Lajmi i fundit

Aksident tragjik në aksin Korçë–Ersekë, humb jetën një fëmijë! E përplasi makina

Zbulohet skandali, Kalaja: Balluku dhe dy ministra falën 123 milonë euro të ‘Bankers’, Rama është koka e skemës

15:36, 12/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një tjetër stuhi ligjore pritet të godasë ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë të lartë, pas dorëzimit të një shtese kallëzimi penal në Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Akuzat e reja flasin për një dëm marramendës prej 123 milionë eurosh ndaj buxhetit të shtetit, të ardhur si pasojë e faljes abuzive të gjobave ndaj kompanisë "Bankers".

Sipas detajeve të bëra publike gjatë një interviste në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, nga avokatja Adriana Kalaja, ky veprim është kryer në mënyrë tërësisht antiligjore dhe në shkelje të plotë të Kushtetutës, duke anashkaluar kompetencat e organeve tatimore. Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se Gjykata e Arbitrazhit i kishte dhënë të drejtë shtetit shqiptar në këtë përballje. Megjithatë, një urdhër arbitrar mjaftoi për të fshirë detyrimet financiare të kompanisë.

Kallëzimi i depozituar në SPAK nuk implikon vetëm Ballukun. Në dosjen e re kërkohet regjistrimi i procedimit penal edhe për ministren e Bujqësisë, Anila Denaj, dhe ministrin aktual të Financave, Petrit Malaj. Dokumentacioni dhe korrespondencat shkresore të dorëzuara tregojnë se këta të fundit kanë firmosur dhe bashkëpunuar në këtë skemë, e cila po hetohet për një sërë veprash të rënda: shpërdorim detyre, ushtrim i ndikimit të paligjshëm, pastrim i produkteve të veprës penale dhe deri tek organizimi kriminal.

Pretendimet shkojnë edhe më tej, duke theksuar se kjo skemë komplekse nuk mund të realizohej pa një vullnet politik nga nivelet më të larta, duke drejtuar gishtin drejt kryeministrit Edi Rama si koka e këtij organizimi të dyshuar.

Arnold Kariqi: E nisim me deklaratën tuaj ditën e sotme në SPAK, ku keni dorëzuar një shtesë kallëzimi penal sërish ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Për çfarë bëhet fjalë?

Adriana Kalaja: Bëhet fjalë për një investigim shterues në fakt të bërë nga emisioni Plug para disa kohësh, por që fatkeqësisht, jo vetëm që u censurua nga të gjithë mediat të cilat janë të varura tashmë nga pushteti kriminal, që janë të varura nga inceneratorët inekzistent, nga shpenzimet e tjera marramendëse që mbajnë këtë pushtet të kriminalizuar, por që fatkeqësisht nuk u mor asnjë konsideratë nga ana e SPAK-ut. Ndërkohë, është një vlerë e konsiderueshme, pra flitet për një vlerë 123 milionë euro, të cilat në kuptim të gjobës që i janë vënë shoqërisë Bankers, i janë falur në mënyrë antiligjore, abuzive, po mbi të gjitha që ngrenë dyshime të arsyeshme dhe në momente të caktuara dhe bindje përtej dyshimit të arsyeshëm, që falja e këtyre gjobave në shkelje të ligjit, në shkelje të Kushtetutës, nga tashmë subjekti i shpallur e pandehur, Belinda Balluku, por në bashkëpunim edhe me ministren Anila Denaj dhe ministrin aktual Petrit Malaj, tregojnë që përveç interesave personale të tyre në lidhje me faljen e kësaj gjobe, tregojnë edhe anën tjetër të medaljes, të një dëmi shumë të madh që i bëhet buxhetit të shtetit, por tek e fundit xhepave të çdo qytetari shqiptar.

Arnold Kariqi: Po si e kanë argumentuar këtë falje gjobash?

Adriana Kalaja: Nuk kanë bërë asnjë lloj argumentimi, megjithëse ky proces ka vijuar edhe në rrugë gjyqësore dhe në mënyrë arbitrare, pra ku nuk e parashikon fare ligji dhe kur ka një shkelje të kompetencave të organeve tatimore dhe të qeverisjes qendrore, del një ministre nën urdhrat e zëvendëskryeministres dhe falet një gjobë që ishte edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Falet një gjobë e majme, ku edhe vetë Gjykata e Arbitrazhit i ka dhënë të drejtë shtetit shqiptar në raport me këtë kompani. Ne gjykojmë që jemi përpara veprave penale shumë të rëndësishme, të cilat fillojnë që nga shpërdorimi i detyrës, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm, pastrimi i produktit të veprave penale, korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë e deri tek organizata kriminale dhe veprimtari e cila në këndvështrimin tonë dhe në raport me provat e depozituara sot në SPAK, flasim për një harmoni të plotë të mënyrës se si është bërë kjo falje, për një vullnet politik që ka patur ky rezultat dhe mbi të gjitha ne dyshojmë që në majë të kësaj afere dhe të këtij organizimi perfekt në formën e një organizate kriminale, qëndron kryeministri Rama. Nga ana tjetër ne kemi marrë informacione që ndaj subjektit Belinda Balluku tashmë e shpallur e pandehur, ka filluar dhe hetimi pasuror dhe këto janë arsyet që ne na detyruan që t'i shkojmë sot SPAK-ut me një kallëzim shtesë dhe këtë kallëzim shtesë penal ia kemi adresuar pikërisht prokurorit Dritan Prençi, por edhe referuar faktit që në rrugë jo zyrtare jemi informuar që SPAK-u nëpërmjet prokurorit Prençi i është drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë të dytë për heqjen e imunitetit dhe po këto informacione na kanë thënë që ka edhe shtim të akuzave, pra është rënduar pozita juridike e të pandehurës Belinda Balluku.

Arnold Kariqi: Duke parë edhe zhvillimet e fundit për vilën...

Adriana Kalaja: Dhe në këto raste, patjetër janë. Pjesa e vilës e cila u bë publike, në fakt u bë edhe më shumë për shkak të marrjes së pandehur edhe të ish-futbollistit Igli Tare, po nga ana tjetër ju siguroj që dosja Balluku ka shumë të dhëna të forta, sensitive, të cilat në fakt jo vetëm kanë një ndikim shumë të madh në aferën që është bërë, jo rastësisht e kemi quajtur superministre, ka pasur 10 miliardë euro tendera, për të cilat në fakt SPAK-ut i lind detyrë që t'i hetojë dhe ne sot në këtë shtesë kallëzimi penal kemi ngritur edhe bindjen përtej dyshimit të arsyeshëm, që edhe nëse SPAK-u nuk e ka dorëzuar këtë shkresë në Kuvend, kjo dosje është një arsye më se e justifikueshme që ditën e hënë prokurori...

Arnold Kariqi: Pra mund të ketë një tjetër kërkesë sepse është artikuluar dhe nga politika.

Adriana Kalaja: Patjetër sepse e para njëherë rruga tjetër që i mbetet SPAK-ut, i mbetet që atë drynin që unë e vura në mënyrë simbolike ta vendosi vetë te dera e SPAK-ut dhe nuk ka më pse ekziston SPAK-u për sa kohë që SPAK-u shkon me një kërkesë, dhe që nga 12 marsi, në fakt e kam thënë disa herë, deri më sot ne nuk kemi parë asnjë veprim real, konkret, aktiv në lidhje me këtë dosje. Megjithatë unë shpresoj që të jenë bërë veprimet e duhura, hetim i thelluar në çdo sektor, por nga ana tjetër edhe referuar informacioneve të tjera që kam lidhur me hetimin pasuror të të pandehurës Balluku, unë besoj fort që edhe nëse nuk është çuar kjo kërkesë, shumë shpejt kjo kërkesë do të shkojë në dyert e Kuvendit dhe pastaj duhen deputetët të tregojnë që janë në krahun e drejtësisë, apo janë në krahun e të pandehurës Belinda Balluku. Po kështu ne kemi kërkuar që përveç të pandehurës Belinda Balluku, të regjistrohen dhe kallëzime penale për dy ministrat, qoftë Anila Denaj, qoftë Petrit Malaj...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco