Protesta masive që ka hyrë në ditën e saj të 29-të ka shënuar një moment historik, duke bashkuar në të njëjtin bulevard qytetarë me bindje, ide dhe formime tërësisht të kundërta. Përtej ndarjeve krahinore apo politike, njerëzit janë bërë bashkë të shtyrë nga mungesa e një rrugëdaljeje tjetër dhe një ndjenjë e thellë poshtërimi.
Situata e rënduar politike dhe sociale i ka vendosur qytetarët përballë dy zgjedhjeve ekstreme: t'i nënshtrohen një pushteti që shpesh përshkruhet si abuziv dhe banditesk, ose të zgjedhin rrugën e emigracionit duke lënë vendin e tyre.
Aktivistja Eralda Baze në një intervistë në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në syri tv tha se, kupa e pakënaqësisë është mbushur përfundimisht pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Zvërnec. Pamjet e zvarritjes së një qytetari shërbyen si një paralajmërim i qartë për fatin e afërt të çdo qytetari të zakonshëm, gjë që bëri indinjatën të shpërthente dhe të derdhej masivisht në sheshe.
Ndërkohë që po kërkohet të vendoset një kufi ndaj këtij zullumi dhe abuzimi pa limit, qeveria, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama, duket se po shpërfill totalisht thirrjet e rrugës. Në vend të reflektimit, mazhoranca vazhdon me miratimin e ligjeve të reja që po ngjallin debate të ashpra, siç janë lejet për shitjen e tokave te të huajt dhe rritja e taksave për tokat djerrë dhe apartamentet. Këto lëvizje po konsiderohen gjerësisht si politika të dëmshme që po kalojnë paralelisht me krizën në rrugë.
Nga ana tjetër, reagimi i kryeministrit ndaj protestës po konsiderohet një shembull klasik propagande. Pasi u përball me reagime të forta për përdorimin e një fjalori fyes ndaj qytetarëve, u vu re një tërheqje dhe një përpjekje e dëshpëruar për t'u justifikuar se deklaratat ishin nxjerrë nga konteksti.
Flavio Qarri: Sa historike është që mund të gjesh krah për krah në të njëjtin bulevard me të njëjtin qëllim njerëz kaq të ndryshëm në bindje dhe në qëndrime dhe në ide dhe në mendime.
Eralda Baze: Më ke lexuar mendimet Flavio. Madhështia e kësaj proteste është pikërisht kjo. Pra, vetë protesta është një arritje në vetvete. Deri tashti, është e mrekullueshme. Pikërisht, së pari për këtë fakt, që ka bërë bashkë masivisht njerëz tamam sipas asaj shprehjes pa dallim feje, krahine dhe ideje. Kjo ndodhi sepse të gjithë shqiptarët, pavarësisht atyre diferencave, dallimeve, patën një gjë të përbashkët: e panë veten pa asnjë shteg. Sipas kanunit, edhe hasmit i lihet një shteg për me dalë.
E 'Zymbyl pashë Surreli', siç e kam pagëzuar unë, nuk u la asnjë shteg shqiptarëve. Përkundrazi, u la dy opsione, njëri më poshtërues se tjetri, por që nuk mund të quhen rrugëdalje. Ose zvarranik mbas tij edhe shpurës së tij banditeske, ose ik nga vendi, merr valixhen, këput qafën në emigracion. Dhe erdhi momenti që u mbush kupa edhe ky moment qe ajo ngjarja e tmerrshme e Zvërnecit, ku tek ai njeriu që po tërhiqej zvarrë, shqiptarët më në fund panë qartë domethënë fatin e tyre të afërt, që u hipi gjaku në kokë dhe janë ngritur të tërë tashti edhe i ke në shesh krah për krah njerëz me bindje, me formime jo të ndryshme, po edhe të përplasëshme, të kundërta. Edhe kjo është një arritje shumë e madhe.
E një tjetër mesazh që po jep kjo protestë është që dale që edhe zullumi ka kufi. Nuk mund të abuzosh e nuk mund ta poshtërosh një popull kështu pa limit fare, pa kufi.
Një tjetër gjë që po shohim, po kuptojmë që kemi qenë nën diktatin e një shushunje. I cili, ndërkohë që protesta po mbush një muaj, dita e 29 sot, në vend që të reflektojë për çështjet që janë ngritur, ai vijon me atë kokëfortësinë mizore, të çmendur që e karakterizon, të miratojë ende ligje shkombëtarizuese, ende, paralelisht me protestën.
© SYRI.net