Jamarbër Malltezi dhe deputeti demokrat Belind Këlliçi janë përballur me Carlo Bollinon publikisht në dyert e Gjykatës së Posaçme këtë të martë pas dështimit të seancës se parë ku botuesi ka bërë padi për shpifje.
Procesi gjyqësor prej disa vitesh në Gjykatën e Tiranës u zhvendos në GJKKO për shkak të shpalljes së moskompetencës nga juridiksioni i zakonshëm, me argumentin se Këlliçi gëzon atributet e deputetit.
Që në nisje të seancës, Këlliçi dhe Malltezi kanë kërkuar largimin e Irena Gjokës për konflikt interesi nga shqyrtimi i çështjes, fakt që u denoncua prej tyre edhe në një dalje për mediat, teksa pritet vendimi i GJKKO-së nëse pranohet kjo kërkesë.
Këlliçi i numëroi disa fakte botuesit mbi aktivitetin e tij duke e paralajmëruar se do të jenë pjesë e procesit gjyqësor.
Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi e sfidoi Bollinon lidhur me 4 vendime të Këshillit të Ministrave që, sipas tij, ishin personalizuar në favor të gazetarit, si edhe për marrjen me qira të një prone shtetërore për 1 euro.
Por botuesi Bollino nuk pati asnjë koment përveçse ndërhynte gjatë fjalës së Malltezit
Malltezi deklaroi se një nga pronarët e tokës po kompensohej nga shteti me vlerë 3 milion euro, teksa pronën e Begajave tha se u grabit, duke i adresuar disa pyetje Bollinos, i cili iu përgjigj vetëm duke e pyetur pse nuk e dërgon në gjyq.
Seanca e radhës u la për më 23 korrik, teksa GJKKO do shprehet mbi kompetencën lëndore dhe mënyrën se si do vijojë procesi që prej 5 vitesh u zvarrit në Gjykatën Penale të Tiranës.
© SYRI.net