Hapet Panairi i Librit Shkencor dhe Akademik

Hapet Panairi i Librit Shkencor dhe Akademik

18:23, 23/04/2024
A+ Aa A-

Panairi i Librit Shkencor dhe Akademikë ka hapur siparin sot për të tretin vit radhazi në hapësirat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Panairi i 3-të mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor zhvillohet këtë vit në Tiranë, në datat 23-25 prill, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Panairi synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare dhe promovimin e figurës dhe personalitetit të shkencëtarit e studiuesit shqiptar në hapësirën mbarëkombëtare.

Në ceremoninë e hapjes përshëndetën kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë z. Skënder Gjinushi, Kreu i Akademisë së Shkencave të Kosovës Mehmet Kraja dhe Drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli.

“Panairi synon një ridimensionim të rolit të shkencës në një shoqëri të hapur, një prani përfaqësuese sa më të gjerë, duke bërë bashkë autorët, botimet, institucionet e kërkimit dhe IAL-të, që në fokus të punës së tyre kanë librin akademik e shkencor”, tha Alda Bardhyli.

Si një aktivitet me karakter promovues, konfirmues dhe manifestues, Panairi i 3-të i librit akademik dhe shkencor, Tiranë 2024, do të mundësojë pranëvendosjen në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga e gjithë hapësira shqiptare, duke synuar lidhjen në një rrjet të botuesve të librit shkencor, në universitete e institute, për të lehtësuar jo vetëm marrjen e informacionit, por edhe mundësinë e shkëmbimeve shkencore, në liri të plotë komunikimi e ndërveprimi.

Tri ditët e panairit, përpos ekspozimit të librit në stenda të dedikuara, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së botimeve më të reja të institucioneve të lidhura drejtpërdrejt me kërkimin shkencor, të kërkuesve; studiuesve, trupave pedagogjikë, botuesve, panairi do të shërbejë si një hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco