COVID-19 mban pezull skenat hollivudiane në Shqipëri

COVID-19 mban pezull skenat hollivudiane në Shqipëri

07:27, 25/10/2020
A+ Aa A-

Nisma “tax credit” ose “shelter”, e propozuar dy vjet më parë nga Qendra Kombëtare Kinematografike, e cila do të mundësonte xhirimin e filmave hollivudianë në Shqipëri, ende nuk po gjen zbatim, ndërsa pritet që para kalimit të saj në qeveri të kryhen konsultime me grupet e interesit.

“Ne kemi propozuar që nisma ‘tax shelter’ të përfshihet në ligjin ‘Për kinematografinë shqiptare’, i miratuar në 1996, për të cilët janë propozuar disa ndryshime. Ky igj është amenduar ndër vite, por risitë e propozuara synojnë ta bëjnë sa më aktraktiv. Diskutimet për ndryshimet e ligjit janë në rrugën e duhur me Ministrinë e Kulturës, ndërsa pritet të kryhen edhe me grupet e interesit. Nisma synon kthimin mbrapsht deri në 30% të taksës së paguar nga kompania e huaj që do të xhirojë një film në vend.

Është propozuar ky nivel me qëllim që nisma të jetë sa më shumë tërheqëse, krahasuar me vendet e tjera ku niveli i ‘tax shelter’ është deri 35%. Lehtësia fiskale e propozuar është mjaft e leverdishme edhe për ekonominë e vendit, pasi jo vetëm që do të rriste qarkullimin e kapitalit të huaj, por edhe punësimin për industrinë e kinematografisë”, shpjegon Arben Lami, drejtor i projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK).

Rritja e punësimit dhe promovimi i kinematografisë shqiptare do të jenë përfitimet kryesore, sipas regjisorit Florenc Papas, nëse edhe në vend do të zbatohet “tax shelter”. “Një vend si Shqipëria, me një peizazh kaq interesant dhe të pazbuluar, me një klimë të përsosur për xhirime, do të kthehej në një atraksion të ri kinematografik. Duhet theksuar që interesi i produksioneve të huaja do të jetë edhe më i lartë dhe konkurrues, për shkak të çmimeve dhe pagave që ofron Shqipëria. Kjo nismë do të rriste edhe qarkullimin e parasë së huaj në Shqipëri si dhe do të nxiste punësim edhe të aktorëve shqiptarë.”

Shqipëria është vendi i vetëm në rajon, ku prej vitesh flitet për “tax incetives” për t’i dhënë një ndihmë kinemasë, dhe këto nisma variojnë nga “tax credit” tek “tax rebates” dhe “tax shelter”. “Modelet janë të shumta dhe të dobishme, jo vetëm për industrinë e filmit, por edhe për ekonominë, pasi çdo nismë konkurruese me fqinjët që të vendoset për “tax incentiv” do të nxiste së tepërmi investimet e huaja në industrinë kombëtare të kinemasë.

Këto nisma do të rrisnin hyrjen e kapitalit të huaj, punësimin dhe edukimin. Indirekt efekti, po aq i madh do të ishte edhe për promovimin e turizmit në Shqipëri. Të gjitha vendet fqinje kanë avancuar në një formë apo një tjetër për zbatimin e këtyre lehtësive.

Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të regjisorëve, producentëve dhe drejtuesve të institucioneve të filmit në vend, Shqipëria ka mbetur e fundit në rajon që nuk po zbaton këto nisma. Në Shqipëri janë gjetur shumë mënyra, për të lehtësuar nga taksat bizneset e kazinove dhe hoteleve me 5 yje, ndërsa mungon mbështetja për t’i dhënë dritën e gjelbër një sistemi të tillë të testuar nga vendet europiane dhe më gjerë” – shprehet producenti Andamion Murataj.

Si po e menaxhon Hollywood pandeminë?

Tom Cruise priste të kalonte verën në Itali, duke u varur në krahët e avionëve, apo duke shmangur plumbat gjatë ndjekjes së makinave. Për shkak të COVID-19, planet për xhirimet e pjesës së fundit të filmit më të njohur në botë me spiunazh “Mission Impossible 7”, u shtynë pa afat. Më 7 tetor, aktori rinisi në Romë xhirimet e filmit nën drejtimin e regjisorit Christopher McQuarrie. Filmi “Mission Impossible 7” do të xhirohet në pjesë të ndryshme të qendrës historike të Romës, duke përfshirë Via della Tribuna Campitelli, Via Corrado Ricci dhe Forumet Perandorake.

Ditët e para të xhirimit do të jenë në Rione Sant’Angelo, rreth kështjellës Sant’Angelo dhe lagjes së modës “Monti”. Filmi është planifikuar të dalë në treg më 19 nëntor 2021, nga studio Paramount Pictures. Përfaqësues të këshillit drejtues të Bashkisë së Romës u shprehën se kërkesat për xhirime të filmave në qendrën historike të kryeqytetit italian janë rritur krahasuar me 2019.

“Prodhimet kryesore ndërkombëtare ende po vazhdojnë të zgjedhin Romën për xhirime. Pas bllokimit ka pasur një rifillim intensiv. Në periudhën qershor-gusht janë paraqitur 596 kërkesa në zyrën e kinemasë, nga 583 në të njëjtën periudhë të 2019-s. Ky është një angazhim shumë i madh, si nga ana organizative dhe ekonomike, pasi kërkon zbatimin me rigorozitet të masave për të parandaluar përhapjen e virusit, që nga kryerja e testimeve çdo ditë për të gjithë ekipin xhirues dhe dezinfektimin e ambienteve dhe pajisjeve që përdoren”.

Producenti Lucas Foster, nga Los Angelos, në muajin mars ndodhej në Australi për xhirimin e filmit “Fëmijët e misrit” i përshtatur nga e njëjta histori e suksesshme e shkruar nga Stephen King në vitin 1984. Pavarësisht pandemisë, producenti Lucas Foster vendosi të mos pezullojë projektin. Pasi u këshillua rregullisht me mjekët, bleu sasi të mëdha të testeve dhe arriti të realizonte me vështirësi të mëdha skenat me pjesëmarrje masive në fushat e misrit.

“M’u desh të gjeja teknikat për të realizuar një skenë me turmë, por realisht kishte disa njerëz dhe për këtë përdora kënde shumë specifike të kamerës. Kjo skenë duhet t’i paraqiste aktorët shumë afër me njëri-tjetrit, por që në të vërtetë gjatë xhirimeve nuk ishin afër. Në fund arrita të realizoja skenën që më duhej, por ajo dukej ndryshe nga sa do të ishte realizuar përpara pandemisë. (Turmat e krijuara nga kompjuteri shprehet ai dhe prodhuesit e tjerë, punojnë vetëm për shkrepje më të largëta; çdo gjë që kërkon pamje nga afër ka nevojë për objektivin e vërtetë.)

Duke qenë se shumë prej aktorëve ishin fëmijë, të cilët mendohet se janë më pak të ndjeshëm ndaj efekteve të virusit dhe pjesa më e madhe e filmit u xhirua në fusha misri dhe hapësira të hapura, ishin elemente luksi për realizimin, një gjë që jo të gjithë filmat e kishin për t’u realizuar në pandemi”, u shpreh producenti Foster për “Washington Post”.

Ndërkohë, zhanri i filmit horror është shumë i përshtatshëm për t’u xhiruar gjatë pandemisë sipas regjisorit Nathan Crooker. Në muajt e karantinës, Crooker mblodhi 9 prodhues të njohur të filmave horror dhe u kërkoi atyre të xhironin nga një film të shkurtër lidhur me temën më të madhe të virusit dhe nismën e titulloi “izolim”.

Ai u kërkoi kineastëve të përdorin vetëm jetën e njerëzve që ishin të izoluar, duke ndaluar përdorimin e zoom-it dhe teknologjive të tjera. “Mendoj se efekti që përcollëm ishte shumë i ftohtë, pasi pasqyroi atë që njerëzit kaluan në të vërtetë. Nuk e di nëse çdo film që po bëhet do të ishte mirë të dukej kështu”, u shpreh regjisori Crooker për punën e tij.

Në Hollywood për shkak të COVID-19 shumë filma ndërprenë xhirimit. Kjo ndodhi me disa nga filmat më të dashur të dy dekadave të fundit, si: “Dasma ime e madhe greke” deri te “Whiplash”, “Miss Sunshine” etj., që ishin me vetëfinancim.

Aktualisht filmat e xhiruar nga Hollywood prej muajsh po shfaqen online, për shkak të mbylljes të kinemave. Shumë studio filmash janë detyruar të rrisin investimet për shërbime online, ose po i kalojnë në pronësi të tyre, për të ulur kostot financiare. Kjo ka sjellë që studiot t’u japin përparësi investimeve për publikimin e filmit në rrugë dixhitale dhe të jenë më pak të interesuara për shfaqjen e filmit në kinema. (Disa salla kinemaje në SHBA po qëndrojnë ende të mbyllura, kurse në disa të tjera, frekuentimi është me numër të kufizuar).

Sipas analistit Matthew Ball, 6 studiot më të mëdha të filmave, si: ??Warner Bros, Walt Disney, 20th Century Fox, Paramount, Sony dhe Universal në 15 vitet e fundit kanë shfaqur 20-25 filma të mëdhenj në vit. Në vitin 2019 mundësuan prodhimin e 9 filmave.

Shumë platforma të tjera të shfaqjes së filmit online po financojnë buxhete të konsiderueshme dhe po harxhojnë shumë energji për këtë proces. Netflix, Amazon dhe të tjerë po shfaqin filma që nuk janë prodhuar nga 6 studiot e mëdha, duke i lëshuar ato direkt te konsumatorët. Ulja e shfaqjes së filmave në kinema, ndryshe nga fluksi i lartë i filmave që shfaqen online, pritet të uli cilësinë për filmin që pranohet të shfaqet, edhe pse disa prej tyre janë me cilësi të dobët për kinemanë.

“Nëse filmat e prodhuar shkojnë direkt për transmetim në platformën dixhitale, kjo cenon të drejtën televizive, që konsiderohet një burim fitimprurës për prodhuesit. Përveç kësaj, yjet e Hollywood më shumë dëshirojnë që filmat e tyre të shfaqen në ekranin e madh të kinemave”, argumenton Siddharth Jaini, i grupit indian INOX, ndër më të mëdhenjtë të prodhimit të filmit./MONITOR

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco