Kombëtarja U-15/ Damo analizon grumbullimin: I kënaqur me përkushtimin, formojmë gradualisht ekipin bazë

Kombëtarja U-15/ Damo analizon grumbullimin: I kënaqur me përkushtimin, formojmë gradualisht ekipin bazë

21:14, 17/02/2023

Kombëtarja U-15 ka mbyllur grumbullimin 3-ditor me 24 lojtarë të vitlindjes 2009 dhe ku u testuan të rinjtë e përzgjedhur si më premtues nga kjo grup-moshë, të cilët aktivizohen në kampionatin shqiptar.

Përveç seancave stërvitore të zhvilluara në ambientet e kompleksit Tropikal në Durrës, të mërkurën stafi teknik organizoi edhe një miqësore ndaj ekipit Internacional Tirana U-16.

Ndeshje që përfundoi me fitoren e ekipit kryeqytetas, por që i dha mundësi trajnerit Armand Damo të provonte të gjithë futbollistët e ftuar dhe të vëzhgonte nga afër elementët e përzgjedhur në këtë grumbullim të rëndësishëm për formimin e ekipit bazë.

Për trajnerin Armand Damo grumbullimi ka qenë mjaft i vlefshëm dhe ka arritur qëllimet e veta, teksa për tre ditë me radhë ka stërvitur lojtarët më të mirë kësaj moshe, duke shpjeguar edhe rëndësinë që ka ndjekja e vazhdueshme e formimit të këtyre futbollistëve të vegjël.

“Sigurisht jam i kënaqur nga ecuria e grumbullimit dhe impenjimi e përkushtimi i treguar nga djemtë e ftuar. Dëshira e tyre për të bërë mirë e për të qenë pjesë e ekipeve Kombëtare është shumë e madhe dhe e këtë e kanë treguar në çdo seancë stërvitore, duke punuar shumë mirë. Kemi parasysh që janë djem shumë të rinj dhe duhet punuar me shumë kujdes pasi në këtë moshë nis e merr formën përfundimtare një futbollist.

Janë lojtarë që kanë cilësi të mira dhe duhet punuar në vazhdimësi me ta sidomos në aspektin taktik. Ne do t’i monitorojmë gjatë gjithë kohës qoftë nëpërmjet seleksionimeve, ndeshjeve miqësore, qoftë duke i ndjekur nëpër klubet me punën e përditshme”, tha Damo për Fshf.org, ndërsa theksoi se puna do të jetë intensive për të përgatitur sa më mirë Kombëtaren U-15 për miqësoret e radhës dhe për turneun UEFA Development për këtë grup-moshë që do të zhvillohet shtatorin e ardhshëm.

“Këto janë lojtarët kryesorë që ne i kemi parë e vëzhguar nëpër seleksionimet e zhvilluara rregullisht në zonat rajonale ashtu si edhe gjatë turneut të përfaqësueseve rajonale të FSHF në janar, por në vazhdimësi do t’u japim mundësinë të testohen edhe lojtarëve të tjerë të kësaj grup-moshe.

Ne kemi një program pune dhe kemi caktuar disa angazhime edhe në muaj në vazhdim me ndeshje miqësore dhe grumbullime të tjera. Gjithashtu sa herë që të na jepet mundësia do të ftojmë në seleksionime edhe lojtarët që aktivizohen jashtë në mënyrë që deri në shtator të kemi formuar bazën e ekipit që do të marrë pjesë në turneun UEFA Development.

Jam optimist duke parë vlerat e lojtarëve të kësaj grup-moshe, besoj se do të arrijmë të krijojmë një ekip mjaft kompetitiv dhe çfarë është më e rëndësishme të formojmë e prodhojmë lojtarë të talentuar për ekipet e tjera Kombëtare të moshave”, – tha Damo.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco