Anëtarja e Kryesisë së PD-së, Ilda Zhulali, ka reaguar pas publikimit të raportit të Komisionit Europian për sundimin e ligjit dhe drejtësinë në Shqipëri, duke ngritur akuza të forta ndaj qeverisjes së “Rilindjes” dhe mënyrës se si janë zbatuar reformat në vend.
Sipas Zhulalit, raporti i BE-së për vitin 2026 tregon pasojat e 14 viteve qeverisje të pandërprerë, duke pretenduar se reformat e ndërmarra nuk kanë sjellë forcimin e shtetit të së drejtës, por dobësimin e institucioneve dhe mungesë të rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Në reagimin e saj, ajo ndalet te procesi i vettingut, sistemi i drejtësisë, funksionimi i Policisë së Shtetit, transparenca e fondeve publike dhe çështjet e korrupsionit në administratë, duke i konsideruar këto si tregues të një situate problematike në vend.

Postimi:
Raporti i BE 2026 për sundimin e ligjit në Shqipëri tregon me ashpërsinë e fakteve se çfarë kanë prodhuar reformat e Rlindjes 1.0.
Kush e lexon, kupton se pas 14 vitesh pushtet të pandërprerë, ‘Rilindja’ jo vetëm nuk solli shtetin e së drejtës, por vetë rrënimin e tij në formën më teatrale të mundshme.9 vjet veting, 456 shkarkime, por ende ‘ndjekja gjyqësore efektive për raste me elementë penalë mbetet e kufizuar.’ Vetingu ishte spektakli më i shtrenjtë politik i historisë shqiptare, që po konkludon me faktin se askush nga rrethi i pushtetit Rilindas nuk do të prekej realisht.
Konfiskimi i aseteve tregon të vërtetën siç është. Statistikat me arrestime të të gjitha niveleve për korrupsion kanë çuar në 1.1 milion euro të sekuestruara dhe vetëm 100,000 euro të konfiskuara! Pra sistemi kapi ca emra, por jo paratë. Sikurse Edi Rama porositi publikisht Erion Veliajn, se durimi i tij duhet të ishte ‘strategjik’, sepse humbja me sa duket do të ishte ‘simbolike’ vetëm me një turpërim publik.Policia e Shtetit me mbi 5.500 ankesa në një vit, 444 referime penale, vetëm 114 masa disiplinore, ndërsa vetë stafi i Agjencisë Mbikëqyrëse rezulton i lidhur me krim të organizuar, siç zbuloi dhe vrasja spektakolare në Rinas. Pra kemi një polici që nuk është më as e shtetit as e qytetarit, por e pushtetit të bërë njësh me krimin.
Për herë të parë vihet alarmi se integriteti i biznesit ‘kërkon vëmendje të veçantë’, sigurisht për shkak të penetrimit masiv të parave të krimit në ekonominë shqiptare. Po ashtu theksohet se rreziqet korruptive vazhdojnë të jenë të pranishme veçanërisht te ndërmarrjet shtetërore dhe pjesërisht shtetërore, pikërisht atje ku kalojnë edhe fondet e BE-së dhe prokurimi digjital/infrastrukturor.
Ndërmarrjet shtetërore, thesari i padeklaruar i Rilindjes, PPP-të, koncesionet, prokurimi digjital dhe infrastrukturor janë zonat ku pushteti ka ndërtuar rrjetin e vet të pasurimit, tashmë plotësisht të ekspozuar edhe në Bruksel.
Çështja Balluku mbetet e hapur. BE thotë se refuzimi për heqjen e imunitetit të saj ‘ngriti shqetësime lidhur me barazinë para ligjit’. Por po ashtu paralajmëron se çështja nuk mbyllet në heshtje, dhe as mund të bëhet model për raste të tjera, sepse vetë institucionet e BE-së po e mbajnë të hapur dosjen e imunitetit dhe të llogaridhënies së saj.
Media: Reklamat publike pa transparencë, tregu i kapur nga biznese me lidhje politike, dhe sulmet ndaj gazetarëve përbëjnë shqetësim serioz, dhe janë fletë garancie për çensurë par excellence!
Me pak fjalë, kjo ishte pasqyra e 2026, në vitin e 14 të Rilindjes 1.0, që prodhoi arkitekturën e pushtetit të kapur e të bërë njësh me krimin e organizuar!
© SYRI.net