Një histori e madhe: Shtetet postkomuniste dhe drama e OJQ-ve, elitave dhe pluralizmit

Një histori e madhe: Shtetet postkomuniste dhe drama e OJQ-ve, elitave dhe pluralizmit

21:06, 08/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Blerim Vakaj

David Kauffman përkufizon se në shumë shtete post-komuniste, shoqëria civile nuk ka funksionuar si një mekanizëm mbrojtës ndaj kapjes së shtetit. Në vend të kësaj, organizatat e financuara nga jashtë shpesh zëvendësuan partitë politike të dobëta, duke krijuar tension midis demokracisë institucionale dhe aktivizmit qytetar.

Që nga rënia e komunizmit, vendet e Evropës Lindore u gjendën në një betejë të dyfishtë, të zjarrtë dhe shpesh kaotike. Nga njëra anë duhej të ndërtonin shtetin e ri demokratik, nga ana tjetër të përballeshin me ndikimet e jashtme që përpiqeshin t’i drejtonin drejt një modeli të hapur perëndimor. E jo thjesht të hapur, por të shpartalluar. Sipas shumë kërkimeve, pika kulmore e kësaj shpartallese ishte ngritja e një aktori të veçantë nga grupi i shumë OJQ-ve të financuara nga jashtë, të cilat përfitonin fonde marramendëse nga buxhetet e shteteve perëndimore, veçanërisht nga SHBA, siç dëshmohet edhe nga denoncimet publike të stafit të presidentit Trump para, gjatë dhe pas fushatës, por sidomos pas marrjes së pushtetit. Dhe përveç abuzimeve me fonde ka ngritur edhe pretendimet që këto organizata dhe shoqëri nuk e kanë realizuar qëllimin, për të cilin i kanë marrë këto fonde, duke vënë në pikëpyetje OJQ.  Ngritja e organizatave jo-qeveritare në shtetet e reja demokratike mund të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie, por kur ato bëhen më të fuqishme se institucionet parlamentare, rrezikojnë të polarizojnë shoqërinë dhe të pengojnë konsolidimin e demokracisë.

Fondacioni Soros dhe struktura të tjera të mbështetura nga SHBA dhe BE kishin si mision teorik demokratizimin e vendeve dhe asistencën për ndërtimin e institucioneve. Por a ndodhi kështu në realitet? Për shkak të rrethanave të ndryshme në secilin shtet postkomunist, roli i tyre nuk ishte i njëjtë. Në disa momente u bënë ‘oksigjen demokratik’, në të tjera u kthyen në ‘aktorë paralelë politikë’, duke zëvendësuar pluralizmin real me aktivizëm të centralizuar. Në disa raste u shndërruan në formë shteti paralel, sidomos në fushën mediatike dhe në vetë sistemin partiak, çka solli kundërreagime të forta dhe qeveri që vendosën kufizime të ashpra.

Për arsye objektive, në këtë analizë nuk do të marrim shembull Shqipërinë, por përmes analizës së pesë vendeve, do të arrini të kuptoni ku jemi, ku rrezikojmë të shkojmë dhe si mund të dilet nga ky ngërç politik me shumë pak pluralizëm të vërtetë në vend.

Jean Gruge thotë se për shumë vende të Evropës Lindore dhe Ballkanit, OJQ-të dhe fondacionet ndërkombëtare kanë sjellë një oksigjen të rëndësishëm demokratik, por shpesh veprimet e tyre të centralizuara dhe agjendat e jashtme kanë prodhuar një shtet paralel politik, ku pluralizmi real politik nuk u zhvillua.

1. GJEORGJIA: Nga Revolucioni i Trëndafilave në përplasjen mes shtetit dhe sektorit civil

Gjeorgjia ishte një tjetër vend ku OJQ-të kishin ndikim të jashtëzakonshëm pas vitit 2003. Fondacioni Soros dhe organizata të tjera, në mungesë të një alternative të besueshme opozitare, për shkak të ndikimit rus në vend dhe fijeve të vjetra që ndikonin qofshin në qeveri qofshin në opozitë me shantazhe ose kompromise, futën një frymë të reagimit të shoqërisë civile të njerëzve të lirë politikisht, por të promovuar dhe paguar nga fondacionet. Kjo çoi në një kulturë të re të luftës me denoncime antikorrupsion, transparencë dhe promovim të mediave të lira. Aktivistët e revolucionit u kthyen në ministra, deputetë, drejtues institucionesh.

Por më pas ndodhi lodhja që vjen natyrshëm kur një vend ndërtohet vetëm përmes energjisë civile dhe jo përmes stabilitetit institucional. OJQ-të shpesh kritikuan çdo qeveri, lufta dhe moskonsistenca e figurave dhe organeve politike bëri që këto fondacione, në përpjekje të hapësirave të veta, penguan konsolidimin e shtetit. Kjo solli kundërreagimin e ‘Georgian Dream’, që nga viti 2012 vendosi kufizime të forta mbi disa organizata të financuara nga jashtë.

Dhe çfarë ndodhi? Shteti u stabilizua më shumë, administrata u kthye më e qetë, ekonomia u orientua drejt investimeve reale dhe Gjeorgjia hyri në një fazë më të gjatë pa protesta të dhunshme. Një zhvillim më i prekshëm ekonomik, social dhe politik dha përshtypjen e një humbjeje të pluralizmit politik. Por kjo ishte vetëm përshtypje, sepse pluralizmi politik nuk humbi, ai thjesht nuk ishte ndërtuar në formën e vet dhe në organet e politikbërjes. Me një opozitë reale, partiake dhe të fortë, mungesa e fuqisë së OJQ-ve në raport me periudhën e 2012 bëri që kritikat ndaj qeverisë të tkurren dhe u dobësua fryma e demokracisë.

2. MOLDAVIA: Një vend midis dy epokave

Në Moldavi, roli i OJQ-ve ishte i jashtëzakonshëm në vitet 1998–2009. Ata ishin garantuesit e shoqërisë civile përballë elitave proruse. Por më pas ndodhi ajo që ndodh kur politika nuk ka partitë e veta të forta: OJQ-të filluan të mbushnin boshllëkun. Ky boshllëk krijoi tension, sepse nuk është mandati i tyre të drejtojnë politikën. Loja e pisët mes shtetit dhe shoqërisë civile çoi në zhgënjim publik. Çdo zë opozitar, pjesërisht apo i shoqërisë civile, dukej sikur ishte i destinuar të dështonte.

Pas ardhjes së Maia Sandu në 2020 në pushtet, shteti fitoi një stabilitet të ri, institucione më të forta dhe reforma sistemike. OJQ-të humbën pozitën e tyre dominuese dhe, sipas vlerësimeve ndërkombëtare, brenda dy viteve u zvogëlua korrupsioni, u forcua integrimi evropian dhe debati politik u zhvendos më shumë në parlament sesa në rrjetet sociale.

3. HUNGARIA: Studimi klasik i kundërreagimit ndaj aktivizmit të jashtëm

Deri në vitin 2010, Hungaria, për shkak të peshës së madhe specifike, si një shtet me tradita që mund të gjeneronte ekonomi dhe zhvillim të përbashkët europian, kishte fatin të kishte një sektor civil shumë të fuqishëm, të financuar nga BE dhe fondacionet ndërkombëtare të lidhura me interesat europiane. Aktivistët ishin të integruar në agjenci, media, institucione. Por vendi kishte ekonominë në kolaps, dhe për shkak të shumë faktorëve si: mungesa elitave, luftërat e të vjetërve me të rinjtë, ndërkombëtarët me vendasit, kjo situatë çoi në korrupsion të madh dhe institucione të dobëta.

Orbán mori pushtetin pikërisht për shkak të lodhjes së popullit dhe si një reagim ndaj këtij kaosi politik. Qeveria e tij forcoi shtetin, kufizoi OJQ-të që merrnin para nga jashtë dhe zhvendosi diskutimin politik nga organizatat civile në parlament. Kjo solli stabilitet financiar, rritje ekonomike, edhe pse pluralizmi u tkurr. Shumë teoricienë pranojnë se kjo ndodhi pikërisht nga vendi bosh që lanë OJQ-të dhe formacionet e huaja që bënin aktivizëm sipas agjendave të tyre, jo sipas interesit real opozitar politik.

4. SLLOVAKIA: Loja e gjatë mes elitave ish-komuniste dhe aktivizmit

Në vitet ‘90, Sllovakia u përball me një qeveri që donte të imitonte nacionalizmin e ngurtë, edhe për shkak të ndarjes nga Çekia. OJQ-të e financuara nga jashtë e kundërshtuan fuqishëm një nga personalitetet më ndikues në vend, Vladimir Meçiar (HZDS – Lëvizja për Sllovakinë Demokratike).

Qeverisja nën Meçiar u përshkrua shpesh si ‘demokraci e kontrolluar’, institucionet ishin formalisht parlamentare, por realisht pushteti ishte shumë i centralizuar. Kjo solli konflikte me standardet perëndimore, përplasje me opozitën, media, shkelje llogaridhënieje, mungesë transparence. Debati politik shpesh ikte nga parlamenti dhe kalonte tek protestat, mediat e aktivistëve dhe presioni publik, duke i dhënë Meçiar avantazhe politike.

Pas largimit të tij në zgjedhjet e vitit 1998, Sllovakia u fut në një periudhë hapjeje që shpesh quhet momenti i artë i rikthimit drejt Perëndimit. Qeveria e re reformiste nisi të rindërtonte institucione më transparente, të forconte sundimin e ligjit dhe të kthehej drejt standardeve europiane. Viti i suksesit të madh ishte 2004, kur vendi hyri në NATO dhe po atë vit u anëtarësua në Bashkimin Europian. Kjo u bë e mundur sepse qeveritë pas 1998 ndërprenë modelin autoritar të Meçiarit, realizuan reforma ekonomike dhe stabilizuan institucionet. Sllovakia u demokratizua, por modeli tregoi se nëse shoqëria civile dhe OJQ-të bëhen më aktive se partitë politike, krijohet tension dhe polarizim.

5. UKRAINA: Rruga e gjatë nga revolucionet e shesheve, te shteti që iu kthye luftës

Pas vitit 2004, Ukraina u bë ‘laboratori më i madh i aktivizmit të financuar nga jashtë’ në rajon. OJQ-të pro-demokracisë ushtruan ndikim të madh në rrëzimin e regjimeve pro-ruse, forcimin e medias së lirë dhe trajnimet e mijëra aktivistëve. Dhjetëra prej këtyre organizatave u bënë shtylla të Revolucionit Portokalli dhe Maidanit (Revolucioni i Dinjitetit, 2013–2014). Lëvizja kishte një përzierje të gjerë grupesh: OJQ, aktivistë, studentë, qytetarë të zakonshëm dhe disa politikanë opozitarë.

Mandatet e qeverive:

• Arseniy Yatsenyuk: Kryeministër nga mars 2014, drejtues i qeverisë tranzitore; konflikte me Rusinë, okupimi i Krimesë, fillimi i luftës në Donbas, reforma ekonomike.

• Petro Poroshenko: President 2014–2019; oligark pro-perëndimor, përqendruar në integrimin euro-atlantik, forcimin e ushtrisë dhe luftën kundër separatistëve pro-rusë.

• Volodymyr Zelensky: President nga prill 2019; nuk erdhi direkt nga OJQ, por rreth tij ka individë dhe grupe me lidhje me OJQ ndërkombëtare dhe projekte të Sorosit, që mund të ndikojnë në strategji politike ose përputhje me standarte perëndimore.

Asnjëri nuk vinte nga një opozitë e fortë. Institucionalisht dhe me traditë, Yatsenyuk ishte opozitar liberal, Poroshenko oligark, dhe Zelensky popullit reformist. Të tre pro-perëndimor, por asnjëri i ekuilibruar me realitetin e brendshëm. Nga një histori e gjatë vitesh korruptive, shumë NGO u bënë më të forta se partitë politike. Debati politik u zhvendos nga parlamenti tek rruga, sheshi, protesta dhe mediat.

Pas vitit 2019, Zelensky ndërmori një qasje tjetër: shteti u përqendrua rreth presidencës, qeverisë dhe ushtrisë. NGO-të u lanë në periferi, ndoshta sepse mjaftoi kapja e Presidencës. Lufta i forcoi institucionet formale dhe dobësoi organizatat e shpërndara. Ironikisht, shteti u bë më funksional, më agresiv diplomatikisht, më i unifikuar dhe më pak i përçarë, sepse debati dhe energjia politike kaloi nga rruga tek komandat, parlamenti dhe administrata.

Çfarë na tregojnë të gjitha këto vende?

Sa më shumë politika del nga institucionet dhe kalon në rrugë, protesta dhe media aktiviste, aq më shumë dobësohet shteti. OJQ-të janë të dobishme për llogaridhënie, por nuk mund të zëvendësojnë parlamentin. Ngritja e sektorit civil mbi partitë krijon tension të pashmangshëm. Vendet që u stabilizuan ishin ato që arritën ta rikthejnë debatin politik në institucione dhe t’i përcjellin OJQ dhe organizmat e huaj në vendin që u takon. Një shoqëri civile e fuqishme mund të nxisë transparencë, por vetëm nëse ekzistojnë partitë politike dhe institucionet që mund ta përthithin këtë energji. Kur OJQ-të marrin rolin e vendosur të qeverisë ose opozitës, pluralizmi real dhe demokracia konsoliduese shpesh minohen.

Departamenti Brain Gain-PD

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco