Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha konferencë për shtyp

Jo debatit të kotë për non-gratën

Jo debatit të kotë për non-gratën

Nga Çim Peka - 12/06/2026

Vendimi i djeshëm i Sekretarit të Shtetit Rubio rihapi edhe një herë debatin që kishte kohë që ishte harruar në diskursin politik të brendshëm. (Pa) mundësia e udhëtimit të Sali Berishës në SHBA ka qenë debat i kotë atëherë, është debat i kotë edhe tani. Sepse, thelbi i asaj goditjeje ndaj tij nuk kishte të bënte me biletë avioni, por me raport të qeverisë së Shteteve të Bashkuara me Sali Berishën.

Rikujtimi i kontekstit të asaj mase është i rëndësishëm për të kuptuar thelbin. Sekretari Blinken shpalli vendimin e tij në më pak se një muaj nga humbja elektorale parlamentare e dytë radhazi e Lulzim Bashës, pas dy humbjeve të tjera lokale (njëra përmes bojkotit). Mungesa e konkurrencës serioze brenda partisë, e ekspozonte Berishën si të vetmin personalitet që mund ta largonte këtë humbës kronik nga lidershipi i partisë më të madhe opozitare. Ndaj goditja që iu bë Berishës ishte veprim i mirëllogaritur për të mos cenuar Bashën. Ky i fundit i duhej si humbës edhe Ramës dhe atyre që qëndronin pas Ramës. E thënë kjo, ajo goditje nuk ishte ndaj Sali Berishës si individ, por goditje ndaj vetë opozitës dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Kjo u dëshmua edhe në kalvarin disa vjeçar gjyqësor për simbolet dhe trashëgiminë politike të Partisë Demokratike.

Ndryshe nga opinioni publik dhe ne nëpër studio, demokratët e thjeshtë e kuptuan thelbin e asaj goditjeje, ndaj iu bashkuan Sali Berishës në Foltore, në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe në luftën për të rimarrë partinë.

Këta demokratë e rrëzuan non-gratën si pjesë e debatit të brendshëm shqiptar më 11 dhjetor 2021 dhe rikonfirmuan këtë me 500 mijë votat në zgjedhjet e vitit të shkuar.

Shuarja e non-gratës si debat i brendshëm, nuk e kishte shuar atë si pengesë në raportet ndërkombëtare të Berishës dhe Partisë Demokratike. Për pesë vjet ata vazhdonin të ishin të izoluar diplomatikisht dhe politikisht. Ky izolim, i lejoi Edi Ramës ta kthente Shqipërinë në një narkoshtet, të vidhte zgjedhjet, të masakronte opozitën politikisht dhe ligjërisht, të burgoste lidershipin e saj, dhe të kthehej në një hajdut i babëzitur i parave dhe pronës publike.

Për pesë vjet, Sali Berisha nuk kishte asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me përfaqësitë diplomatike në Tiranë. Ndaj, lajmi dje nuk ishte heqja ose jo e non-gratës, por fakti se ai pati komunikimin e parë të drejtpërdrejtë me përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara në Tiranë për më shumë se gjysmë dekade. Jo nenet e një ligji specifik të SHBA-ve, por dalja nga izolimi diplomatik dhe politik është thelbi i lajmit të brendshëm. Me këtë, ai dhe partia e tij rikthehen në një interlokutor dhe partner jo vetëm i SHBA-ve por edhe i BE-së dhe vendeve anëtare të cilët edhe pse jozyrtarisht kishin ndjekur linjën e Shteteve të Bashkuara.

Siç kishte rëndësi konteksti i shpalljes në majin e vitit 2021, ka rëndësi konteksti tani. Prej 12 ditësh shqiptarët janë ngritur në këmbë kundër qeverisë së Edi Ramës. Protesta është e paprecedentë në 35 vite. Është një protestë që bashkon neo-marksistë dhe ballistë, myslimanë, islamistë, ortodoksë dhe katolikë; konservatorë dhe LGBT-istë; demokratë dhe socialistë. Një protestë që bashkon ambientalistë dhe sipërmarrës. Shumë prej tyre e quajnë revolucion. Po, në fakt protesta ka formën dhe përmbajtjen e një 'Revolucioni me ngjyrë', si në pranverën arabe, Ukrainë, Gjeorgji, etj. Deri dje. Nga dje, nuk është më i tillë, por një revoltë pikë së pari e gjithë Shqipërisë ndaj qeverisë, dhe sigurisht, rryma, grupime dhe partiçka që duan ta kapitalizojnë për vete, duke goditur majtas dhe djathtas.

Demokratët janë në shesh si forca më e madhe në sasi dhe cilësi. Nuk janë demokratët që iu bashkuan sheshit, por sheshi që iu bashkua demokratëve, pasi ata janë aty prej 13 vjetësh.

Ndaj, dita e djeshme nuk ishte dita e Sali Berishës, por dita e demokratëve. E atyre gjysmë milioni që qëndruan fort, përballë varfërisë, joshjes, goditjeve, burgosjeve, përçmimit, dhunimit dhe largimit. Ata pak protestues që thërrasin për rrëzimin e të gjithë sistemit duhet t'u jenë mirënjohës këtyre demokratëve që qëndruan dhe ua ruajtën sheshin dhe mundësinë e protestës. Le ta rrëzojnë Edi Ramën bashkë, dhe pastaj të ndjekin rrugë të ndara në zgjedhje të parakohshme, po të duan.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco