Propaganda e Ramës dhe tentativa për të çmontuar protestën nga brenda

Propaganda e Ramës dhe tentativa për të çmontuar protestën nga brenda

21:08, 25/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Blerim Vakaj

Ditët e fundit e kemi parë Ramën dhe ekipin e Rilindjes të përdorin një fushatë të egër dhe personale propagandistike.

Pse po e bën Rama këtë që po sulmon emër për emër, figurë për figurë?

Ai dhe ekipi i tij po bëjnë një vëzhgim të hollësishëm. Nuk më duket aspak rastësor, por i mirëmenduar. Për të gjetur pikat e dobëta të protestës.

Së pari, ai u jep mesazh të gjithë njerëzve se: ‘Shikoni, po ju vëzhgojmë mirë, një e nga një’. Me këtë synon të kompleksojë protestuesit dhe të bëjë që disa prej atyre që i druhen protagonizmit të tërhiqen. Dikush thjesht nuk dëshiron ta shohë fytyrën dhe emrin e vet në llogaritë e Ramës dhe të Rilindjes. Dikush i frikësohet edhe hijes së vet. Dikush tjetër mendon se mund të mos marrë shërbimin e duhur në zyrat e shtetit.

Së dyti, ai po përpiqet të zgjedhë vetë ekipin e kundërshtarit që dëshiron të ketë përballë në fushën e lojës. Duke veçuar disa anonimë apo edhe protagonistë të protestës dhe duke injoruar të tjerët, apo dhjetëra mijëra qytetarë që protestojnë, ai synon të krijojë çoroditje dhe të largojë vëmendjen nga kërkesat e përbashkëta. Dikujt mund t’i nxisë xhelozi, dikujt tjetër përçarje. Logjika është e thjeshtë: të fillojnë pyetjet brenda vetë kampit kundërshtar. Pse sulmoi atë e jo mua? Pse e përmendi këtë dhe jo atë? Pse e konsideron rrezik njërin dhe jo tjetrin? Pse përmendi hoxhallarët dhe jo priftërinjtë?

Së treti, si mjeshtër propagande ai po përdorë artin e kontrollit të turmave.  Gustave Le Bon në analizat e tij mbi turmat, thekson se një masë e bashkuar është më e vështirë për t’u përballuar sesa një turmë e shpërndarë në individë. Prandaj një nga mënyrat më të vjetra të pushtetit është ta zhvendosë përplasjen nga ideja te personi, nga kauza te emri, nga kërkesa e përbashkët te protagonisti i radhës. Sepse në momentin kur njerëzit fillojnë të merren me atë se kush u përmend, kush u sulmua, kush u la jashtë, kush duhet të dalë përpara dhe kush jo, energjia e një kauze fillon të tretet në debate të brendshme.

Përveç kësaj, ai përdor disa individë për të dëmtuar besueshmërinë e shumicës. Herë me infiltrime, me agjentura, etj Nuk është aspak larg mendjes kur sheh intelektualë të vetëquajtur, ose të quajtur nga të tjerët, që shkrihen në turmën e protestës si anonimë, ndërsa disa prej atyre që marrin megafonin apo mikrofonin lënë shumë për të dëshiruar.

Kur vëmendja zhvendoset nga kauza te personazhet, protesta humbet energji duke u marrë me emra dhe grupime të veçanta. Kjo është një taktikë e njohur politike: në vend që të përballesh me turmën si një e tërë, përpiqesh t’i kthesh individët kundër njëri-tjetrit dhe të ndikosh se kush do të jetë fytyra e kundërshtarit.

Protesta ka hyrë në ditën e 26-të. Ndërsa të gjithë kanë një milion arsye për të protestuar dhe një pjesë të mirë të tyre i kanë artikuluar me fjalë apo me shenja, me shumë vështirësi u konkluduan vetëm katër ose pesë pika kryesore. Ndër to edhe kërkesa për një qeveri tranzitore jopartiake.

Noam Chomsky thekson se mënyra më e zgjuar për t’i mbajtur njerëzit pasivë është të kufizosh spektrin e mendimit të pranueshëm, por të lejosh debate shumë të gjalla brenda atij spektri. Kjo shihet edhe në disa nga debatet tona, si p.sh. te ideja e qeverisë jopartiake, ‘Rama në burg, Berisha në burg’, ‘poshtë politika e vjetër, Shqipëri e re’. Pra, ndërkohë që kufizohet hapësira e mendimit dhe e kërkesave reale, debati lihet të zgjerohet me lloj-lloj përplasjesh, tezash dhe emocionesh.

Kjo protestë e madhe shqiptare, si në numra ashtu edhe në ditëzgjatje, edhe pse brenda veted ka një elitë intelektuale e politike të mirë, por nuk po arrijnë të dalin në krye. Por në përpjekje pak jo-logjike, po synojnë të bashkojnë të mundshmen me të pamundshmen, sepse sado që ato të afrohen, gjithmonë do të mbetet një fije e hollë ndarëse mes tyre.

Kjo protestë nuk dobësohet vetëm nga presioni i jashtëm. Ajo dobësohet edhe nése nuk arrin të prodhojë një qartësi të brendshme dhe synon të shtroj kërkesa pa llogjikë: Është e vështirë të imagjinohet, edhe në skenarët më optimistë, që një elitë politike, me të mirat dhe të këqijat e saj, të heqë dorë nga morali i fundit politik: të bërit politikë deri në pikën e fundit.

Nisur nga kjo, nganjëherë duket sikur kërkesa për një qeveri jopartiake është një letër-porosi e shkruar nga vetë Rama, sepse nuk bind pothuajse askënd.

Pastaj, me çfarë logjike kërkohet një qeveri tranzitore jopartiake, kur ne kemi institucione të tjera jopartiake, të cilat po ashtu nuk gëzojnë besimin dhe mbështetjen e këtyre protestuesve?

*Anëtar i Departamenti ‘Brain Gain PD’

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco