Berisha, foli për raportin e Komisionit Evropian mbi shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një mbështetje të rëndësishme për opozitën dhe qytetarët shqiptarë.
Ai u shpreh se raporti evidenton shqetësime të rëndësishme për funksionimin e institucioneve, rastin Beleri, imunitetin parlamentar dhe hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë.
Kreu i demokratëve deklaroi se opozita do të vijojë t’u paraqesë institucioneve evropiane, vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, atë që ai e cilësoi si realitetin politik dhe institucional në Shqipëri. Sipas Berishës, përballë situatës aktuale nevojiten si dialogu me ndërkombëtarët, ashtu edhe protestat qytetare, të cilat ai i konsideroi rrugën kryesore për rikthimin e votës së lirë në vend.
Mario Rruna: Doktor Berisha, raporti i Komisionit Europian për shtetin e së drejtës ngriti shqetësime për rastin Beleri, imunitetin parlamentar dhe pengimin e hetimeve për korrupsionin e nivelit të lartë. A prisni që Bashkimi Europian të ushtrojë presion real, apo vetëm protestat e fuqishme qytetare mund ta detyrojnë drejtësinë të veprojë?
Sali Berisha:
Mario, edhe një herë dua të falënderoj komisionerin MacGreth dhe ekipin e tij për raportin objektiv që kanë hartuar dhe firmosur për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Dhe unë mund t'ju them ju se kjo shënon një hap shumë të rëndësishëm. Një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ju siguroj se ky është një hap i parë dhe se opozita shqiptare do të bëjë gjithçka për të faktuar të vërtetat e këtij vendi pranë Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian siç ka bërë gjer sot. Natyrisht, të dyja format janë të domosdoshme.
Një dialog intensiv me Bashkimin Europian, institucionet e tij, komisionin, parlamentin, vendet anëtare, është i domosdoshëm, qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për të paraqitur realitetin shqiptar siç është.
Por nga ana tjetër, e kam theksuar dhe e theksoj, se protesta dhe vetëm protesta është rruga e realizimit të misionit të opozitës për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.
© SYRI.net