Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimit të Komisionit Europian në raportin e fundit për Shqipërinë, duke e lidhur atë me çështjen e ish-zv/kryeministren Belinda Balluku.
Bardhi deklaron se Brukseli ka ngritur shqetësime për refuzimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit të saj, duke theksuar cenimin e parimeve të kontrollit dhe balancimit institucional, si dhe të barazisë para ligjit.
Kreu i grupit parlamentar të PD, shkruan se, SPAK ka vetëm një rrugë që të mos bëhet pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon Brukseli: Të zbatojë ligjin dhe të kërkojë sërish arrestimin e Ballukut.
Reagim i Gazment Bardhit:
Komisioni Europian, në raportin e publikuar dje, shprehet qartë se: ‘Refuzimi nga Parlamenti për të hequr imunitetin e një deputetjeje të Parlamentit ka ngritur shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit.
Në mars të vitit 2026, Parlamenti rrëzoi një kërkesë nga SPAK për të hequr imunitetin e një deputetjeje të Parlamentit për akuzat për shkelje të barazisë në tendera. Ky refuzim ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit.’
Por, ndërsa Komisioni Europian shpreh shqetësim për moslejimin e arrestimit, duke nënvizuar cenimin e parimit të barazisë para ligjit, të vetmit që nuk shfaqin shqetësim janë prokurorët e SPAK-ut, të cilët po bëhen pjesë e çimentimit të pandëshkueshmërisë në këtë rast.
SPAK-u, prej disa javësh, po zbaton dy standarde për Belinda Ballukun. Edhe pse vetë SPAK-u ka bërë publike se pozita e saj penale është rënduar me dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, nuk po zbaton standardin që vetë deklaroi gjashtë muaj më parë, sipas të cilit, kur rëndohet pozita penale, rëndohet edhe masa e sigurimit.
SPAK-u ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon Brukseli në çështjen Balluku: të zbatojë ligjin, të aplikojë standardin që vetë ka vendosur gjashtë muaj më parë, t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut.
© SYRI.net