Kryeministri Edi Rama nuk ndal sulmin ndaj gjyqtarit të gjykatës Administrative, Hazbi Balliu për vendimin që lidhet me pallatin e konfiskuar nga KKT-ja, - një hotel 6-katësh në afërsi të Liceut Artistik - ku qeveria kishte planifikuar të vendoste Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
Vendimi ka të bëjë me sigurimin e padisë për të mos lejuar tjetërsimin e objektit deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Gjyqtari e mbështeti vendimin mbi bazën e një akti të firmosur më herët nga vetë kreu i qeverisë, Rama për të njohur të drejtën e parablerjes.
Por pikërisht ky vendimi i gjyqtarit Balliu, që është thjesht një procedurë standarde në një proces gjyqësor, për Ramën është një ‘dalje nga rreshti’. Prandaj gjyqtari që merr vendime kundër qeverisjes së tij i bëhet ‘gjyqi publik’.
Sulmi i Ramës
Në komentin e tij Rama akuzon gjyqtarin Balliu se si prokurorja e Shkodrës Gjeli është renditur krah ndërtuesve të paligjshëm dhe publikon një pjesë të vendimit të zbardhur të gjyqtarit. Kryeministri kritikoi gjithashtu Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke thënë se ‘po vënë në rrezik fatet e vetë refomës në drejtësi.
“Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u vendos të sistemohej Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti. Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit a të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre gjithnjë e më i rrezikshëm për fatet e vetë Reformës në Drejtësi” thuhet në reagimin e Ramës.
Ai publikon dhe foto të godinës ku ka rënë tavani pas tërmetit të 2019
Kadastra 6 vite në godinën e dëmtuar nga tërmeti
Bëhet fjalë për një hotel 6-katësh në afërsi të Liceut Artistik, i ndërtuar në shkelje të lejes së ndërtimit nga kompania RT Max në pronësinë e Thanas dhe Robert Biqikut, që ishte në listën e godinave të konfiskuara me vendim të KKT-së. Por ndryshe nga pallatet e tjera, kompanisë nuk iu dha e drejta e parablerjes edhe pse depozitoi 10% të vlerës së supozuar të ndërtimit në Ministrinë e Financave.
Në qershor të këtij viti, Komisioni i Objekteve të Konfiskuara vendosi ndryshimin e destinacionit të godinës në zyra për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, pasi godina ekzistuese që ndodhet në afërsi të Parkut të Liqenit ishte vlerësuar si godinë me rrisk si pasojë e tërmetit të vitit 2019.
Kompania RT Max ngriti padi mbi bazën e ligjit për administrimin e objekteve të konfiskuara dhe vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 589/2022, i cili parashikon të drejtën e parablerjes për subjektet zhvilluese. Kompania pretendoi se ka paguar garancinë dhe ka qenë në pritje të formalizimit të kontratës për blerjen e shtesave të objektit, por nuk ka marrë ende përgjigje zyrtare nga autoritetet.
Vendimi i gjyqtarit
Më 31 korrik 2025, gjyqtari Balliu pranoi kërkesën për sigurim padie dhe vendosi pezullimin e zbatimit të vendimit të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara.
Në arsyetimin e tij, gjyqtari thekson se Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka vijuar punën prej më shumë se katër vitesh në të njëjtën godinë, edhe pas tërmetit, dhe në gjykatë nuk janë sjellë prova që shërbimi nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese.
Ai gjithashtu argumenton se shteti mund të disponojë edhe objekte të tjera të konfiskuara ku ASHK mund të zhvendoset, qoftë edhe përkohësisht.
Gjykata vlerëson se ASHK ka funksionuar edhe pas vitit 2021 për 4 vite rresht në të njëjtën godinë dhe nuk ka prova që ky shërbim nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese. Pavarësisht se punonjësit e ASHK-së mund të mos jenë në hapësira komode me ushtrimin e detyrave të tyre kjo situatë nuk mund të vlerësohet se përbën cënim të rëndë të interest public që paralizon veprimtarinë e ASHK-saë nëse pezullohte zbatimi i vendimit nr 6 datë 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfsikuara.
Palët e treta nuk provuan se shteti nuk ka në dispozicion as objekte të tjera në pronësi, përvec objektit të konfiskuar të kërkuesit në të cilat ASHK mund të sistemohet qoftë provizorisht. Vetëm nëse do të ishin të pranishme rrethanat… “
Sulme të përsëritura ndaj gjyqtarëve
Ky nuk është rasti i parë që kryeministri Rama sulmon publikisht magjistratë për vendimet e tyre duke i ushtruar presion.
Vetëm gjatë këtij viti, Rama ka atakuar direkt gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, një gjyqtare të Tiranës që rrëzoi padinë e tij për shpifje ndaj Lulzim Bashës si dhe prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli për kallëzimin penal të kabinave pa leje në fshatin turistik të Thethit.
© SYRI.net