Nga Franci Nuri
Projekti Smart City po paraqitet si zgjidhja e madhe për sigurinë në shkolla dhe në qytete. Por siguria nuk garantohet duke mbushur vendin me kamera, ndërkohë që krimi, droga dhe dhuna vazhdojnë të jenë të pranishme pranë shkollave dhe në rrugët e Shqipërisë.
Teknologjia mund të ndihmojë, por kurrë nuk zëvendëson mësuesit, psikologët, punonjësit e sigurisë, policinë dhe institucionet që duhet të reagojnë në kohë për të parandaluar.
Rasti tragjik i Martin Canit është prova më e dhimbshme. Pas gjithë propagandës, asgjë reale nuk ka ndryshuar. Familja e tij ende kërkon përgjigje, drejtësi dhe përgjegjësi institucionale. Ndërkohë, emri i Martinit vazhdon të përdoret nga Qeveria për të justifikuar masa fasadë, pas të cilave nuk dihet çfarë fshihet.
Një kamer mund ta regjistrojë dhunën apo aktet kriminale (nëse funksionon dhe të dhënat nuk fshihen), por kamera dhe teknologjia nuk e parandalon atë, aq më pak kur institucionet nuk funksionojnë si duhet.
Edhe qëndrimet e Kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, janë shqetësuese. Rama e paraqet Smart City si një garanci që duhet t’i qetësojë prindërit, ndërsa Lamallari flet për një epokë të re në luftën kundër krimit, duke iu referuar statistikave për uljen e vrasjeve. Por familjeve që kanë humbur fëmijët dhe qytetarëve që përballen çdo ditë me dhunën, vjedhjet, drogën dhe pasigurinë, nuk mund t’u përgjigjesh vetëm me statistika të përzgjedhura dhe teknologjinë sipas standardeve të vendeve autoritare dhe jo/demokratike.
Kufizimi ekstrem i jetës private, të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nuk mund të justifikohen me nevoja sigurie, e më pas të përligjin mbikqyrje, regjistrim, filmim, regjistrim dhe përgjim masiv të popullatës, aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijë.
Ulja e një treguesi nuk e zhduk kriminalitetin dhe as nuk justifikon ngritjen e një sistemi të gjerë mbikëqyrjeje, për më tepër nga ata që patronazhimin e kanë ngritur manualisht, e tani e tutje rrezikojnë t’a kthejnë edhe me programe të sofistikuara teknologjike. Para se të kërkojë t’i shohë të gjithë qytetarët përmes kamerave, qeveria duhet të japë llogari për institucionet që nuk panë, nuk reaguan dhe nuk e mbrojtën Martinin.
Sepse statistikat nuk janë ngushëllim për familjet dhe kamerat nuk janë alibi për dështimin e shtetit.
Përtej propagandës, projekti Smart City ngre shqetësime serioze për privatësinë dhe të drejtat dhe liritë bazë të qytetarëve :
-Kush do t’i administrojë të dhënat?
-Sa kohë do të ruhen?
-A do të përdoret njohja e fytyrës dhe përpunimi i të dhënave biometrike?
-Kush na garanton se sistemi nuk do të (keq)përdoret për survejim politik, profilizim, patronazhim digjital apo përgjim masiv?
Për këtë arsye do të kërkojmë:
– Zbardhjen e plotë të kontratës së projektit “Smart City”, si për shkollat, ashtu edhe për qytetet;
– Publikimin e kostove, kompanive zbatuese, specifikimeve teknike dhe mënyrës së funksionimit të sistemit;
– Vënien në dispozicion të termave dhe kushteve që lidhen me mbledhjen, përpunimin, ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave personale;
– Sqarimin nëse sistemi përdor njohjen e fytyrës, të dhëna biometrike, profilizim apo gjurmim të lëvizjeve;
– Kryerjen e një vlerësimi të pavarur mbi ndikimin e projektit në jetën private dhe në të drejtat e liritë themelore;
– Hetim dhe kontroll të plotë institucional mbi procedurat e ndjekura, kontraktimin dhe ligjshmërinë e projektit dhe zbatimit të tij;
– Transparencë të plotë mbi garancitë e posaçme për mbrojtjen e fëmijëve dhe ndalimin e çdo përdorimi apo keqpërdorimi të të dhënave jashtë qëllimit zyrtar të deklaruar, atë të sigurisë.
Në cilësinë e Sekretarit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, garantoj se do të ndërmarrim çdo nismë zyrtare për të ulur rrezikun e cenimit të jetës private të shqiptarëve, për të pamundësuar patronazhimin digjital të tyre dhe për të ndaluar çdo formë përgjimi apo mbikëqyrjeje masive që cënon të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve.
Shqipëria nuk ka nevojë për një shtet që sheh gjithçka, dëgjon gjithçka, përgjon dhe survejon këdo, por nuk mban përgjegjësi për asgjë.
Viktimat meritojnë drejtësi, jo propagandë. Fëmijët e Shqipërisë meritojnë mbrojtje reale, jo thjesht kamera shtesë.
*Sekretar për të Drejtat e Njeriut, Partia Demokratike e Shqipërisë
© SYRI.net