Ekonomia shqiptare po përballet me një tronditje të paprecedentë si pasojë e fluksit masiv të parave të narkotrafikut, një fenomen që po zhvlerëson me ritme galopante euron dhe po çon drejt falimentimit bizneset e ndershme.
Për ekspertin e ekonomisë, Oltion Rrumbullaku, i ftuar në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, monedha evropiane rrezikon të bjerë nën pragun e 90 lekëve, gjë që mund të ndikojë negativisht për sektorët prodhues në vend.
Sipas Rrumbullakut, ky zhvlerësim drastik përkthehet në humbje të mëdha për shqiptarët që fitojnë nga eksportet, produktet bujqësore, industria fason apo edhe turizmi, pasi të ardhurat e tyre tkurren ndjeshëm kur konvertohen në monedhën vendase.
Humbjet llogariten në mijëra euro vetëm nga diferenca e kursit të këmbimit krahasuar me pak vite më parë.
Nga ana tjetër, thekoi ekepperti, reagimi i Bankës së Shqipërisë është i pafuqishëm përballë një lumi kaq të madh parash informale që kërkon zgjidhje të thella strukturore e politike, ku përballë një politike shtetërore që lejon denatyrimin e tregut, rreziku i një kolapsi të prodhimit vendas mbetet alarmant.
Mund t'i quani grupe të rëndësishme kriminale të narkotrafikut. Unë besoj se jemi në një situatë që ndoshta është nxitur përshpejtimi i ardhjes së euros në Shqipëri. Është e vështirë ta vlerësosh, në qoftë se ekonomia këtu, pjesa që le të themi bujqësia, prodhimi i fasonëve, është gjithçka organike e lidhur me Shqipërinë, pra vërtet mund të shiten jashtë, puna remote për shembull e të tjera, këto janë në konkurrencë në Shqipëri dhe është diçka që nuk jep një impakt kaq të fortë në euro. Në momentin që në ekonomi mund të vijnë 2 apo 3 miliardë euro të tilla nga paratë e narkotrafikut në vit, unë besoj se është një shifër e tillë, duke pasur parasysh edhe të gjitha këto që po dalin tani anë e mbanë në Shqipëri, gjithë ky plan 15 apo 20 vjeçar me ndërtime dhe resorte. Patjetër që një ekonomi relativisht e modeste si e jona dhe një kurs këmbimi relativisht modest si i yni, nuk e përballon dot një shifër të tillë. Dhe në qoftë se kjo shifër është rritur këtë vit apo është rritur këto javë për shkak edhe të ngjarjeve të fundit, pra në qoftë se ka një përshpejtim të kthimit të euros në Shqipëri për ta pastruar në mënyrë të nxituar në këto javët e fundit, patjetër kjo me sa duket do të japë një impakt shumë të fortë dhe ne vërtet rrezikojmë të shkojmë poshtë 90 lekë për euro. Dollari pastaj shkon 70.
Një skenar konkret është i tillë. Pra, në qoftë se dikush fiton 1000 euro nga puna që bën për vendet e tjera, nga produkti bujqësor që shet në Europë, nga produkti fason që shet në Europë... Këto 1000 euro para katër vitesh ishin 120 mijë lekë. Tani do të jenë 90 mijë lekë. Pra, këto të ardhura të këtyre njerëzve në lekë patjetër bien, këta kanë më pak mundësi... Patjetër është e njëjta gjë edhe për ata që japin shtëpitë me qira për turistë. Edhe të ardhurat e tyre bien. Pra, në qoftë se ata mbajnë të njëjtin nivel të ardhurash, fitojnë gjatë verës po themi 3000 euro, ato 3000 euro do jenë me lekë të vjetra 2 milionë e 700 mijë, nuk do jenë më 3 milionë e 600 mijë sa ç'ishin më parë. Domethënë, i gjithë ky impakt që ne kemi me tregun europian në fakt, sjell më pak të ardhura në Shqipëri.
Kështu që kjo është një pjesë e rëndësishme sepse kjo është ajo që na përgatit për tregun europian. Në qoftë se ne po futemi në tregun europian, është sepse produktet shqiptare, domatet e të gjitha këto, po shkojnë në tregun europian. Duke shkuar dhe duke u rritur eksporti, që në fakt nuk po rritet për fat të keq edhe për shkak të kursit të këmbimit, patjetër që ne jemi më shumë gati le të themi për tregun europian, ndërkohë kursi i këmbimit na pengon. Kjo patjetër që po vazhdon dhe është e vërtetë, është shumë e vështirë tani edhe Banka e Shqipërisë të ndërhyjë sepse në qoftë se bëhet fjalë për shifra të mëdha, kjo kërkon ndërhyrje politike, strukturore. Nuk është diçka që bëhet nëpërmjet Bankës së Shqipërisë apo ndërhyrjeve normale ekonomike.
Në fakt, unë mendoj që Banka e Shqipërisë dhe institucionet e tjera patjetër i kanë mundësitë jo vetëm të pengojnë, por edhe të vlerësojnë në fakt se sa është impakti i gjithë këtij procesi të vrullshëm që sjell fonde në Shqipëri, i cili denatyron çmimet, prish konkurrencën, rrit çmimet, rrit qiratë e të gjitha këto. Patjetër që ka mundësi edhe në botë për të pastruar para, shtete të tjera, cryptocurrency e të tjera e të tjera. Por ky përqendrim në një moment të caktuar i kthimit të këtyre fondeve në Shqipëri me nxitim me sa duket... patjetër unë e shoh me shumë shqetësim faktin që në qoftë se ne kalojmë poshtë pragut 90 lekë për euro, pastaj mund të jetë edhe më e vështirë të përmbahet ky lloj niveli që është tani dhe patjetër jep impakt edhe më shumë mbrapsht. Të gjithë këta sektorë që janë tashmë të dëmtuar, eksportet, bujqësia, e cila ka qenë një sektor që prodhon në fakt, do ta kenë shumë të vështirë të ngrenë kokën dhe të rimarrin veten duke qenë edhe pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian.
© SYRI.net