'Mungesë lobimi' / Anëtarësimi i Kosovës në KiE po shihet me skepticizëm nga opozita

'Mungesë lobimi' / Anëtarësimi i Kosovës në KiE po shihet me skepticizëm nga opozita

09:33, 16/04/2023
A+ Aa A-

Partitë opozitare në Kosovë janë skeptike për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës (KiE) gjatë këtij viti. Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK kritikojnë ekzekutivin për mungesë të strategjisë dhe lobimit, kur muajin e ardhshëm bëhen 1 vit prej që Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në KiE. Në anën tjetër, nga Këshilli i Evropës nuk kanë kthyer përgjigje nëse aplikimi i Kosovës do të shqyrtohet në mbledhjen e Komitetit të Ministrave në muajin maj të këtij viti.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për KosovaPress se hezitimi për shqyrtim të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në KiE po qëndron edhe tek vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, krahas vendeve mosnjohëse.

Deputetja opozitare, e cila është edhe anëtare e delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, thekson se ka vende me fuqi të madhe që nuk po e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Kritik karshi qeverisë për qasjen pas aplikimit në Këshill të Evropës është edhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, i cili thotë se MPJD-ja nuk është treguar aktive për të lobuar për anëtarësim në KiE.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se Qeveria është dashur të jetë më këmbëngulëse për t’i siguruar votat për anëtarësim në KiE.

Megjithatë, ajo shton se tani është momentumi i duhur për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Mirëpo, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është optimiste se Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Evropës brenda disa muajsh.

Ajo javën e kaluar para deputetëve deklaroi se votat janë siguruar dhe tani nuk duhet të kalojë shumë kohë për shqyrtim të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të vitit 2022. Aplikacionin fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pastaj, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco