Kryeministri Edi Rama nuk ndal sulmin ndaj gjyqtarit të gjykatës Administrative, Hazbi Balliu për vendimin që lidhet me pallatin e konfiskuar nga KKT-ja, - një hotel 6-katësh në afërsi të Liceut Artistik - ku qeveria kishte planifikuar të vendoste Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Në një postim në facebook Rama hedh aludime se gjyqtari nuk ka lexuar provat që shteti kishte vendosur në dispozicion.
Atë që Rama nuk përmend është se vendimi i gjyqtarit Hazbiu u mbështet në një vendim që vetë Rama ka firmosur vendimin e qeverisë nr. 589, datë 7.9.2022, që favorizon ndërtuesit e paligjshëm dhe ligjëron antishtetin.
"As 10 minuta nuk i janë dashur gjykatësit Balliu që t’i dalë kundër shtetit dhe të marrë anën e paditësve që kanë bërë një pallat të tërë pa leje, i cili u konfiskua si i tillë e iu dha Agjencisë Shtetërore të Kadastrës
Materialet që institucionet i vunë në dispozicion Balliut duan shumë më tepër se 9 minuta të lexohen, por natyrisht që gjykatësi as nuk i ka lexuar sepse i ka mjaftuar fakti që në godinën e vjetër të ASHK, e cila është bërë e pasigurtë nga tërmeti nuk ka pasur asnjë viktimë dhe kësisoj puna sipas tij mund të vazhdonte nën tavanët që binin, ndërsa pallatin pa leje shohim e bëjmë" shkruan Rama.
Vendimi
Vendimi i vitit 2022 bën fjalë për konfiskimin e pallateve pa leje për interes publik.
Vendimi u mundësoi shumicës së ndërtuesve që kishin shkelur lejet në qendër të Tiranës të parablinin shtesat pa leje me çmime 10 herë më lirë se vlera e tregut dhe të përfitonin qindra mijëra euro përjashtime nga taksat dhe tarifat.
Hoteli 6-katësh në afërsi të Liceut Artistik, i ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit nga kompania RT Max në pronësinë e Thanas dhe Robert Biqikut, ishte në listën e godinave të konfiskuara me vendim të KKT-së, por ndryshe nga pallatet e tjera, kompanisë nuk iu dha e drejta e parablerjes edhe pse depozitoi 10% të vlerës së supozuar të ndërtimit në Ministrinë e Financave. Në qershor të këtij viti, Komisioni i Objekteve të Konfiskuara vendosi ndryshimin e destinacionit të godinës në zyra për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, pasi godina ekzistuese që ndodhet në afërsi të Parkut të Liqenit ishte vlerësuar si godinë me rrisk si pasojë e tërmetit të vitit 2019. Bazuar në këtë vendim Kompania RT Max u ankua në Gjykatë me një kërkesë për sigurim padie ndaj vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara.
Dhe gjyqtari mori vendimin për sigurimin e padisë, e cila përndryshe nga sa thotë kryeministri, nuk heq konfiskimin, thjesht u lejon pronarëve të kontestojnë në rrugë gjyqësore rastin, duke pezulluar ekzekutimin e vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara
Edhe kryetari i grupit parlametar të PD-së i bëri publik dje vendimin e Ramës që mbron ndërtuesit e paligjshëm.
Ndërkohë edhe pse taksapaguesit (shqiptarë dhe evropianë) kanë shpenzuar mbi një miliardë euro për të rindërtuar objektet e dëmtuara nga tërmeti zyrën e Kadastrës e la të pariparuar.
Lexo dhe: Rama la Kadastrën 4 vjet në godinën e dëmtuar nga tërmeti
© SYRI.net