VIDEO/ 1 maji nuk mundet të jetë si Viti i ri, por duhet të protestohet

22:19, 03/05/2024
A+ Aa A-

Sapo kaluam 1 majin, një ditë që në Shqipërinë e 70 viteve të fundit nuk është festuar kurrë me protesta të mëdha e të kujtueshme, pasi ishte kthyer në një ditë të ngjashme me atë të hashures, së hisllave...etj.

1 Majin, në një vend si Shqipëria, do ta barazoja me 1 Prillin. Madje nuk ka gënjeshtër më të madhe se 1 Maji, sepse sindikatat i ke të blera, të shitura, ose nuk i ke fare;  kur kontratat kolektive janë mollë e ndaluar dhe arsye për të të hequr nga puna nëse i kërkon, kur nuk ke asnjë mbrojtje reale ligjore për ata që punojnë, fjalia ‘Gëzuar 1 Majin’ është qesharake, dhe cinike.

Pa folur për sistemin e taksimit të punës, qoftë ajo punë krahu, punë zyre apo punë artistike. Ai që punon taksohet deri në pikën e fundit të gjakut; ai që përfiton nga puna e atyre që u pihet gjaku nuk taksohet, sepse quhet shumë i madh për të falimentuar.

1 Maji këtë vit na prezantoi 2 lloje ShqipërisH: Shqipërinë e kafeneve që jemi mësuar ta shohim përditë dhe Shqipërinë e protestave që e shohim kaq rrallë.

Në kohën moderne, protestat janë cilësi e shtresës së mesme-asaj, që është mushkëria e çdo shoqërie të zhvilluar dhe që ka shumë për të humbur.

Në Shqipëri ligji për tatimin paraprak te profesioneve të lira godet pikërisht shtresën e mesme e cila sa më shumë të goditet aq më tepër do të krijojë hapësirën për ilegalitet, para të pistë, evazion fiskal dhe një shtet ku do të ketë pak super të pasur dhe një masë dërrmuese të varfërish. E prape, shtresa e mesme kufizohet të shprehë indinjatën e saj vetëm në komente online.

Protestat online, sado ndezin disa shkëndija me meme, postime komike ose jo, fiken shpejt nga breshëri i propagandës së komunizmit digjital në të cilin jetojmë... Ndërkohë në Belsh, qytetarët u ngritën në protesta jo për një parti politike, por, për tregun, për vendin e vet të punës. Protesta e Belshit, ajo e atyre të Patos-Marinzës që erdhën në këmbë deri në Tiranë, e studentëve të universiteteve,  e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve, apo e studentëve të mjekësisë, është shembulli më i qartë se si duhen mbrojtur të drejtat. Sesi duhen bërë protestat!

Nga studentët e universiteteve amerikane e deri në Tbilisi të Gjeorgjisë, ku po protestohet masivisht kundrejt një ligji që kufizon lirinë e medias e të opozitës, protesta është shpesh e vetmja mënyrë që zëri yt të dëgjohet. Dhe ndoshta, e vetmja nga e cila super-të-pushtetshmit kanë frikë. Në Shqipëri, përveç ndonjë rasti të izoluar si i Belshit, pushteti nuk pse të ketë ka frikë.

Nuk ka ndonjë gjë të keqe të shplodhesh në një ditë pushimi. Por, 1 maji nuk mundet e nuk duhet të jetë si Viti i Ri. Shqipëria ka nevojë për tu shëruar, dhe shërimi vjen me veprime të vërteta, jo me heshtje të gënjeshtërta.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco