E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, Emira Selimi – aktiviste dhe protestuese, foli mbi protestën që studentët shqiptarë do të zhvillojnë sot në orën 17:00 në Sheshin “Skënderbej”, kundër diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe padrejtësive me të cilat, po përballen në Maqedoninë e Veriut.
Selimi u shpreh se studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe, si dhe respektimin e plotë të të drejtave të tyre në sistemin arsimor dhe profesional.
Ajo shtoi se kjo nismë vjen pas një serie fyerjesh dhe presionesh publike ndaj tyre, duke përfshirë edhe deklaratat e një profesoreshe maqedonase, e cila i ka quajtur studentët shqiptarë “racistë të ndyrë” dhe u ka thënë “shporruni në Shqipëri nëse doni ta flisni gjuhën tuaj”.
Selimi theksoi gjithashtu se klima e urrejtjes ndaj shqiptarëve po përshkallëzohet çdo ditë në hapësirën publike dhe mediatike maqedonase.
Pjesë nga deklarata:
Përderisa profesori Bashkim Selmani po tregonte për ambasadorët që kemi pasur më herët, doja të potencoj që ne gjithmonë kemi pasur dyer të mbyllura në ambasadë. Përpos që i kemi pasur të mbyllura, kemi marrë edhe një sjellje agresive si shkëmbim ndaj ndonjë kërkese tonë. Domethënë, kemi përvoja edhe personale, dhe studentët, po të mos kishin një kurajë nga ambasada shqiptare, që për neve vlen shumë domethënë, është ambasada shqiptare dhe vetë fjala të jep një motiv dhe një emocion të madh nuk do ta kishin pasur ndoshta guximin për ta marrë këtë nismë. Dhe mendoj që Denjoni ishte i pari që hapi këtë rrugëtim, që studentët të marrin krahë dhe të ndodhë kjo që po ndodh tani në Maqedoni.
Pasi që ja tani, para se të filloja tek ju në emision, unë isha duke lexuar disa portale maqedonase. Domethënë, ato fyerje çdo ditë e më shumë vetëm sa po rriten, po rriten, dhe nuk e di se si do të përfundojë gjithë kjo urrejtje tani.
Për studentët gjithmonë, sidomos edhe nga një profesoreshë e cila është e njohur tani në Maqedoni. Nuk i ka hije një profesoreshe të mbajë asi lloj fjalori në gojën e saj, për të cilën edhe kam reaguar. Na thotë “racista të ndyrë”, ndërkohë që ne nuk kemi bërë asgjë duke treguar ndonjë racizëm, përpos që kemi kërkuar një të drejtë tonën. “Shporruni në Shqipëri nëse dëshironi ta flisni gjuhën tuaj”. Këto, zakonisht, nëse do të vinin nga popullata e rëndomtë, nuk do të na bënin përshtypje, personalisht as mua, por kur e shikoj që vjen nga një pseudo-shtresë intelektuale, me të vërtetë ndjehem keq dhe ata persona duhet të marrin pak përgjegjësi edhe publike për mënyrën se si fyejnë.
Përpos Denjonit, është fyer edhe shkrimtari Kim Mehmeti, në formën se kur është fyer ai, në fakt jemi fyer të gjithë ne, kinse ne qenkemi romë. Nuk kam asgjë kundër komunitetit rom, por ne jemi shqiptarë, po sipas tyre ne qenkemi të atillë. Domethënë, forma më e ulët e fyerjes... Edhe personalisht ndihem e fyer, pasi që i përkas këtij kombi, dhe me të vërtetë duhet të reagojmë edhe për këto lloj fjalorësh.
Politika mos të tallet me dinjitetin e studentëve. Të gjendet një zgjidhje për provimin e jurisprudencës. Të mos jetë më ankthi i atij provimi dhe uroj që këto nisma studentore të vazhdojnë edhe pas zgjidhjes së këtij problemi, sepse në Maqedoni ka ende shumë probleme të pazgjidhura.
© SYRI.net