VIDEO/ Spahiu: Shqipëria duhej ta shpallte ‘non grata’ ministren serbe, qeveria Rama reagoi shumë butë

17:04, 18/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Profesori dhe analisti politik Nexhmedin Spahiu, i ftuar në emisionin ‘Edicioni i Pasdites’ në SYRI TV me moderator Arnold Karriqin, ka komentuar reagimin e Kosovës dhe Shqipërisë ndaj deklaratave të ministres Serbe Snezana Paunoviç, se po të ishte në vendin e Millosheviçit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Spahiu ka kritikuar qëndrimin e qeverisë shqiptare, ndërsa u shpreh se Kosova ka bërë maksimumin në reagimin e saj, edhe pse sipas tij me një vonesë të vogël, ndërsa Shqipëria nuk ka mbajtur të njëjtin qëndrim të fortë.

Sipas tij, qëndrimi i Tiranës ndikon drejtpërdrejt edhe në reagimin e Bashkimit Europian dhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë. Analisti politik theksoi se deklaratat e tilla nuk prekin vetëm Kosovën, por mbi të gjitha shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, në Bujanoc dhe Preshevë.

Ai argumentoi se Shqipëria duhej të kishte ndërmarrë masa më të forta, përfshirë shpalljen ‘non grata’ të ministres serbe dhe ndalimin e hyrjes së saj në territorin shqiptar.

Spahiu shtoi se një qëndrim i tillë dëmton edhe imazhin e qeverisë shqiptare në Kosovë, duke e lidhur këtë me episode të mëparshme që sipas tij kanë krijuar pakënaqësi.

‘Kosova nuk mund të bënte, nuk mund të bënte më shumë se kaq. Domethënë bëri maksimumin edhe pse me pak vonesë, por megjithatë bëri atë gjënë e duhur. Por mendoj që e njëjta gjë nuk vlen edhe për qeverinë shqiptare, e cila kaloi me një reagim tepër të butë, dhe qëndrimi i qeverisë shqiptare kushtëzon pastaj edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian dhe të faktorëve të tjerë, sepse është një fjalë popullore nuk mund të bëhesh më katolik se Papa.

Nuk mund të kishte një reagim më të ashpër të Bashkimit Evropian se sa reagimi i qeverisë shqiptare kur këtu direkt cënohen interesat shqiptare, përkatësisht cënohet minoriteti shqiptar në Serbi.

Nga një deklaratë e tillë, para se të cenohet Kosova, cenohen shqiptarët në Luginën e Preshevës, në Bujanoc dhe Preshevë. Dhe kjo nga një ministre aktuale që ka të bëjë pikërisht me çështjet e të drejtave të tilla.

Prandaj qeveria e Shqipërisë do të duhej, do të duhej ta shpallte atë 'non grata' njësoj dhe t'i ndalonte hyrjen në territorin e Shqipërisë në mënyrë që këtë ta bënte edhe Bashkimi Evropian.

Shiko, takimet bilaterale, pozimet e të tjerë janë një tjetër gjë. Domethënë, duhet të vazhdojnë... edhe Irani e Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në luftë të hapur dhe ata takohen edhe negociojnë.

Por, të mos reagosh ndaj, ose të kesh një reagim të vakët ndaj një deklarate të tillë agresive është një tjetër gjë. Shqipëria, minimumi që është dashtur ta bëjë, pavarësisht relacioneve që ka qeveria shqiptare me qeverinë serbe, do të ishte shpallja 'non grata' e ministres në fjalë. Kjo nuk do të thoshte ndonjë... domethënë nuk prish ndonjë gjë, pavarësisht këtyre relatave të cilat ekzistojnë mes këtyre dy qeverive.

Po, është thjesht një qëndrim dinjiteti, nuk nëpërkëmbet këtu, domethënë të drejtpërdrejtë rrezikohen shqiptarët që jetojnë në Serbi. Cënohet dinjiteti i Kosovës, por cënohet edhe dinjiteti i Shqipërisë. Domethënë me vetë faktin që cënohet jeta publike, politike e shqiptarëve që jetojnë në shtetin serb.

Dëmton edhe imazhin e qeverisë shqiptare në Kosovë, sigurisht, i cili tashmë është treguar në shumë raste të tjera.

Edhe në rastin e propozimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga kryeministri Rama, që ishte një propozim i cili shkonte shumë përtej... propozonte një autonomi më të madhe për serbët sesa që ishte vetë propozimi i Bashkimit Evropian si palë ndërmjetësuese.

E pastaj ndërmarrja e masave, prishja e mbledhjes së dy qeverive, ku ishte shteti i parë i cili mori sanksione ndaj shtetit të Kosovës. Kështu që kjo nuk është hera e parë që ndodh, por tregon një vazhdimësi të një qëndrimi do të thosha minimumi jovëllazëror’, u shpreh ndër të tjera Nexhmedin Spahiu në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco