Berisha: Të rinjtë e zgjedhur në PD përfaqësojnë vlera shumë të çmuara për partinë dhe për vendin

13:05, 18/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha, mbrojti përfshirjen e figurave të reja në strukturat drejtuese të PD-së, duke iu përgjigjur kritikëve që i kanë cilësuar ato si persona pa eksperiencë të mjaftueshme politike.

Ai u shpreh se të rinjtë e zgjedhur përfaqësojnë vlera të rëndësishme për partinë dhe vendin, duke theksuar se shumica e tyre kanë formim të lartë profesional dhe akademik brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Kreu i demokratëve deklaroi se ripërtëritja ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e anëtarësisë së PD-së dhe një nga objektivat kryesore të procesit të riorganizimit të partisë. Berisha vlerësoi kontributin e figurave tradicionale të demokratëve, por theksoi se sfidat politike dhe përballjet e viteve të fundit e kanë bërë të domosdoshme afrimin e një brezi të ri në drejtimin e forcës politike.

Linort Dërmeni: Përshëndetje Doktor. Kritikët thonë se në drejtimin e Partisë Demokratike janë zgjedhur të rinj pa përvojë politike apo partiake, apo persona pak të njohur për publikun. Si i përgjigjeni këtyre kritikave?

Sali Berisha:

Të falënderoj për pyetjen. Këto kritika kanë të drejtë në fakt. Sigurisht të rinjtë nuk mund të pretendohet se kanë shkallën e njohjes me të tjerët që kanë shumë më tepër vite, emrat e të cilëve lakohen në shoqëri, në parti dhe në shoqëri. 
Por nga ana tjetër, unë kritikëve u them se të zgjedhurit e rinj përfaqësojnë vlera shumë të çmuara. Jo vetëm për Partinë Demokratike, por për vendin në tërësi. 
Mund të them se të zgjedhurit e rinj në CV-të e tyre, brenda dhe jashtë Shqipërisë, kanë ekselencë, shumica e tyre. Kanë pasionin dhe vullnetin për të shpalosur energjitë e tyre. 
Dhe unë besoj, biem dakord të dy, që kërkesë themelore për këtë forcë politike ka qenë ripërtëritja. 
Për vetë historikun e saj, ata që e sollën Partinë Demokratike në këtë situatë, për mua ata janë heronj të vërtetë. Sepse ata i rezistuan një terrori, një përpjekje ndoshta të paprecedent në historinë e Evropës, për të vënë në kontroll forcën e tyre politike. Për ta asgjësuar opozitën e vërtetë në këtë vend. 
Ata meritojnë të gjithë një nderim dhe vlerësim të jashtëzakonshëm. Por natyrisht, ne nuk mund të mohojmë se beteja jonë për sovranitetin e brendshëm të vendit, mbasi asnjë vend pa opozitë sovrane nuk ka sovranitet të brendshëm- beteja jonë për të qëndruar opozitë e vërtetë ka pasur çmimet e saj. 
Kështu që ripërtëritja ishte absolutisht kushtrimi i çdo demokrati dhe demokrateje, i çdo qytetari dhe qytetareje. Ndaj unë që në fillim të rithemelimit dola me moton, në qoftë se ju kujtohet, për një Parti Demokratike më të fortë, më të bashkuar, më të hapur. 
Arresti 333 ditë, unë punova në këto drejtime, të them të vërtetën. Punova shumë në këto tre drejtime. Por në një drejtim, arresti 333 ditë më pengoi mua në një shkallë të caktuar që të mund të avancoja në procesin e hapjes dhe ripërtëritjes. 
Por kisha deklaruar se Partia Demokratike ka vlera. Ka individë me vlera nga më të veçantat dhe më të çmuarat. 
Dhe ju siguroj që ka dhe plot të tjerë që ju do t'i njihni në kohërat që vijnë. 
Kështu që bazuar në këtë divizë, Kuvendi përcaktoi ripërtëritjen si moto kryesore tonë, dhe ne do t'i qëndrojmë asaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco