VIDEO/ ‘Historia ime’, promovohet dokumentari i ish-kapitenit kuqezi, Ansi Agolli

VIDEO/ ‘Historia ime’, promovohet dokumentari i ish-kapitenit kuqezi, Ansi Agolli

16:43, 17/06/2023

Ish-kapiteni i Kombëtares, Ansi Agolli, ka mbledhur para pak ditësh në stadiumin “Air Albania” figurat më të rëndësishme të futbollit shqiptar në një mbrëmje të veçantë, ku ka promovuar dokumentarin e karrierës së tij të titulluar “Historia Ime”.

Në këtë premierë ishin të pranishëm Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Zv.Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, disa nga lojtarët e Kombëtares shqiptare si edhe stafi teknik kuqezi, me në krye trajnerin Silvinjo.

Gjithashtu, në këtë event morën pjesë edhe ish-futbollistë të shquar të Kombëtares, të cilët kanë luajtur me Agollin, lojtarë që kanë luajtur me ish-kapitenin në klube apo dhe personalitete të futbollit.

Presidenti Duka mbajti një fjalim dhe e vlerësoi Ansi Agollin si një aset për shoqërinë shqiptare dhe si shembullin ideal për të rinjtë.

“Ansi Agollin e quaj një aset shumë të rëndësishëm të futbollit shqiptar. Madje nuk do ta ekzagjeroja nëse do të thoja një aset i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare. Nuk besoj se është nevoja që unë të flas për karrierën e Ansit, sepse flet vetë vepra e tij, kanë folur vetë rezultatet e tij gjatë rrugëtimit të gjithë atyre fazave që Ansi i përmendi, që nga adoleshenca, klubet në Shqipëri, jashtë Shqipërie, ekipi kombëtar, qershia mbi tortë siç e quajti, apo pjesëmarrja në Euro 2016.

Ansi ka arritur gjithçka në futboll. Ai është një djalë i edukuar, është një djalë i mirë dhe kërkon t’i falënderojë të gjithë që e kanë ndihmuar dhe kanë kontribuar për të. Është një djalë që vërtetë është bërë me punën e vet, me sjelljen e vet, me përkushtimin e tij në lojën e futbollit. Si futbollist, çfarë ka dhënë Ansi, e thotë vepra e tij, dokumentari do të flasë akoma më shumë”.

Presidenti Duka vijoi me fjalimin e tij: “Unë e kam shoqëruar Ansin gjatë gjithë karrierës së tij, e kam simpatizuar gjithmonë për atë që ka qenë në fushë dhe jashtë saj. E kam thënë edhe herë të tjera, Ansi ka çdo karakteristikë të mirë që mund të ketë një njeri. Mund të jetë vërtetë shembulli perfekt për t’u ndjekur nga rinia shqiptare, shembulli perfekt për t’u ndjekur se si mund të edukohesh përmes futbollit. Dhe për këtë unë kënaqem.

Jashtë fushës, e thashë, është një djalë i shkëlqyer, një familjar i mirë, ka ndërtuar jo vetëm karrierën, por edhe familjen e tij. Është një një njeri me shumë pak ose aspak diplomaci, është shumë i drejtpërdrejtë, mbase djemtë që janë këtu dhe kanë qenë pjesë e Europianit bashkë me Ansin mund t’u kujtohet batuta e tij kur u kthyem nga Europiani. Vërtetë ishte shumë pak diplomatike, të jem i sinqertë.

Në fillimet e futbollit të vet ka pasur disa gabime, pasi merrte ca kartonë të kuq, por shumë shpejt e korrigjoi. E korrigjoi jo duke e lënë lojën e fortë, të ashpër, por duke e çuar deri në nivelin që e lejon futbolli. Doja të falënderoja ata që e kanë bërë dokumentarin, z. Rexha dhe z. Nallban, që jo vetëm për Ansin por për futbollin në përgjithësi kanë kontribuuar ata dhe Digitalb bashkë me ta, për ta shkruar apo për ta lënë historinë të transmetohet për brezat që do të vijnë, për t’i bërë ata që të ndjekin vërtetë shembullin pozitiv.

Nuk dua ta zgjas më, por duke qenë se jemi në prag të një ndeshjeje shumë të rëndësishme të ekipit kombëtar kundër Moldavisë, dhe ekipin kombëtar dhe stafin e kemi në sallë, unë uroj që çunat të kënaqin spektatorët dhe të arrijnë një rezultat pozitiv ndaj Moldavisë. Pse jo, ata që kanë qenë një herë dhe janë në sallë, ta përsërisin pjesëmarrjen në Euro 2024, ndërsa të tjerët ta provojnë për herë të parë Europianin në Gjermani.

Edhe një herë ju uroj suksese në jetë, edhe në futboll. Ansi ka lënë futbollin e luajtur, por e vazhdon atë, fatkeqësisht jo në Shqipëri, por në SHBA. Gjithsesi edhe atje ai edukon më shumë fëmijë shqiptarë, se fëmijë të nacionaliteteve të tjera. Faleminderit të gjithëve”, përfundoi presidenti Armand Duka fjalimin e tij para nisjes së dokumentarit.

Vetë Agolli është shfaqur i emocionuar me rastin e promovimit të këtij dokumentari, duke u shprehur se rrugëtimi i tij në futboll ngjan si një maratonë e vërtetë me plotë arritje e momente të bukura.

“Emocionet më të mëdha i kalova gjatë rrugëtimit, është celebrim. Shpresoj që dashamirësit e futbollit ta pëlqejnë dhe të marrin mesazhin. Rrugëtimi ka shumë momente dhe është një maratonë e gjatë, çdo njeri që është i përfshirë në dokumentar ka një “tullë” në arritjet e mia dhe të kombëtares.

Nuk e kisha menduar që do të kisha një dokumentar për karrierën time, por dalëngadalë duke punuar me kokën poshtë dhe i përulur gjithnjë në momentet kulmore, kam vazhduar para për të bërë edhe më të mirë. Ky është sekreti, prandaj kam pasur jetëgjatësi, kam dashur të mësoj gjithnjë e më shumë. Mesazhi? Duhet të punohet fort dhe çdo ndeshje duhet të jetë si finale, sepse futbolli përfundon shumë shpejt”, u shpreh Agolli.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco