Berisha: Sulmi i djeshëm terrorist ishte fillimi i kryengritjes së organizuar nga Vuçiçi me porosi të Kremlinit

12:31, 25/09/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, komentoi sot sërish sulmin terrorist në veri të Kosovës.

“Sulmi i djeshëm terrorist në manastirin e Banjskës ishte fillimi i kryengritjes së armatosur, të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon.

Për PD, dje rajoni ynë përjetoi ngjarjen më të rëndë në fushën e sigurisë, që nga përfundimi i luftës për çlirimin e Kosovës.

Fillimin në ora 3 mëngjesit në Zveçan të kryengritjes së armatosur të organizuar nga Beogradi i serbëve në veri të Kosovës.

Kjo kryengritje, siç do ta quante sulmin terrorist vetë Aleksandër Vuçiç, shënonte fillimin e skenarit të njoftuar publikisht nga Kremlini për hapjen e një konflikti të ri, krahas atij të Ukrainës, në Ballkan për interesa të mirëfillta të rusomadhisë dhe serbomadhisë.

Ky skenar u përgatit me kujdes në rrafshin politik dhe ushtarak nga Beogradi, në funksion të radikalizmit të gjendjes dhe përgatitjes së kryengritjes së armatosur, është tërhequr pa asnjë shkak ligjor, nga serbomadhi Vuçiç, i tërë kontingjenti i serbëve nga ët gjitha institucionet e Kosovës.

Krahas këtij akti destabilizues, Beogradi ndërmori prej disa muajsh futjen në Kosovë të forcave të veta speciale, mercenarëve rusë të Wagner, kriminelëve dhe vrasësve ordinerë, me të cilët Aleksandër Vuçiç ndan pushtetin.

Përveç këtyre, Beogradi futi në Kosovë armatime të shumta, duke i depozituar ato edhe në Kisha, në përpjekje djallëzore për t’i dhënë konfliktit që do shpërthente, nuanca fetare.

Të gjitha këto akte të rënda ndaj sovranitetit të Kosovës janë denoncuar në mënyrë të përsëritur nga autoritetet e Kosovës, mediat dhe autoritetet ndërkombëtare si kryetarja e Komisionit të Jashtëm në parlamentin britanik, e nderuara Alicia Kearns, etj.

Kryengritja e armatosur e organizuar nga Beogradi, filloi dje në Zveçan në territorin e manastirit të Banjskës nga një grup terroristësh prej 30 vetësh, i përbërë nga oficerë të ushtrisë serbe, mercenarë rusë dhe kriminelë lokalë të armatosur gjer në dhëmbë, i cili në ora 3 të mëngjesit sulmoi me të tëra mjetet njësitë e policisë së Kosovës dhe vrau në detyrë, rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosi dy të tjerë.

Kryengritja që kishte për synim vënien në kontroll të territorit të veriut të Kosovës, shënonte edhe fillimin në rajon të konfliktit të porosotir dhe shumëpritur nga Kremlini.

Por policia e Kosovës, me guxim dhe profesionalizëm të lartë, pas shumë orësh luftimesh të ashpra, në të cilat u vranë disa anëtarë të grupit të armatosur terrorist, arriti të shtypë kryengritjen dhe të vendosë nën kontroll të plotë manastirin dhe të gjithë territorin e vendit.

Para këtyre zhvillimeve dramatike, serbomadhi Vuçiç me heshtjen e tij të plotë prej 19 orësh, pohoi qartësisht se ishte organizator i kryengritjes së armatosur në Kosovë.

Ai foli vetëm pasi kryengritja u shtyp në Kosovë dhe humbi çdo shpresë për suksesin e saj.

Ai, pas 19 orësh, deklaroi se ishte një kryengritje e serbëve të Kosovës kundër Albin Kurtit, duke faktuar se qëndronte prapa saj,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco