë. Ndërsa këtu, kjo diferencë është tre ditë. Kjo e vështirëson shumë, pasi e bën thuajse të pamundur aktivizimin e të njëjtëve lojtarë. Dy-tre ndryshime, përgjithësisht i bëjnë të gjithë trajnerët.

– Ka një thënie që formacioni fitues nuk preket…

– Sigurisht, kështu thonë. Por është e vështirë dhe lojtarët e dinë. Pasi të japësh 100 përqind në ndeshjen e dytë është shumë e vështirë. Pas një transferte që nuk ishte edhe aq e lehtë.

– Shohim pak tani edhe pikat e dobëta. Është drejtë të themi që vuajmë shumë kur shënojmë dhe në anën tjetër pësojmë lehtësisht.

– Varet. Shkojmë në Poloni dhe humbasim 1-0. Ndeshja e dytë, 0 gol, nuk pësuam ndaj Moldavisë. Më pas Ishujt Faroe, pësuam një gol. Flasim për tre ndeshje, pësuam dy gola, më pak se një gol për ndeshje. Mendoj se pjesa defensive, por edhe ofensive, është e mirë pasi kemi shënuar 5 gola në tre ndeshje. Kemi pësuar dy gola në tre ndeshje. Por në fund të fundit të gjitha skuadrat pësojnë. Edhe Mançester Siti pëson, të mëdhatë e botës gjithashtu pësojnë: Liverpul, Barcelona, Real Madrid. Për fat të keq, kështu është.

– Opinionet e  specialistëve janë se mund të kesh dhimbje koke për mbrojtjen pasi edhe ndeshjen e fundit nuk ishte e sigurt duke rrezikuar në disa raste që mund të na ndëshkonin. Nëse sulmi dhe mesfusha duken mirë, mund të themi se pika e dobët mbetet mbrojtja?

– Nëse do t’i referohemi ndeshjes me Ishujt Faroe, aty ku edhe pësuam gol dhe mund të pësonim sërish, duket e drejtë nëse e kanë analizuar kështu. Sepse realisht ishte ndeshje e vështirë ku kundërshtari u mundua të shfrytëzojë goditjet standarte, duke hedhur ndonjë top brenda zonës dhe dikush mund të shënojë. Prandaj them se ishte e vështirë. Luhet futboll: njëra skuadër bën zotërim topi, ndërsa tjetri fut në zonë një top dhe mund të ndëshkohesh. Sipas mendimit tim, përsa i përket pjesës defensive, jo. Mendoj se kemi një mbrojtje të mirë. Ishim të sigurt dhe më pas mund të them se futbolli në përgjithësi, jo futbolli modern, mbrohet me 10 -11 lojtarë. Por nëse flasim për një mbrojtje si repart dhe topi shkon te mesfushori apo sulmuesi, sot flitet shumë për lojën mes linjave: Ka një top që shkon mes linjave, e merr mbrojtësi, sulmon dhe mund të shënojë. Pra, nis loja nga një mbrojtës qendror. Prandaj them se është punë skuadre dhe ata e kuptuan mjaft mirë që duhet të shkojmë të luajmë si skuadër.

– Ndryshove pozicionin e Hysajt dhe Mitajn e çove në të majtë. Një lojtar që e kemi fituar në atë krah për disa vjet…

– Po, futbollistë të mirë. Kishim probleme për mbrojtës të majtë dhe prej tre-katër muajsh ishim në kërkim. Vendosëm për Mitajn, i cili zhvilloi një ndeshje të mirë.

– Mund të themi që në kombëtaren tënde ka lojtarë të paprekshëm?

– Jo. Janë të gjithë lojtarë të fortë, me kondicion të mirë.

– Kur them të paprekshëm, e kam fjalën për të pazëvendësueshëm?

– Sigurisht që jo. Nuk mund të bëjmë llogaritë tani e të flasim për 11, 13 apo 15 lojtarë. Nuk e dimë se si do të jemi deri në shtator.

– Çfarë të frikëson më shumë?

– Frikë jo. Trembem për ndonjë dëmtim. Kombëtarja nuk është si një klub ku e nis me 25 lojtarë dhe me ta shkon deri në fund. Këtu është ndryshe. Grumbullon 23 lojtarë dhe nis punën, është ndryshe.

– Asani, asnjë nuk besonte tek ai. E more, i besove dhe duket një bast i fituar. Do të ketë emra të tjerë?

– Po, natyrisht që do të ketë. Prandaj kam zgjedhur të jetoj në Tiranë. Kemi lojtarë të fortë gjithandej nëpër botë. Ai ishte lojtar që luante në Hungari prej disa kohësh dhe më pas u transferua në Kore, që ka ndryshuar në bazë të skemave të lojës. Kemi nevojë për lojtarë krahu si ai, Mehmeti, Bajrami që është lojtar krahu, Seferi gjithashtu që ka bërë një ndeshje të mirë. Asani është mëngjarash, e vendosa në atë pozicion dhe bëri mirë, pasi është lojtar teknik, i fortë edhe në pjesën e defensive. Nuk është pykë, por lojtar krahu, dhe ndihmon edhe mbrojtjen.

– Nëse nuk gaboj ishte pjesë e 11-shit në të tre ndeshjet e tua?

– Po, ishte titullar në të treja ndeshjet.

– Pyetja që të bëj gjithmonë ka lidhje me portën. Është një preokupim i të gjithëve porta. Etrit Berisha është lojtar i rëndësishëm, por a keni një preokupim edhe ju për portën?

– I the të gjitha. I kemi të dy portierët në nivel ndërkombëtar dhe kanë bërë rrugëtim të rëndësishëm. Berisha dhe Strakosha kanë bërë mirë, por kur nuk luajnë dhe nuk shkojnë në fushë atëherë është shumë  e vështirë. Fusha është e rëndësishme për lojtarët. Të dy portierët nuk kishin minuta në portë, por pasi dëgjova edhe përgatitësin e portierëve,vendosa për Berishën, pasi më takonte mua të merja vendimin final. Por të dy portierët janë pothuajse në të njëtat kushte.

-Pra nga ajo që kuptoj, zgjedhja për portën do të jetë mes këtyre të dyve?

– Fola për këta të dy sa i përket ecurisë së tyre. Pastaj, Kastrati është portier shumë i mirë, por edhe Simoni, 19-vjeçar. Mendoj se duhet të rritet akoma më shumë duke luajtur, pasi më pëlqen shumë dhe ka një ardhme në Kombëtare ashtu si Strakosha,Berisha. Të shohim.

– E ke llogaritur edhe rikthimin e Brojës?

– Duhet ta kuptojmë situatën pas një dëmtimi të vështirë, të gjatë, pasi nuk është e lehtë as për jetën e cilido futbollisti. Por sigurisht duhet të flasim tani për këtë moment, më vonë me qetësi. Pasi ajo që vlen mbi gjithçka është shëndeti i lojtarit.

– Kjo të bën të mendosh se ndoshta nuk do të jetë gati as për shtatorin

– Do shohim,do shohim

– Sepse është e rëndësishme të rikthehet në fushë për të luajtur

– Po, më pas është një rrugëtim i rëndësishëm. Dëmtimi prej 9-10 muajsh është i gjatë. Pra, janë etapa që do të kalohen dhe duhet të ecim përpara, pasi edhe vetë lojtari është i fortë, por e përsëris se gjëja më e rëndësishme është vetë futbollisti.

– Nëse do të jetë në formë kur të jetë gjithçka gati,për ju do të ketë vend në formacion për të tre së bashku:Broja,Cikalleshi dhe Uzuni?

– Nuk e kam menduar. Akoma jo.

-E drejtë

-E drejtë sepse…

– Edhe nëse do të jenë të tre në formë, nuk e ke menduar akoma

– Ende jo, ende jo. Kjo është hera e parë që e çoj nëpër mend, meqë më pyete ti.

– Patjetër, kuptoj. Mister, në çfarë duhet të besojnë shqiptarët?

– Që vazhdojmë të bëjmë një punë serioze, një punë me shpirt e zemër, dhe që na dërgon në fushën e lojës. Rezultati po, por paraqitja gjithashtu. Më pëlqeu shumë paraqitja në mesfushë. Natyrisht rezultati është i rëndësishëm, pasi për atë punojmë. Ashtu si ndaj Ishujve Faroe, por edhe në shtëpi ndaj Moldavisë, sa herë që shkonim në mesfushë për të bërë pressing, për të rrëmbyer topin, natyrisht që është gjë e bukur. Natyrisht që publiku kënaqet edhe me atë gjë.

– Goli më i rëndë është ai i Asllanit apo Asanit?

-Të pestë golat.

– Përveç të pestëve, pasi Asani zhbllokoi rezultatin..

– Sa i përket rëndësisë, po. Pasi ta thashë që ndaj Moldavisë ishte e vështirë, ta thashë disa herë. E pata thënë që Moldavia ishte kundërshtar i vështirë dhe i vendosur mirë në fushë, me lojtarë të zotë, si Nikolaesku apo Damaskan. Prandaj nuk mund t’i ndaj, pasi të dy golat ishin të rëndësishëm

– Ndërkaq, kundërshtarët e radhës në shtator janë më të vështirë:Republika Çeke dhe Polonia.Lufat jonë është me këto të dyja.

– Po, ndeshja më e rëndësishme në këtë moment është ajo ndaj Republikës Çeke. E drejtë,ndeshja e radhës. Një ndeshje e vështirë,pasi ata janë të fortë, fizikisht të fortë, taktikisht mund të luajnë 3-4-3. Më duket se në ndeshjen e tyre në Ishujt Faroe u vendosën me 4-2-3-1 apo 4-3-3. Kanë lojtarë që dinë të shënojnë,dhe vendosen mirë në fushë. Sipas meje,Çekia dhe Polonia ishin favoritët e grupit.Tani jemi në garë.Të shohim.

– Do të kënaqeshe edhe me një pikë?

– Nuk e di. Unë e përgatis skuadrën për të fituar. Sepse në të gjithë ndeshjet e ke një mundësi për të fituar. Më pas nuk e di se çfarë ndodh. Por skuadrën e përgatis për të fituar,sigurisht

– Ajo që i ka bërë më shumë pështypje njerëzve dhe komunitetit mediatik në lidhje me kiminë mes trajnerit dhe lojtarëve. Cili është sekreti mister? Një entuziazëm i madh i stafit me lojtarët.

– E drejtë. E gjithë puna e stafit, puna e federatës, ardhja ime këtu, qëndrimi i përhershëm këtu, por sigurisht vëzhgimi i lojtarëve. Një futbollist do të dëgjojë të vërtetën nga një trajner. Ne duhet të bëjmë zgjedhjet dhe ndodh që dikush nuk luan, tjetri nuk është i gatshëm, prandaj duhet folur hapur, duke u parë në sy. Mua më duhet të shoh çdo ndeshje,t’i shoh lojtarët, duhet të punoj 10-12 orë në ditë.

– Të gjithë ndihen mirë. E thonë këtë,e transmetojnë. Shihet në sytë e lojtarëve se ndihen mirë tani. Është një meritë e juaja, pasi i keni bërë të ndihen si një familje e madhe.

– Po, jam i kënaqur për këtë gjë. Nuk është e lehtë, por përgjigja e lojtarëve sipas meje është e duhura, pasi ata janë shumë të zotë.

– Të pëlqeu përgjigja e publikut Mister?

– Po

– I gjithë stadiumi plot..

– Po

– Tani ndaj Polonisë do të jetë sërish një stadium i tejmbushur..

– Po, po

– Kanë nisur që tani kërkesat për biletat. Përgjigja e publikut për Kombëtaren. Është një përgjegjësi e madhe,përveç prezencës në stadium…

–  Sigurisht. Ne duhet të menaxhojmë çdo gjë. Është bukur. Para se njerëzit të vijnë, duket se kanë besim te loja dhe lojtarët. Kjo është gjë e bukur, prandaj duhet ta menaxhojmë gjithnjë hapin e radhës. Bukur.

– Për rezultatet e Kombëtares reaguan edhe kritikët. Kritikët e Federatës së Futbollit, të Presidentit. Kombëtarja duket se ua ndryshoi mendimin. Unë i ndjek të gjithë kritikët.

– Një punë e mirë, një rezultat i mirë, por përtej kësaj, sipas meje është puna e të gjithëve ne. Flasim dhe jemi në komunikim me të gjithë dhe duket se gjërat rrjedhin në mënyrë të qetë. Për kritikët, ç’të them, ata kanë mendimin e tyre.

– Mister,ju erdhi edhe familja në ndeshjen ndaj Moldavisë.Çfarë ju thanë fëmijët pas ndeshjes?

– Ata ishin të kënaqur. Pasi edhe përpara ndeshjes e shihnin që ishte e vështirë dhe kërkonin që të fitoja. Më dha kënaqësi shumë të madhe t’i shihja këtu dhe pas ndeshjes ishim të gjithë bashkë me familjet e futbollistëve për një darkë dhe ishte bukur.

– Një mbështetje e madhe morale le të themi. Vajza me fanellën e Kombëtares. Një mbështejte  e madhe që përveç fitores së babait, por edhe një sukses i madh.

– Sigurisht, familja është një gjë shumë e rëndësishme.

– Të kanë telefonuar nga Brazili për këto dy suksese? Miq apo kolegë gazetarë?

– Po,po shumë.

– Dikush nga mediat e Shqipërisë e cilësoi Asllanin si Asllaninjo. Për golin

– Se mos më matrin në telefon nga Kombëtarja e Brazilit, trajneri i Brazilit që ta çojnë andej…

– Mister, bëj shumë kujdes nga euphoria. Ti nuk merr këshillla nga unë, por shumë kujdes nga euphoria.

– Po po,duhet ta menaxhojmë.

– Pikërisht për këtë. Faleminderit shumë.

– Faleminderit juve.

– Rikthim të mbarë në Portugali. Kur do t’i riktheheni punës, pasi më thatë në fund të korrikut?

– Po, më 31 korrik, ditën e hënë, praktikisht jemi këtu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco