Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

‘Të shkojmë në shkollë’, BE-PNUD  mbështesin edukimin part/time për romët dhe egjiptianët

‘Të shkojmë në shkollë’, BE-PNUD mbështesin edukimin part/time për romët dhe egjiptianët

17:49, 22/10/2018
A+ Aa A-

 Shkolla 9-vjeçare ‘Dëshmorët e Prishtinës’ në Shkodër ka hapur dyert këtë vit të ri shkollor, për  të rinjtë e komunitetit rom e egjiptianë që nuk kanë kryer arsimin bazë të detyrueshëm.

Bako, 21 vjeç,  është një prej nxënëseve të klasës ku zhvillohet programi i edukimit part/time për të rinjtë e komunitetit rom e egjiptian, që po zbatohet nga PNUD .

Ajo ndjek klasën e 9-të dhe pas mbarimit të shkollës, dëshiron të fillojë një kurs për kuzhinë pasi pasioni i saj është gatimi.

‘Shkollën e kam braktisur kur isha 10 vjeç.

 Prindërit e mi nuk kanë bërë asnjë klasë  ndaj dhe ne fëmijëve nuk na lanë të vazhdonim shkollën’, thotë vajza me droje dhe pak e tërhequr.

Në shkollën 9-vjeçare ‘Dëshmorët e Prishtinës’, ka dhe plot të rinj e të reja të moshave 16-35-vjeç që kanë rifilluar shkollën aty ku e lanë vite më parë, jo vetëm nga komuniteti rom  e egjiptian.

Valentina 31 vjeç është një prej tyre dhe ndjek mësimet e klasës së 8-të.

Ajo është nga Puka, nënë e dy fëmijëve, e porsakthyer nga një periudhë e gjatë emigrimi në Greqi.

Valentina thotë se në Greqi nuk frekuentoi asnjë vit shkollën ndaj me rikthimin e saj në Shkodër ku ka krijuar familjen e saj, nisi të mësojë shkrim e këndim.

‘Kam pasur ëndrrat e mia si të gjithë vajzat e moshës sime, por emigrimi mi shoi.

Tani dua të rifitoj kohë, të mbyll studimet dhe më pas të ndjek kursin e parukerisë sepse dua të hap biznesin tim’.

Edhe Xhulio 19 vjeç, duket se ka fituar mbi paragjykimet e shoqërisë së tij.

Në klasë ka njohur plot miq e shokë, ndaj vjen çdo ditë dhe nuk braktis asnjë orë mësimi.

‘E lashë shkollën kur isha shumë i vogël, mblidhja kanaçe me prindërit.

Sot kam vendosur ta përfundoj shkollën, sepse s’dua të më quajnë analfabet’, thotë i riu egjiptian.

Projekti i edukimit me kohë të pjesshme për të rritur romë dhe egjiptianë bazohet në një urdhër të ngritur nga Ministria e Arsimit më 9 maj të këtij viti dhe  është i shtrirë në  Berat, Shkodër e Durrës.

Image

Ky projekt zbatohet nga organizata ‘Qendra për të Drejtat e Grave të Romëve (RËRC) mbështetur nga projekti ‘Fuqizim Ekonomik dhe Social për Romët dhe Egjiptianët- shtysë për përfshirjen sociale’, financuar nga Bashkimi Evropian.

Për vitin akademik 2018-2019, në Shkodër, 28 të rritur (16 egjiptianë, 5 romë) po ndjekin programin në shkollën ‘Dëshmorët e Prishtinës’.

Rreth 83 të rinj romë dhe egjiptianë në Durrës, Berat e Shkodër janë regjistruar gjatë vitit 2016-2018  dhe ndjekin rregullisht klasat përmes këtij modeli arsimor.

Programe edukimi të pjesshme ofrohen  dhe në Qendrën Komunitare Multifunksionale të Shkozës e cila menaxhohet nga bashkia e Tiranës.

Krahas programit të punësimit në fushën e riciklimit, rreth 50 anëtarë të familjeve rome që jetojnë në zonën e Lanabregasit, mësojnë të shkruajnë e të lexojnë në qendrën komunitare të Shkozës.

Kjo qendër  ofron një model inovativ të shërbimeve të integruara me bazë në komunitet i cili është pilotuar në 4 rajonet që mbulohen nga projekti FESRE, Tiranë, Durrës, Berat, dhe Shkodër.

Me financimin e Bashkimit Evropian, disa ditë më parë, më 18 Tetor, u përurua  në Shkodër dhe  Qendra e re Komunitare Multifunksionale.

Qendra Komunitare Multifunksionale u identifikua si prioritet nga anëtarët e minoritetit dhe synon të mbështesë grupet në nevojë që jetojnë në Shkodër, përfshirë anëtarët e minoritetit Rom dhe Egjiptian për të pasur akses në një gamë të gjerë të shërbimeve sociale të integruara me bazë në komunitet si: këshillim psikologjik, ndihmë mjekësore, këshillim ligjor, ndërmjetësim punësimi.

Shërbimet do të ofrohen nga një personel i përkushtuar i mbështetur nga Bashkia Shkodër.

Rreth 500 romë dhe 1100 egjiptianë që jetojnë në Bashkinë e Shkodrës përballen me një sërë sfidash lidhur me strehimin, aksesin në shërbime sociale dhe arsimin.

Përmes projektit ‘Fuqizim Ekonomik dhe Social për Romët dhe Egjiptianët - shtysë për përfshirjen sociale’ (FESRE) i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga PNUD në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, po ofrohet  një model i ri për menaxhimin e rasteve dhe adresimin e  sfidave të shumta me të cilat përballen minoritetet Rome dhe Egjiptiane me qëllim integrimin e tyre të mëtejshëm në shoqëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco