Kuvendi Kombëtar i Protestës, i mbajtur këtë të shtunë për herë të parë, është shoqëruar me debate dhe tensione që në momentet e para të zhvillimit.
Gjatë mbledhjes, disa qytetarë shprehën pakënaqësi për mënyrën e organizimit, duke pretenduar se në Kuvend mungonin përfaqësues të protestave dhe marshimeve të zhvilluara më herët. Sipas tyre, shumë prej pjesëmarrësve nuk ishin njoftuar për zhvillimin e këtij takimi.
Një prej të pranishmëve deklaroi se në sallë nuk shiheshin pjesëmarrësit e marshimeve, ndërsa një tjetër kërkoi të merrte fjalën, duke u shprehur se disa persona nuk po lejoheshin të shprehnin mendimet e tyre.
Organizatorët reaguan duke sqaruar se mbledhja do të zhvillohej sipas rendit të ditës dhe se nuk do të lejonin ndërprerje të aktivitetit. Moderatorja e Kuvendit theksoi se takimi ishte i hapur për të gjithë qytetarët dhe se secili do të kishte mundësi të kontribuonte në diskutime.
Sipas raportimeve, përplasje pati edhe mes vetë organizatorëve. Klajdi Bello nuk u lejua të merrte fjalën dhe reagoi me tone të ashpra ndaj organizatorëve të tjerë, duke i akuzuar për përjashtim dhe duke paralajmëruar që të mos e sfidonin.
© SYRI.net