Në depresion e borxhe, kampioni britanik tenton të vetëvritet

Në depresion e borxhe, kampioni britanik tenton të vetëvritet

17:35, 23/07/2022

Të jesh i famshëm dhe i suksesshëm nuk do të thotë se ke imunitet nga problemet shëndetësore. Medalisti botëror Matthew Hudson-Smith, ashtu si të gjithë njerëzit e thjeshtë, i është dashur të përballet me dilema të mëdha për shkak të problemeve psikologjike dhe siç rrëfen edhe vetë britaniku, gjatë vitit të fundit ka luftuar shumë për të rifituar jetën e tij normale.

Pjesërisht problemet psikologjike, dëmtimi, borxhet dhe izolimi gjatë pandemisë, e kanë penguar kampionin britanik të 400 metrave të japë maksimumin e tij edhe pse në Kampionatin Botëror të Eurege ai u rikthye në maksimum duke fituar medaljen e bronzit me kohën 44.66.

“Jam përballur me probleme të mëdha mentale gjatë vitit 2021. Shumë pak njerëz janë në dijeni të problemeve të mija, por kam tentuar madje edhe vetëvrasjen. Garoja duke e ditur që isha i dëmtuar ose nuk isha në 100 % të formës time. Imagjinoni të vendoseni në rreshtin e nisjes duke e ditur që jeni të dëmtuar. Ke një peshë të madhe duke ditur pritshmëtitë që kanë ndaj teje”, rrëfen 27-vjeçari.

Hudson-Smith shton se për shkak të gjendjes jo shumë të mirë psikologjike, humbi shumë sponsorë madje u zhyt në borxhe, ndërsa dëmtimet dhe bllokimi në SHBA për shkak të pandemisë e penguan të merrte pjesë në Olimpiadën Tokio 2020.

“Gjithsesi, tashmë ka kaluar ajo situatë dhe kam paguar borxhet e kam nënshkruar një kontratë me Puma-n madje fitova edhe këtë medalje në botëror. Sinqerisht...shumë njerëz do të ishin thyer”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco