Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje demokratëve që t’i bashkohen protestës qytetare në Tiranë dhe të angazhohen për mbarëvajtjen e saj. Berisha e cilësoi protestën si një lëvizje të rëndësishme qytetare, duke akuzuar qeverinë Rama për presion dhe intimidim ndaj pjesëmarrësve dhe organizatorëve të saj.
Kreu i demokratëve deklaroi se protesta ka vijuar pavarësisht, siç u shpreh ai, “terrorizmit qeveritar”, ndërsa pretendoi se ajo ka marrë mbështetje të gjerë edhe jashtë vendit. Berisha u kërkoi mbështetësve të PD-së që të marrin pjesë si qytetarë në këtë lëvizje dhe të kontribuojnë për suksesin e saj.
Fjala e tij:
Gjatë kësaj jave vazhdoi me heroizëm epik protesta rinore qytetare në bulevardin e Tiranës, pavarësisht nga terrori qeveritar i Edi Ramës dhe falangave të tij të krimit ndaj eksponentëve të kësaj proteste dhe pjesëmarrësve të saj.
Kryengritja paqësore e rinisë dhe qytetarëve shqiptarë vazhdoi e pamposhtur duke siguruar mbështetje të madhe ndërkombëtare.
Duke shprehur edhe njëherë mbështetjen më të fuqishme për këtë lëvizje, për këtë protestë të paprecedent që nga vitet ’90 në historinë e Shqipërisë, ftoj çdo demokrate e demokrat të marrin pjesë në frymën e saj si qytetarë, të bëjnë gjithçka për suksesin e saj.
© SYRI.net