PD: Përshëndesim raportin e Komisionit të Jashtëm të PE, në linjë me shqetësimet tona

PD: Përshëndesim raportin e Komisionit të Jashtëm të PE, në linjë me shqetësimet tona

16:26, 29/05/2023
A+ Aa A-

Partia Demokratike përshëndet qëndrimin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian mbi zhvillimet në Shqipëri.

‘Ky qëndrim është shprehur qartë në raportin e këtij Komisioni nën titullin ‘Shqipëria 2022’, ku pasqyrohen qartë disa prej shqetësimeve dhe alarmit që ka ngritur opozita shqiptare për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës’, thuhet në deklaratën e bërë publike nga selia blu. 

Sipas Partisë Demokratike, teksti i paraqitur nga socialistja portugeze Isabel Santos u ndryshua me amendimet e deputetëve të Partive Popullore Europiane. Këto amendamente u mbështetën edhe nga europarlamentarët socialistë, të gjelbër e liberalë.

Lidhur me zgjedhjet e 14 majit raporti thekson se në ‘Shqipëri duhet të garantohet liria e partive politike që të paraqiten në zgjedhje pa ndërhyrje të paduhur nga shteti apo aktorë të tjerë’. Ky pasazh i referohet ndalimit të PD reale për të hyrë në zgjedhjet lokale me të gjitha atributet politike e ligjore që i përkasin. Mesa duket, për shkak të afateve, nuk janë paraqitur amendamente lidhur me problemet e këtyre zgjedhjeve

Raporti i PE shpreh ‘keqardhjen për shkeljen e rregullores së Kuvendit dhe shqetësimin për ngushtimin e hapësirës për rolin mbikëqyrës të opozitës parlamentare përfshi edhe refuzimin për ngritjen e komisionit hetimor’.

Referimi është për rastin e rrëzimit të kërkesës së PD për nje komision hetimor parlamentar për rolin e kryeministrit Rama në skandalin McGonigal.

PE i bën thirrje qeverisë që ‘të anullojë urgjentisht çdo nismë ligjore për amnistinë fiskalo-penale dhe pasaportat e arta. Këto skema janë kërcënim për BE dhe për Shqipërinë dhe do të bllokojnë qartazi progresin e integrimit Europian.

Parlamenti Europian ‘është i skandalizuar për kontratën e Portit Durrës me një kompani nga Emiratet e Bashkuara, edhe pse kjo kontratë shkel Marrëveshjen e Stabilizimi Asocimit me BE, dhe megjithë paralajmërimet e mëparshme të Parlamentit e Komisionit Europian.’

Gjithashtu në raport thuhet se projekte si ai i Portit Durrës duhet të zbatojnë prokurimin publik sipas standardeve europiane të MSA.

PE shpreh shqetësim për regresin e lirisë së shprehjes dhe të medias, refuzimin e qeverisë për të dhënë informacion, përpjekje për diskreditimin e gazetarëve, gjithashtu kërkohet hetim për shembjen e paligjshme të aseteve të lidhura me mediat e pavarura nga qeveria apo kritike me te siç është rasti i Prestige Ressort dhe 24 News TV.

 Raporti shpreh gjithashtu shqetësim se nuk ka progres me pastrimin e parave të krimit si dhe me korrupsionin në nivel të lartë qeveritar ku mungojnë dënimet gjyqësore.

 Propozuesit e këtyre amendimeve janë eurodeputetet Michael Gahler, David Lega, Lukas Mandl, Antonio Lopez Isturiz, Miriam Lexman, Peter van Dalen, Vladimir Bilcik, Zeljana Zovko e Arba Kokalari.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco