Më shumë se 750 faqe të librit ‘Albanian Files’ zbulojnë imazhin e vërtetë të qeverisjes së Edi Ramës.
Arkitektët tregojnë me detaje se si Shqipëria qeveriset si një sulltanat ku Edi Rama vendos personalisht për gjithçka.
Por jo vetëm kaq, arkitektët shprehin preferencat e tyre që në Shqipëri të mos bëhen më zgjedhje, por Edi Rama të shpallet mbret.
Madje ata shfaqen edhe si patronazhistë që sulmojnë Partinë Demokratike.
Një nga këta arkitektë, Peter Wilson i studios ‘Bolles+Wilson’, që ka fituar një numër projektesh në Korçë, e quan PD-në partinë e komunistëve.
Reagimi i tij vjen pasi PD mbajti një qëndrim të ashpër kundër kullës së shëmtuar që u ngrit në qendër të Korçës.
Kjo kullë e shëmtuar, e quajtur Kulla e Kuqe, u bë simbol i shkatërrimit të një qyteti të vjetër si Korça dhe sot është një çiban i kritikuar ashpër brenda dhe jashtë vendit. Madje kulla kushtoi mbi 2.3 milonë euro.
Wilson thotë se ai është ftuar personalisht nga Edi Rama për të ‘ndryshuar’ Shqipërinë.
“Mënyra se si zhvilluam aktivitetin tonë në Shqipëri ndryshoi rrënjësisht pasi fituam konkursin ndërkombëtar të vitit 2009 për hartimin e planit të përgjithshëm urbanistik të qendrës së Korçës. Në atë kohë, kreditë e ndihmës ndërkombëtare po transformonin peizazhin urban të Shqipërisë (edhe pse kredi të tilla e lidhin një vend me borxhe afatgjata ndaj një ekonomie globale neoliberale që autori e konsideron të dëmshme).
Që në Korçë, fondet e ndihmës kishin bërë të mundur rinovimin e infrastrukturës nëntokësore dhe shtrimin me kalldrëm të ri të rrugëve në qendrën historike.
Pas këtij impulsi, kryetari i bashkisë Niko Peleshi ishte i shqetësuar se njerëzit që ktheheshin nga Greqia ose Shtetet e Bashkuara shpesh shembnin vilat e tyre familjare për të ndërtuar pallate tetëkatëshe.
Plani urbanistik synonte ta frenonte këtë kërcënim ndaj shkallës delikate të vilave prej guri të shekullit XIX. Propozimi ynë i dha përparësi një simbioze, një ndërthurjeje të ndërhyrjeve të reja me morfologjinë historike urbane. Ai gjithashtu parashikonte largimin e trafikut nga Bulevardi Shën Gjergji, në njërin skaj të të cilit, pas rënies së komunizmit, ishte ndërtuar një katedrale ortodokse.
Në skajin tjetër ne vendosëm një kampanile (kullë kambanore), të quajtur "Red Bar in the Sky" (Bari i Kuq në Qiell).
Kur, në Parlamentin Shqiptar, Partia Demokratike në opozitë (ish-komunistët) akuzoi Partinë Socialiste të Edi Ramës se po e shkatërronte Korçën me këtë kullë të hollë, kryeministri u përgjigj me batutën: "Ky është mendimi i parë estetik që kam dëgjuar ndonjëherë nga partia juaj."
Jo shumë kohë më vonë, duke ecur në Korçë, ai më tha:
"Edhe unë kam një problem me kampanilen – nuk është mjaftueshëm e lartë".
Politika në Shqipëri është e polarizuar në mënyrë shkatërruese. Këtë e mësuam gjatë një projekti në Korçë, kur inxhinieri ynë i strukturave (mbështetës i Partisë Demokratike) u largua duke përvetësuar honorarin e arkitektit tonë; ne, të konsideruar si njerëz të lidhur me socialistët, mbetëm pa u paguar,” shkruan ai.
“Gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, ne kemi shtuar më shumë se tridhjetë ndërtesa në Korçë, nëpërmjet një procesi që mund të krahasohet me akupunkturën urbane. Disa prej tyre kanë qenë projekte publike (biblioteka, bashkia, Muzeu i Ikonave), ndërsa të tjera janë ndërtuar për investitorë privatë (terminali i autobusëve, hotele, banesa), si edhe sheshe publike dhe parqe.
Ky proces i kujdesshëm dhe afatgjatë i zhvillimit nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e zyrave lokale që lehtësuan punën, veçanërisht të zyrës së re, por shumë të aftë, Vitru, me të cilën zhvilluam një mënyrë pune të përsëritur dhe bashkëpunuese, si në fazën e planifikimit ashtu edhe në kantier.
Prej tyre mësuam gjithashtu teknikat vendase për ndërtimin e mureve prej guri.
Trocki dikur shkroi se vendet në zhvillim hyjnë në lojë në një moment të caktuar, pa kaluar domosdoshmërisht nëpër evolucionin e gjatë që kanë kaluar vendet e tjera. Shqiptarët u përshtatën me telefonat celularë si peshku me ujin, dhe prerja e çelikut me lazer gjithashtu nuk përbën asnjë problem për ta,” shton Wilson.


© SYRI.net