I ftuar në studion e 'Kafe Shqeto', anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka komentuar zhvlerësimin e euros përballë lekut, duke u shprehur se fenomeni nuk shpjegohet vetëm nga tregu dhe turizmi, por lidhet me flukse të mëdha parash të pista dhe të drogës.
Muçollari theksoi se gjatë viteve të fundit ka një lidhje mjaft të dukshme mes rritjes së lejeve të ndërtimit dhe periudhave elektorale, ndërsa eksportet, fasoneria dhe bujqësia po përballen me vështirësi të mëdha.
Kemi ndikim të drejtpërdrejtë te eksportet dhe aq më shumë te sektorët të cilët prej kohësh janë lënë në mëshirë të fatit, që lidhen me fasonerinë, po ashtu edhe me sektorin e bujqësisë, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër e vuajnë edhe më shumë.
Por, përtej kësaj, po ta shikosh me kujdes të gjithë, të themi, rrugëtimin e euros, të paktën në 10 vitet e fundit në tregun shqiptar, të kthehesh mbrapa në vitin e largët 2016, i cili s'është edhe aq i largët, atëherë ka qenë momenti i parë kur ka pasur një goditje shumë të fortë euroja. E lidhnin kryesisht specialistët me një sasi të madhe eurosh të futura në tregun shqiptar, e cila lidhej pikërisht me kanabizimin e vendit.
Dhe po të vësh re me kujdes në këto 10 vjet, ka një lidhje, ka një lidhje shumë të drejtpërdrejtë ndërmjet lejeve të ndërtimit dhe kursit të euros. Sa më shumë leje ndërtimi jepen, aq më shumë kursi i euros shkon drejt, të themi, një kursi më të vogël.
Më pas, të gjitha të lidhura dhe të futura në ekonomi nëpërmjet sektorit të ndërtimit, dhe vijmë sot te vitet elektorale, ku edhe sasia e euros së qarkulluar rritet gjithmonë e më shumë, siç ishte vjet, kur pati edhe një goditje shumë të madhe.
Nëse çdo tremujor, të paktën në pesë vitet e fundit, ty të përkeqësohet bilanci tregtar, atëherë do të duhej të kishte një fuqizim të euros. Por ndodh komplet e kundërta. Çfarë po ndodh tjetër me ekonominë tonë? Që është e çuditshme. Për herë të parë në këto vite tranzicioni, në tremujorin e parë të vitit, investimet kapitale janë më të vogla sesa shpenzimet operative.
Por, me sa duket, shohim gjithmonë në tregun valutor një lëvizje të fortë të euros, e cila patjetër që mund të ketë një element që lidhet me turizmin, por pjesa dërrmuese e saj, po t'u bazohesh shifrave dhe atyre të krahasuara me bilancin tregtar, lidhet me para të cilat nuk kontrollohen nëpërmjet kanaleve zyrtare, që presupozohet të jenë paratë e pista, paratë e narkotrafikut dhe paratë e korrupsionit.
© SYRI.net