Kur djalli përmend engjëllin

Kur djalli përmend engjëllin

12:36, 18/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Luçiano Boçi/

E keqja e përmend të mirën jo për ta nderuar, por sa herë i duhet për t’u fshehur pas saj. 
Thënë ndryshe: Djalli gjithmonë për të konfirmuar ekzistencën e vet përmend Engjëllin.
Kjo ndodhi pikërisht në prezantimin e djeshëm i projektit “Smart City”, gjë që shënoi një kufi të ri të instrumentalizimit politik. 

Edi Rama zgjodhi të përmendte emrin e Martin Canit, 14-vjeçarit të vrarë mizorisht pranë shkollës së tij, për të mbështetur e justifikuar projektin e radhës të mbikëqyrjes teknologjike.

Përmendja e Martinit nuk ishte thjesht e vetëm mungesë ndjeshmërie. Ishte një përpjekje diabolike për të ndryshuar qendrën e debatit publik e për të mbuluar dështimin e shtetit në mbrojtjen e jetëve të fëmijëve pranë shkollave. 
E kur shteti dështon përgjegjësia nuk mund të zhvendoset te algoritmet, te TikTok-u apo te teknologjia siç u përpoq të bënte Rama dje.
Sepse ajo mbetet aty ku ka qenë gjithmonë, te institucionet, te policimi, te shkolla dhe te qeverisja.

Është shumë më e lehtë të flasësh për inteligjencën artificiale, sesa për dështimin qeveritar dhe duket shumë më komode të premtosh kamera që do të shohin gjithçka, sesa të pranosh se shteti nuk pa atë që po ndodhte përpara syve të tij.

Këtë narrativë hipokrite e rrëzuan menjëherë ata që kanë autoritetin e vetëm moral për të folur, familjarët e Martin Canit. 
Refuzimi i tyre publik që emri i djalit të mos përdorej si dekor propagandistik ishte përgjigjja më dinjitoze ndaj këtij cinizmi. 
Ky reagim i kujtoi Ramës qartë atë që ai e harron shpesh.
Që një tragjedi nuk është material komunikimi dhe një fëmijë i vrarë nuk është argument për të shitur një projekt qeveritar.

Kamerat mund të regjistrojnë çdo lëvizje e inteligjenca artificiale mund të analizojë miliona të dhëna. 
Kjo është e vërtetë.
Por asnjë teknologji nuk mund të zëvendësojë shtetin që mungon, institucionin që nuk vepron dhe përgjegjësinë që shmanget.

Prandaj momenti më domethënës i prezantimit të “Smart City” nuk ishte ekrani gjigant, as grafikat dhe premtimet futuriste. Ishte çasti kur propaganda u përplas me dhimbjen e një familjeje dhe humbi.

Sepse propaganda mund të blejë kamera, serverë dhe ekrane. Mund të ndërtojë edhe një qytet të tërë “smart”. Por nuk mund të blejë kurrë të drejtën për ta përdorur një engjëll për të fshehur dështimet e saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco