Dështimi i një eksperimenti diabolik

Dështimi i një eksperimenti diabolik

Nga Sonila Meço - 09/06/2026

Mes dobësimit të tejskajshëm të Ramës dhe mediatizimit të fortë ndërkombëtar, leximi i asaj që po ndodh në Shqipëri nuk mund të fillojë nga fundi i historisë.

Për të shkoqitur atë pezm që ka zënë një pjesë opinioni se cila është arsyeja e shpërthimit të pashoq dhe arkitektët pas saj duhet të rikthehemi tek fillimi i historisë.

Ama duhet kurajo intelektuale për t’u rikthyer tek zanafilla. Sepse në leximin që bëhet sot edhe nga mendje të mençura, por që heshtën a u përdorën përgjatë udhës së shndërrimit të Shqipërisë në një laborator eksperimental sui generis, analiza tkurret në debatet ideologjike të katedrave apo konteksteve të konflikteve të sotme europiane e amerikane.

Resortet janë vetëm fotografia e fundit që çdo grup interesi brenda e jashtë vendit e vendos ku t’i teket, por negativi është zhvilluar prej  më shumë se një dekade.

Në atë negativ gjenden kanabizimi, patronazhimi, kapja e shtetit, asgjësimi i konkurrencës politike, ekonomia e betonit, kartelet e drogës, pastrimi i parave, emigracioni masiv, kapja e drejtësisë, shpopullimi dhe normalizimi i lidhjeve mes pushtetit dhe botës kriminale.

Andaj në Shqipëri nuk ka dështim kapitalizmi. Shqiptarët kanë vite që jetojnë me dështimin e pilotuar të një shteti në laboratorin e eksperimentit të madh. Një eksperimenti për të provuar në mënyrë diabolike sa larg mund të shtyhen kufijtë e një demokracie pa e hequr kurrë fasadën e saj demokratike.

Sa mund të kontrollohen zgjedhjet pa i anuluar dhe pa i shpallur të panevojshme.

Sa mund të kontrollohet drejtësia pa e mbyllur.

Sa mund të asgjësohet opozita pa e nxjerrë jashtë ligjit.

Sa mund të përdoret krimi pa e shpallur aleat.

Sa mund të kontrollohet qytetari pa e shpallur armik.

Sa mund të shpopullohet vendi pa deklaruar krizë kombëtare.

Sa gjatë mund të funksionojë një shtet duke konsumuar kapitalin e vet njerëzor, institucional dhe moral, përpara se fatura të mbërrijë.

Si mund të ndërtohet një oborr i pasmë në ngrehinën europiane për gjithçka që të tjerët nuk e duan, një vend shkarkimi e depozitimi për problemet e të tjerëve pa asnjë pengesë, burokraci, protestë e rezistencë.

Shumë kërkojnë gjurmët e komplotit të tyre të preferuar. Dhe mund të ketë çdo lloj çakmaku në qarkullim. Por zemërata që e shndërron atë shkëndijë sado të simuluar në shpërthim të pakontrolluar është e vërtetë. E nuk i përshtatet asnjë kornize të vetme debati ideologjik a precedentësh.

Ai është produkti i akumuluar i një eksperience politike që ka zgjatur me vite. Një eksperiment i pazakontë edhe për standardet e Ballkanit.

Për më shumë se një dekadë, Shqipëria u shndërrua në laboratorin më të çuditshëm politik të Europës. Një vend i vogël, jo një humbëtirë gjeografike, por urë lidhëse historike kulturash, perandorish, sistemesh, ku mund të testohej sa larg mund të shkohet me një pushtet që flet si europian, sillet si feudal dhe menaxhon si kartel.

Ky ishte eksperimenti Rama.

Një model ku krimi u kthye në aksioner të pushtetit. Ku parlamenti u përdor si lavanteri legjitimiteti për krimin. Ku kanabizimi qe prova gjenerale e një ekonomie paralele që më pas mësoi të vinte kravatë, të blinte leje ndërtimi dhe të fliste si investitor strategjik. Ku zgjedhjet ndërkohë, u shndërruan në logjistikë pushteti.

Patronazhimi ishte çasti kur shteti kaloi nga “më voto” tek “unë e di kush je”. Të dhënat personale të qytetarëve, që në një demokraci janë gardhi i fundit mes individit dhe pushtetit, u bënë material fushate.

Përpos çdo emri, autokraci e narkoshtet, me këtë rrënim privatësie e sigurie ndodhi edhe ndryshimi i regjimit psikologjik.

Opozita nuk u mund thjesht politikisht, por u projektua të ekzekutohej si institucion. Herë me goditje juridike, herë me ndërhyrje lobistësh, herë me përçarje të importuar e herë me karikaturizim publik, sepse eksperimenti kërkon konstanten e fortë, jo vetëm të fitosh zgjedhjet, por të shkatërrosh edhe mundësinë që dikush tjetër të fitojë ndonjëherë.

Shoqëria civile u neutralizua me fonde, akses, frikë ose kooptim. Sindikatat u kthyen në relike. Media u kap për fyti me tendera, licenca, reklama, presion dhe shantazh.

Drejtësia u kap nga një reformë dështake për t’i shërbyer publikut, por garantuese e eksperimentit, që u kundërshtua edhe nga vendet fqinje.

Ambasadorët u shndërruan në përkthyes solemnë të interesave që nuk guxonin t’i lejonin në vendin e tyre, por u garantuan nga aksionerët e eksperimentit me të gjitha format e ushqimit tě instinktit primar.

Mund ta quajnë dështim të kapitalizmit, pasojë e luftës Trump-Soros, përplasja e Amerikës me veten në tokë shqiptare, makiavelizëm i një lideri. Por i sigurt është dështimi i një eksperimenti pushteti që zgjodhi ushtruesit e tij të bindur prej kapjes nga 1001 cene, fjalorin e Europës, pasigurinë e tranzicionit, paratë e krimit të organizuar, oligarkët me para buxheti, drejtësinë e kontrolluar, patronazhimin elektoral, propagandën digjitale dhe territorin publik, i futi të gjitha në një blender politik dhe e quajti “Rilindje”.

Andaj protesta mund të gjallojë nga shumë rryma në sipërfaqe, por ka vetëm një burim në thellësi, refuzimin e këtij modeli. E këtij modeli getoje, krijuar në mënyrë unike në trupin e Europës. Ndaj vështirë ta sistemosh me sforco si betejë kundër kapitalizmit e zhvillimit, por atij eksperimenti që gjeti të gatshmin e vetëm në Ballkan e Europë ta pranojë.

Nëse problemi do të ishte thjesht kapitalizmi, atëherë duhej të shihnim të njëjtat pasoja në të njëjtën shkallë në vende të tjera europiane me ekonomi tregu. Por ajo që po kundërshtohet në Shqipëri nuk është ekzistenca e tregut apo e investimeve private. Është mënyra sesi pushteti politik ka deformuar tregun, institucionet dhe shtetin. Një pjesë e madhe e zemërimit buron pikërisht nga fakti se Shqipëria nuk ka pasur kurrë një kapitalizëm normal me konkurrencë, siguri juridike, treg të hapur dhe institucione të pavarura. Shqipëria u bë vendi i depozitimit të gjithçkaje të palejuar e padëshiruar në Europë.

Debati i shëndetshëm sot është nëse Shqipëria do të mbetet republikë apo do të certifikohet përfundimisht si zonë e lirë për eksperimente politike, ekonomike dhe demografike.

Laboratori ka marrë flakë.

Ky është lajmi e nga këtu diskutimi si ndërtohet një Shqipëri e Re pa eksperimente në mes.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco