Parku foftovoltaik në Karavasta/ Bozdo: S’ka garë, ndryshohet kontrata sa herë takohet Rama me Macron

09:57, 29/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një investigim i detajuar ka nxjerrë në dritë abuzime flagrante me projektin e parkut fotovoltaik të Karavastasë, i fituar nga kompania franceze Voltalia.

I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri Tv, deputeti i PD, Eno Bozdo u shpreh se të dhënat zyrtare tregojnë se kompania është favorizuar jashtë kritereve të tregut të lirë, duke anashkaluar rreth 50 konkurrentë të tjerë në sektorin e energjisë diellore, përmes procedurave që dyshohet se kanë shkelur ligjin.

Sipas tij, projekti nisi si një investim premtues për diversifikimin e portofolit energjetik të Shqipërisë.

Referuar marrëveshjes fillestare, të zhvilluar nën garancinë e BERZH-it, parku do të prodhonte 140 megavat energji, ndërsa gjysma e këtij kapaciteti do t'i shitej qeverisë shqiptare me një çmim mjaft të favorshëm prej 25 eurosh për megavat/orë, një shifër shumë më e ulët se mesatarja prej 55 eurosh me të cilën OSHEE blinte energjinë.

Megjithatë, situata ndryshoi në mënyrë të fshehtë, u shpreh ligjvënësi demokrat, dy vite pas nënshkrimit të kontratës.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) kërkoi shkëputjen e kontratës origjinale të parkut me Furnizuesin e Tregut të Lirë.

Në vend që të hapej një tender i ri, siç parashikon ligji kur ndryshojnë kushtet e blerjes për një sasi të tillë, theksoi Bozdo, KESH mbylli një marrëveshje të drejtpërdrejtë me Voltalian për të përthithur 100% të energjisë së prodhuar.

Nga llogaritjet matematikore të bazuara në dokumente zyrtare, rezulton se gjysma e dytë e kapacitetit të parkut, e cila ishte parashikuar të shitej lirisht, i është faturuar shtetit shqiptar me rreth 106 euro për megavat/orë.

Në thelb, ndërkohë që publikut iu premtua energji e lirë, u shpreh deputeti i PD, buxheti përfundoi duke paguar dyfishin e çmimeve referuese të tregut për sasinë shtesë.

Çdo gjë që Rama prek me dorë duhet pritur që është aferë. Nuk ka një projekt të madh sot apo projekt mesatar, përgjithësisht të infrastrukturës, që të mos kenë dalë me probleme, me shumë probleme, dhe mos të meritojnë emrin aferë. Gjithsesi në rastin e Karavastasë, në bazë të të dhënave që ne kemi, që janë zyrtare, që unë mendoj që janë të dhëna të mjaftueshme për të gjykuar se çfarë ka ndodhur, ne shohim se është shkelur ligji dhe është shkelur ligji rëndë. Dhe kjo kompani është favorizuar në mënyrë të pamerituar kundrejt ndoshta më shumë se 50 kompanive që punojnë në këtë sektor dhe kryejnë të njëjtin aktivitet, që janë kompani që prodhojnë energji elektrike nga parqet fotovoltaike, nga parqet diellore.

Ne njohim faktet. Dhe faktet tregojnë një gjë, që menjëherë pas takimit apo dy takimeve që ka pasur kryeministri me presidentin Macron, dhe sipas vetë kryeministrit, çështja e Voltalias është diskutuar në takim, ne kemi këtë favorizim të menjëhershëm. Ky është favorizim. Çfarë do të thotë? Qeveria shqiptare hap një garë dhe thotë, në këtë sipërfaqe toke, që për fat të keq qëlloi Karavastaja, po mund të kishte gjetur kudo sipërfaqe toke... po tani kjo qeveri i ka shumë qejf parqet kombëtare, ndërton... Është bërë në kufi të parkut në dijeninë time, por ajo zakonisht mirë është të jetë ajo që quhet zona e amortizimit që të mos ketë ndikime dhe të mos jetë. Nuk është se ky është aktivitet që provokon ndonjë gjë të madhe, por në fakt mirë është që të mos ketë fare ndikim njerëzor.

Qeveria shqiptare thotë, në këtë parcelë toke unë dua të ndërtoj me kapacitet 140 megavat një impiant. Hap garën ndërkombëtare, garanti i garës dhe i formës së garës është BERZH-i, Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, dhe kushti i garës është që gjysma e kapacitetit, pra 70 megavat, do të ketë një ofertë për t'ia dhënë qeverisë shqiptare me një çmim sa më të ulët. Dhe këtu fillon klasifikimi. Pjesa tjetër, gjysma tjetër, do të shitet në treg të lirë. Kuptohet që kush jep çmimin më të ulët për 70-en për shtetin, fiton garën. Dhe çmimin më të ulët e dha Voltalia. 4 kompanitë e tjera, mes tyre dy konsorciume gjermane, eliminohen.

Por e vërteta është që çmimi ishte mjaft konkurrues, 25 euro për megavat orë të prodhuara, hyn në çmimet shumë të mira që mund të kapet në një situatë të caktuar. Aq më tepër sipas vetë kësaj zonjës që u gëzua shumë, në tre vitet e fundit mesatarja e çmimeve të blerjes së energjisë nga jashtë nga OSHEE-ja kishte qenë diku te 55 euro për megavat orë, pra kemi të bëjmë me një ofertë që është më pak se gjysma. Deri këtu është lajm shumë i mirë. Për hir të vërtetës Shqipëria ka shumë nevojë për të diversifikuar portofolin, ka shumë nevojë që të ketë edhe termocentrale që punojnë me gaz, pavarësisht se nuk i kemi, po edhe centrale fotovoltaike në mënyrë që portofoli të jetë sa më i balancuar e mos të përdoret vetëm Kaskada në dimër e në verë, po të kemi mundësi ta shesim edhe të pasurohemi.

Tani mbaron propaganda dhe fillon realiteti. Pasi parku është ndërtuar, më 2022-shin, pra dy vite e tre muaj pasi nënshkruhet kontrata, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH-i, i njofton ministrinë, pra njofton pronarin e saj, dhe i thotë që shkëpute kontratën që ka lidhur Karavastaja me Furnizuesin e Tregut të Lirë. Furnizuesi i Tregut të Lirë është një njësi brenda grupit të OSHEE-së, dhe detyrimi ligjor është që të gjithë operatorët e energjisë së rinovueshme që prodhojnë energji të lidhen me Furnizuesin e Tregut të Lirë. Është ai që bën marrëveshje, që e merr të gjithë energjinë, nëse nuk duan ta dalin në treg të lirë.

: KESH-i thotë shkëpute atë kontratë. po ta shkëpusësh është një fjalë goje, por në fakt kjo është pjesë e kontratës, ishte thelbi i kontratës. Zhbëje tenderin, zhbëje kontratën sepse të gjithë parkun do ta blej unë për diversifikim portofoli. Të gjithë energjinë e parkut do ta përthith unë. Tani që në këtë çast, kanë rënë të gjitha kushtet e garës. Ti nuk mund të ndryshosh kushtet e garës pasi është shpallur fituesi. Që në këtë çast si rregull duhet anuluar gara. Dikush në ministri do të thoshte: një sekondë, në qoftë se ti do ta bësh këtë gjë, ne duhet të hapim një garë nga e para, ku do të ftojmë përsëri të thonë kush është ai që na jep çmimin më të mirë për 140 megavat... ose do hapim një 140 tjetër apo 150 tjetër në mënyrë që KESH-i ta blejë atë energji, dhe pastaj KESH-i me të fare mirë mund të dalë në garë. Këtë garë mund ta bënte vetë KESH-i, se e ka gjithë të drejtën të bëjë garë.

Kjo ndodh menjëherë pas takimeve që ka pasur Rama me presidentin. Dhe çfarë është e çuditshme: supozojmë që KESH-i ka një të drejtë, do të diversifikojë dhe ka nevojë për burime të tjera përveç Kaskadës. Por ligji i thotë korporatës që ti mund ta bësh këtë gjë, por ti do të hapësh garë për ta bërë këtë gjë. Çka do të thotë që ti ke nevojë për 140 megavat të instaluar, gjenerues fotovoltaik, ti do të thuash 'unë kam nevojë për këtë gjë' dhe pikërisht se ke nevojë, hap garën dhe shikon kush jep çmimin më të mirë, me kushtet përkatëse teknike. Ti nuk mund të zgjedhësh çështjen tënde e të thuash 'dua këtë', sepse kjo nuk është garë, kjo hyn në pazar.

Dhe deri më sot askush nuk e di si është negociuar çmimi dhe për çfarë. Por ne dimë diçka: detyrimi ligjor që gjysma e energjisë do të jetë me 25. Nëse bëjmë pastaj kalkulimet, i bie që gjysma tjetër, 70-ja tjetër është blerë me 106 euro megavati. Çka është me rregullin e treshit, me matematikë të pastër... gjysma tjetër i bie të jetë blerë me 106 euro megavati. Dyfishi i asaj që ka deklaruar zëvendëskryeministrja! Ne kemi të bëjmë me një procedurë e cila ka shkelur ligjin dhe nuk kemi të bëjmë me garë, gjë që detyron KESH-in. Pra e gjithë energjia është blerë në kushtet e një pazari personal midis korporatës dhe Voltalias.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco