Edi Rama ka ndërmarrë lëvizjen e parë pas largimit të deputetes Marjana Koçeku nga grupi parlamentar socialist, pasi kjo e fundit njoftoi largimin nga PS dhe iu bashkua protestës së qytetarëve.
Sipas vendimit të bërë të ditur në seancën plenare nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Koçeku nuk do të jetë më pjesë e Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin, ku do të zëvendësohet nga deputeti Erion Malaj.
Ndryshimi është kërkuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
"Me kërkesë të kryetarit të grupit të PS është kërkuar zëvendësimi i deputetëve në komisione. Në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociimin, deputetja Marjana Koçeku largohet si anëtare dhe në vend të saj emërohet deputeti Erion Malaj", deklaroi Peleshi gjatë seancës.
Ky është ndryshimi i parë zyrtar në përfaqësimin parlamentar të Koçekut, pas vendimit të saj për t'u larguar nga Partia Socialiste.
© SYRI.net