Nga Felix Bilani/
Sot po përballemi me një paradoks tragjik: në kulmin e zhvillimit teknologjik, po shohim degradimin më të madh të qenies njerëzore. Gjenerata Z, e vetëshpallur si "arkitektja e së ardhmes", po ndërton një botë mbi rërë, duke mohuar themelet prej guri të brezit që i dha jetë, arsim dhe teknologji, duke u kthyer kështu në diktaturë algoritmike e cila është kundër shkencës.
Për këtë gjeneratë, e vërteta nuk gjendet më në laboratorë, në biblioteka apo në përvojën 30-vjeçare të një profesionisti; për ta, "e vërteta" është ajo që zgjat 15 sekonda në një video vertikale, dhe kjo bëri që arsimi të vdesë, sepse ata nuk duan të mësojnë procesin, duan vetëm rezultatin. Shkenca kërkon durim, disiplinë dhe dështim. Rrjetet sociale u ofrojnë "shkurtore" që nuk të çojnë askund, përveçse në mendim të shpëlarë, ku truri i tyre është kthyer në një pasqyrë të algoritmit. Nëse nuk është në Instagram, nuk ekziston. Nëse nuk ka "like", nuk vlen. Kjo nuk është liri, është skllavëria më e sofistikuar në historinë e njerëzimit, dhe këtu përballemi me arrogancën e injorancës, duke deklaruar se ne, pra Gjenerata Z, presim të shuheni ju që ne të vendosim rendin e ri dhe të ndryshojmë botën, duke harruar se asgjë nuk është më e rrezikshme se një injorant që ka në dorë një mjet të fuqishëm komunikimi.
Fraza "presim të shuhet brezi i vjetër" është dëshmia e një dështimi moral dhe intelektual, sepse ata mendojnë se bota filloi me iPhone-in, dhe mohimi i brezit të 50-vjeçarëve të shkolluar është si të presësh degët e pemës ku je ulur vetë. Pa strukturën, logjikën dhe moralin e punës së brezit të vjetër, Gjenerata Z do të mbytej në një gotë ujë sapo t’u fiket bateria e telefonit. Shpesh kemi parë brezin e Gjeneratës Z të sillen në një mënyrë të egër, duke sharë e mallkuar mungesën e sinjalit, sepse nuk po bëjnë scroll, dhe këtu shfaqet dobësia e tyre totale prej idioti histerik. Një brez që pretendon se do të zhvillojë njerëzimin, kalon në gjendje kafshërore nëse i ikën interneti për dy orë, dhe e kthen dhunën si mbrojtje.
Mungesa e internetit i zhvesh ata nga identiteti i rremë. Pa ekranin përpara, ata nuk dinë të komunikojnë, nuk dinë të debatojnë, nuk dinë as të mendojnë; ky boshllëk shpirtëror shndërrohet në agresivitet dhe dhunë, sepse "truri i shpëlarë" nuk ka asnjë mekanizëm tjetër për të përballuar realitetin, dhe realiteti i tyre është varësia si sëmundje e pashërueshme, pa medikament, pa zgjidhje, sepse ata nuk janë përdorues të teknologjisë, ata janë pengje të saj. Një njeri që nuk rri dot pa një pajisje, nuk është i lirë të udhëheqë as veten, e jo më të udhëheqë botën.
Dhe këtu shtrohet pyetja: zhvillim apo regres?
Ata thonë se rrjetet sociale zhvillojnë njerëzimin, dhe kjo është një gënjeshtër e trashë, sepse rrjetet sociale zhvillojnë konsumin, narcizmin dhe sipërfaqshmërinë.
Zhvillimi i vërtetë ka ardhur nga njerëz që kanë qëndruar me vite mbi libra, që kanë bërë luftëra, që kanë ndërtuar ura dhe kanë shëruar sëmundje me mund e sakrificë, ndërsa Gjenerata Z po prodhon "influencerë" që nuk dinë të mbajnë një laps në dorë, por pretendojnë të na mësojnë si të jetojmë. Pra, nëse bota lihet në duart e një brezi që adhuron imazhin dhe urren thellësinë, jemi drejt një katastrofe të paralajmëruar. Një botë pa memorie, pa respekt për përvojën dhe pa aftësi për të mbijetuar jashtë rrjetit, është një botë që nuk po zhvillohet, por po vetëshkatërrohet.
Brezi i 50-vjeçarëve nuk po "shuhet"; ai është e vetmja gjë që po mban ende në këmbë peshën e një realiteti që Gjenerata Z as nuk e kupton, as nuk e kontrollon dot. Kur të kuptojnë se "followers-at" nuk të japin bukë dhe as nuk të mbrojnë nga e keqja, do të jetë vonë për të kërkuar ndihmën e atyre që sot i përbuzin.
© SYRI.net