Italia dhe Europa pa me dokumente zyrtare se Shqipëria është shtet mafioz

Italia dhe Europa pa me dokumente zyrtare se Shqipëria është shtet mafioz

09:17, 25/04/2024
A+ Aa A-

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjet më të pakufijshme ju luftëtarëve të pathyeshëm të guximit, të lirisë, dinjitetit, të shpresës së shqiptarëve.

Demokrate dhe demokratë, u përshëndes ju, përshëndes oratorët që e shndërrojnë platformën e kësaj proteste në platformën e të vërtetës, në platformën e mbrojtjes së interesave të qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë. Mbrojtjes së interesit kombëtar dhe idealeve demokratike të qytetarëve shqiptarë.

Të dashur miq!

48 orë na ndajnë nga dita e fitores. 48 orë!

Ndaj dhe unë, sonte kam një thirrje për çdo qytetar të Tiranës të bëjë gjithçka për të firmosur ditën e premte fitoren e tij, fitoren e fëmijëve të tij, fitoren e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.

Thirrja ime është për çdo demokrate dhe demokrat të kryeqytetit, të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij, sakrificave të pamerituara, vuajtjeve që i ka krijuar regjimi antishqiptar i Edi Ramës në këto 11 vite.

Të lërë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte në betejën e fitores.

Sot ftoj të gjitha forcat politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejë se beteja është prova e moralit opozitar, e guximit opozitar, e opozitarizmit të vërtetë.

U bëj thirrje të rinjve, të rejave të jeni të parët në këtë betejë sepse në qoftë se Erion Veliaj, Tiranën që duhet të ishte foleja e familjeve tuaja të reja, duhet të ishte shtëpia më e bukur e ëndrrave tuaja, ia ka dorëzuar mafies.

Ndaj dhe ju nuk keni alternativë tjetër veçse largimin prej saj.

E premtja është dita për të treguar guximin tuaj, forcën tuaj, fitoren tuaj.

Të dashur miq!

Beteja për çlirimin e bashkisë është betejë për jetën ose vdekjen e demokracisë në Shqipëri. Ftoj çdo qytetar, ftoj çdo demokrat, ftoj çdo opozitar të mendojë se çdo të thotë për të nesërmen e tij.

Se ç’do të thotë për të nesërmen e fëmijëve të tij. Se ç’do të thotë për të nesërmen e shoqërisë shqiptare, kombit dhe Shqipërisë. Në rast se me fuqinë tonë nuk kapim për zverku të nxjerrim jashtë bashkie, kryehajdutin, kryehorrin e Tiranës.

Demokrate e demokratë, kjo është betejë vendimtare. Kjo betejë nuk mund të humbet. Kjo betejë vetëm fitohet. Nuk ka forcë në botë që të na ndalë ne pa përmbushur detyrimin tonë, shporrjen nga bashkia të Erion hajdutit dhe hajdutëve të tjerë.

Erion, i tmerruar nga vrulli qytetar, zemërimi qytetar kalon nga një vend në tjetër. Por të jap fjalën e nderit, se edhe në Hënë po shkove, do të kapim dhe do të çojmë atje ku e meriton.

Dëgjo këtu o hajdut që shpërndan fotot me këtë apo atë qeveritar, mos harro se edhe Saimir Tahiri me Ediskobarin shkuan në Shtëpinë e Bardhë, por ku përfundoi Saimir Tahiri pastaj?

Nuk ke të ardhme, gjyqin do ta bëjmë në sheshin Skënderbej. Ndaj dhe kthehu të japësh dorëheqjen, mos të të heqim në mënyrën më të vendosur dhe të japim atë që meriton. Kthehu se je një shpifësirë që nuk ke pasur shok kurrë në ndonjë administratë. Ke vjedhur 100 përqind të fondeve, në vjedhur paratë e varrezave, ke vjedhur paratë e shkollave, ke vjedhur paratë e ndihmës ekonomike.

Kthehu se do të të kthejmë ashtu siç nuk ta pret mendja. Nuk ka forcë në botë që të na e marrë ne fitoren nga duart. Fitorja është e jona, mjerë ti. Mos provoko bashkinë. Erion, ke afat 48 orë, jep dorëheqjen sa nuk është vonë. Mos mendo Erion se do të të mbrojë Dumani ty. Dumani të mbrojti gjer sot Erion.

Por sot fjalën e kanë qytetarët.

Dhe Dumanit dhe dumanëve i garantoj shqiptarët se së shpejti do t’u duhet të japin llogari për amnistitë e tyre kriminale të Erion Veliajt, Edi Ramës, Engjëll Agaçit dhe qeveritarëve të tjerë.

Erion, ti beson se të mbron Edi Rama.

Mos u bëj budalla, po Edi Rama sot shiti edhe Olsin. E dëgjuat apo jo, Olsi Xibraka nga më i pafajshëm që ishte, doli çështje personale Xibraka e Olsit.

Jo, Edi jo! Nuk është personale o Ediskobar, është familjare gjer në palcë.

Dhe të garantoj se pas Erionit, radhën e ke ti dhe nuk ka forcë në botë që të të shpëtojë.

Miqtë e mi!

Italia dhe Europa ka dy ditë që pa me dokumente zyrtare se në Shqipëri, shteti është mafie dhe mafia shtet. Se në Shqipëri, Edi Rama me don Agaçion, sa herë e kemi denoncuar ne don Agaçion o miq?

Ky mafioz i shpërfytyruar që bën dhurata, që blen me 30 hektarë tokë në brigje, zyrtarët e tjerë. Po ja që vjen një ditë dhe e vërteta del në shesh dhe don Agaçio del një kriminel i vërtetë, ashtu siç është. Por del një lejtnant i Edi Ramës, me të cilin kanë kryer veprat më të zeza.

Ka dy ditë që Edi Rama përpiqet të mbrohet duke përdorur mburojë Agaçion, duke përdorur mburojë Olsin. Në fakt, Edi Rama është shkrirje në një e Olsit dhe djall Agaçios. Jo engjëll, djall është ai. Emri i tij është djall Agaçio.

Edi Rama, ke vetëm një alternativë dhe unë po ta them këtu, në emër të demokratëve dhe opozitarëve, të cilët janë të betuar: qeveri teknike ose vend mbi tokë nuk do të kesh. Edi Rama, edhe në shpellat më të zeza të mafies po të futesh, do të gjejmë.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira, kjo është kërkesa jonë!

Edhe njëherë ju bëj thirrje, të premten, fitoren në duart tona. Fitorja e të premtes është fati ynë në duart tona. Është fati i Tiranës në duart tona. Është fati i Shqipërisë në duart tona. Erion, 48 orë ke. Dorëhiqu dhe mos guxo të kërkosh azil politik në ambasada se nga Shqipëria nuk do dalësh kurrë.

Mos guxo!

Ndaj dhe jep dorëheqjen se je unik në botë o faqezi me modelin 100 përqind të vjedhjeve. Po ku do shkosh ti mor? Po nuk të fal kurrë opozita ty mor!

Edhe njëherë, thirrja ime për të gjithë qytetarët e Tiranës, thirrja ime për të gjithë demokratët, thirrja ime për të gjithë të rejat, të rinjtë, thirrja ime për të gjithë opozitarët, thirrja ime për shoqërinë civile dhe çdo njeri që e ndjen se vjedhjet 100 përqind të fondeve janë poshtërimi total i qytetarit, të mblidhemi të premten, të firmosim fitoren.

Fitoren e merituar.

Rrofshi ju, rroftë fitorja, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco