Konjufca e Kurti: Demaçi, figura më e shquar e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore

Konjufca e Kurti: Demaçi, figura më e shquar e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore

10:12, 26/07/2023
A+ Aa A-

Krerët institucionalë, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti, kanë bërë homazhe pranë varrit të veprimtarit të njohur për çështjen kombëtare, Adem Demaçi, në përvjetorin e pestë të vdekjes së tij.

Ata e kanë cilësuar Demaçin si figura më e shquar e popullit shqiptar në ish-Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë se Demaçi ka arritur t’i artikulojë interesat më jetike të kombit shqiptar dhe i ka mbrojtur ato me sakrificë të pashembullt.

“Pas Luftës së Dytë Botërore, Adem Demaçi ka qenë një prej figurave më të rëndësishme që ka arritur t’i artikulojë interesat më jetike të kombit shqiptar, duke filluar prej koncepteve ‘Kosova Republikë’, ‘Bashkimi Kombëtar’ dhe ‘E drejta për vetëvendosje’, Adem Demaçi jo vetëm që i artikuloi, por i mbrojti ato me një sakrificë të pashembullt, duke qenë në krye të proceseve më të rëndësishme të popullit tonë, aty ku ishin të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave tona si popull, në rendin e parë ishte Adem Demaçi. Duke filluar nga vitet e 50-ta kur u burgos për herë të parë dhe deri në vitin 1998 kur thirrja e kërkoi të jetë edhe në ballë të UÇK-së, Adem Demaçi nuk ka dështuar asnjëherë”, është shprehur ai.

Kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se jeta dhe vepra e Demaçit, idetë dhe udhëzimet e tij e mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim.

“Sot u mbushën pesë vjet që kur baca Adem shkoi në amshim dhe sigurisht që kemi pikëllim dhe mallëngjim që nuk e kemi më, por edhe kemi krenari e mirënjohje që e patëm dhe e njohëm, që punuam dhe mësuam prej tij. Jeta dhe vepra e bacës Adem, idetë dhe udhëzimet e tij na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim njëkohësisht”, ka thënë ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco