Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, ka reaguar me një postim publik duke iu përgjigjur deputetit të PD-së, Blendi Himçi, lidhur me çështjen e ligjit të minierave.
Meta mohon çdo përfshirje në hartimin apo miratimin e ndryshimeve ligjore të vitit 2014, ndërsa pretendon se përgjegjësia i takon qeverisë së Edi Ramës.
Në reagimin e tij, ai hedh akuza edhe ndaj SPAK-ut për standarde të dyfishta në hetime.
Postimi i plotë:
𝐍𝐣𝐞̈ 𝐬𝐪𝐚𝐫𝐢𝐦 𝐩𝐞̈𝐫 𝐝𝐞𝐩𝐮te𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐙. 𝐁𝐥𝐞𝐧𝐝𝐢 𝐇𝐢𝐦𝐜̧𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐭𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐭.
Meqënëse e ndjek emisionin "Kafe Shqeto" të Flavios në Syri TV, si një dritare të mendimit të lirë, por edhe duke patur konsideratë të veçantë për Z. Himçi si deputet i ri, por me kontribute të spikatura në mbrojtje të interesit publik, dua të sqaroj jo vetëm atë, por edhe gjithë të tjerët, se kur ai me të drejtë u ankua se përse unë mbahem në burg për minierat dhe përse Edi Rama për dhjetëra e qindra vendime dhe ligje me porosi nuk është thirrur kurrë nga SPAK-u dhe jo më të hetohet apo të marrê përgjegjësi penale.
I dashur Z. Himçi!
Edhe pse ju jeni deputet i ri duhet ta dini, që roli i Kryetarit të Kuvendit në procesin e ligjbërjes është i barabartë me rolin e secilit prej 140 deputetëve.
Për ndryshimet në ligjin e minierave, që ju keni parasysh, të bërë në vitin 2014, unë si Kryetar Kuvendi, jo vetëm që nuk kam patur asnjë rol dhe angazhim, por nuk ekzistoj në asnjë lloj komunikimi qoftë edhe informal.
Dua t'ju siguroj që ligji është propozuar nga qeveria e Edi Ramës, nga ministri i Edi Ramës, është diskutuar në Komisionin Parlamentar që drejtohej nga njeriu i Edi Ramës dhe amendamenti që është bërë në Kuvend është propozuar nga deputetja e Edi Ramës.
E gjithë kjo procedurë është bekuar edhe nga vetë Edi Rama me fjalimin e tij para votimit, ku i quan këto ndryshime në ligj si një ndryshim epokal në sektorin e minierave.
Për transparencë po ju vë këtë fragment të cituar nga vetë Edi Rama.
Se si jam rrëmbyer une e di e gjithë bota.
Pas vizitës së parë të paligjshme të Charles McGonigalit në zyrën e Kryeministrit Rama, kur unë isha President i Republikës, u aktivizua një "Brahush" për të bërë një kallëzim të rremë.
Nuk po zgjatem më tej, por meqënëse edhe ju për shkak të propagandës zhurmuese dhe dizinformuese nuk e keni të lehtë të kuptoni thelbin e narrativave mashtruese sorosiste, ju ftoj publikisht që kur të gjykohet episodi për ligjin e minierave, të jeni në sallën e gjykimit për të dëgjuar edhe dëshmitarët Edi Rama me shokë.
Natyrisht me shpresën e Zotit, atë ditë të mos ketë ndodhur ndonjë rënie ure apo rruge në Qarkun e Elbasanit siç ka ndodhur shpesh për fat te keq këto kohë.
Dhe së fundi dua t'ju siguroj juve për shkak të respektit që kam ndaj përkushtimit tuaj si deputet full time opzitar, se Ilir Meta kurrë nuk ka miratuar as ndonjë ligj, as ndonjë vendim apo shkresë në interes të ndonjë individi të veçantë.
Përkundrazi, si President i Republikës kam bërë shumë kallëzime në SPAK për ligjet klienteliste me porosi që bënte Edi Rama, sidomos kur kishte 122 deputetë.
Dhe për "kënaqësinë" tuaj dëgjojeni vlerësimin epokal të ligjit të tij të minierave.
© SYRI.net