Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi ndaj raportit të fundit të Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës, duke e cilësuar atë si një goditje të fortë ndaj qeverisjes së Edi Ramës.
Berisha akuzoi kryeministrin për mbrojtje të korrupsionit dhe për sulme ndaj institucioneve të drejtësisë, duke u ndalur veçanërisht te çështja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilën e cilësoi si një problem tashmë të evidentuar edhe në nivel evropian.
Kreu i demokratëve deklaroi se raporti i Komisionit Evropian evidenton, sipas tij, problemet me korrupsionin, pavarësinë e institucioneve, lirinë e medias dhe funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Berisha tha se qëndrimi i qeverisë ndaj institucioneve të drejtësisë dhe medias përbën një tjetër dëshmi të krizës politike të mazhorancës.
Sipas Berishës, raportet dhe reagimet ndërkombëtare po e ekspozojnë gjithnjë e më shumë qeverisjen e kryeministrit Rama, ndërsa ai kërkoi përgjegjësi politike për çështjet e ngritura në dokumentet e institucioneve evropiane.
Fjala e tij:
Së fundi, Edi Ramës, narkodiktatorit të Tiranës po i del boja në të katër anët e botës.
E vërteta është se mediat, prej shumë e shumë kohësh, dhe në veçanti këto muajt e fundit, kanë portretizuar Edi Ramën ashtu siç është, një narkodiktator, një njeri që nuk njeh ligje as Kushtetutë, një avokat të tmerrshëm të korrupsionit të tij dhe ministrave të tij.
Organizata të mëdha politike ndërkombëtare e kanë demaskuar atë.
Por një raport tjetër që vjen Komisioni Evropian për shtetin ligjor, mediat e lira, drejtësinë, damkos Edi Ramën dhe regjimin e tij në mënyrën më të fuqishme.
Mbrojtjen që ai i bëri korrupsionit të Lubi Ballukut me emër, sulmet e paprincipta ndaj organeve të drejtësisë nga Edi Rama, korrupsionin e shfrenuar të policisë së shtetit dhe institucioneve të tjera.
Lubi Balluku është bërë tashmë çështje jo vetëm e shqiptarëve, por çështje e BE.
Qëndrimi i tij ndaj medieve damkoset.
Natyrisht të gjitha këto janë dëshmi e plagosjes përfundimtare të Edi Ramës dhe regjimit të tij.
© SYRI.net